Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet AIDSSH dhe Projektit PERFORM

Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet AIDSSH dhe Projektit PERFORM

Mbi rolin e shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954)

Tiranë, 18 maj 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Projekti PERFORM – Shkenca Sociale Aktive dhe të Përgjegjshme, bashkëpunojnë në ndërtimin e një narrative mbi rolin e shkencës, elitave intelektuale dhe kërkimit shkencor në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Aktiviteti zhvillohet në mjediset e Akademisë  së Shkencave dhe është i hapur për mediat.

Znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit, shprehet mbi rëndësinë e kësaj nisme, që rishqyrton mbi baza profesionale figura e personalitete: “Duke analizuar me imtësi punën, kontributin e shkencëtarëve dhe raportet që krijoi sistemi me ka, studiuesit arrijnë të hedhin dritë mbi sfidat me të cilat ata u përballën”. Mbështetës i projekteve mbi kujtesën, z. Christoph Graf, Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, përshëndet aktivitetin dhe bashkëpunimin. “Qëllimi ynë kryesor është fuqizimi i komunitetit të shkencave sociale dhe mbështetja e iniciativave të ndërmarra nga grupet e studiuesve të këtyre shkencave me aktorët e tjerë në shoqëri, përfshirë sektorin publik, privat, shoqërinë civile dhe median”, thekson z. Martin Dietz i projektit PERFORM.

Personalitetet që do të studiohen në këtë kuadër, qasja shkencore dhe metodologjia prezantohen nga znj. Sonila Boçi, historiane, drejtuese e grupit të studiuesve. Ata do të punojnë mbi figurat e: Gjergj Kokoshit, Eqrem Çabejt, Sabiha Kasimatit, Arshi Pipës, Odhise Paskalit, Aleks Budës, Ollga Plumbit, Petraq Pepos, Gjovalin Gjadrit dhe Petraq Qafokut. Qëllimi i projektit është hulumtimi në pikëpamje studimore i ndikimit të ish-Sigurimit të Shtetit si arma më e fuqishme e ruajtjes së pushtetit të Partisë-Shtet mbi shkencën dhe përfaqësuesit më në zë të saj.

Po ashtu, në studim do të tentohet që nëpërmjet hulumtimit në dosjet e Sigurimit të Shtetit të studiohen në mënyrë shkencore roli, mënyrat, diktimet si edhe përndjekja e shkencëtareve shqiptare, në gjithë fazat e jetës dhe punës së tyre.

Studimi i rolit të shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954) lidh punën kërkimore arkivore me misionin e Autoritetit për informimin e publikut dhe ruajtjen e kujtesës historike, për nisjen e një dialogu publik mbi këtë temë. Rezultati përfundimtar i bashkëpunimit do të jetë krijimi i një platforme interaktive komunikimi, e arritshme në mënyrë elektronike nga publiku i gjerë.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes zhvillohet në mjediset e Akademisë së Shkencave, ditën e lindjes së titullarit të parë të Institutit të Shkencës, z. Selahudin Toto, deputet i dënuar nga regjimi komunist në 1947. Përkujtimi i këtij intelektuali, që prezantohet nëpërmjet aktivitetit të tij kompleks, i hap rrugën studimeve të hollësishme që kontribuojnë në lidhjen mes kërkimit shkencor dhe politikës, për kujtesën historike të Shqipërisë.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.