Njoftim per shtyp, 30.08.2017, Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve

Tiranë, 30  gusht 2017 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe Bashkinë Tepelenë organizojnë një aktivitet përkujtimor për viktimat që vuajtën dënimin në kampet e punës së detyruar gjatë regjimit komunist. Po këtë ditë, Autoriteti prezanton projektin “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës”. Veprimtaritë janë të hapura për median.

Aktiviteti nis në orën 10.30 me një vizitë në ish-kampin famëkeq të Tepelenës, 1949-1954, i cili, nga një nismë shumëplanëshe e Autoritetit, do të rikthehet në vend kujtese. Në mjediset e ish-kampit të internimit do të ngrihet memoriali që përkujton jetët e humbura të qindra të pafajshmëve të mitur, të mbetur pa varr, ““faji” i vetëm i të cilëve ishte se ishin fëmijë ose nipa të prindërve, gjyshërve apo kushërinjve, që për Pushtetin Popullor ishin kategorizuar si armiq të klasës”.

Në ceremoni marrin pjesë Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula, kryetari i Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Williams dhe zv/ambasadori i Prezencës së OSBE, z. Robert Wilton, mbështetës së projekteve të AIDSSH që hedhin dritë mbi të kaluarën. Vizita në kampin e Tepelenës, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre finalizohet me mbjelljen e qiparisëve të parë të memorialit.

Në orën 11.30, në mjediset e teatrit të qytetit, z. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Kombëtar,  mban një kumtesë mbi kampin e Tepelenës. Takimi moderohet nga z. Marenglen Kasmi. Në panel, z. Simon Mirakaj, i mbijetuar i kampit, z. Daut Gumeni, Qytetar Nderi i Tepelenës, z. Lekë Pervizi, i mbijetuar, skicues besnik i mjediseve të kampit, z. Dine Dine, z. Lek Mirakaj, znj. Lindita Dema e të mbijetuar të tjerë.

Në prani të ish-të dënuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare, arkitekti Gjon Radovani prezanton projektidenë e Memorialit Kombëtar të Kampeve të Punës. Projekti përfshin rindërtimin e njërës prej barakave siç ka qenë në kohën kur funksiononte si kamp dëbimi (kthimin e saj në identitet); mbjelljen e 300 fidanëve për përkujtimin e fëmijëve që humbën jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës e janë pa varr, si dhe vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi e dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit.

30 gushti përkujton ndërkombëtarisht të zhdukurit. Në këtë ditë reflektimi, AIDSSH kthen në vëmendje të shoqërisë fatet njerëzore dhe jetët e lëna brutalisht në mes, duke reaguar përmes nismave konkrete të kujtesës dhe transparencës mbi të shkuarën. Në kampin famëkeq të Tepelenës, 1949-1954, vuajtën dënimin në kushte çnjerëzore mijëra familje shqiptare, shumë prej të cilave lanë fëmijët e të afërmit në varret përreth. I kufizuar me tela me gjemba, kampi i Tepelenës përfaqëson një nga modelet më të egra të trajtimit të të pafajshmëve me punë të detyruar në Lindjen komuniste. Ne kampet e Tepelenes vuajten mbi 3,000 vete, ku 1 nder 3 ishte femije nen 14 vjec.

 

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Fjala e Kryetares se AIDSSH Znj. Gentiana Sula

Fjala e Kryeministrit “Gjetja e të Zhdukurve”