Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes AIDSSH dhe Universitetit Europian të Tiranës

Tiranë, 16 janar 2019 – Sot, në mjediset e AIDSSH-së, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Universitetit Europian të Tiranës, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe znj. Nevila Nika, Rektore e UET.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kujtesës gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit së Shtetit, nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta sensibilizuese dhe trajnimeve, për të rritur ndërgjegjësimin në brezat e rinj, nëpërmjet edukimit qytetar dhe mbështetjes së kërkimit shkencor.

“Në këtë vit të rëndësishëm reflektimi të 30 viteve demokraci të Shqipërisë, marrëveshja me UET synon të bashkërendojë punën e Autoritetit dhe të studiuesve e studentëve të këtij universiteti, duke kontribuar në kalendarin e ndryshimeve demokratike dhe 100 vjetorin e Tiranës. Të dy institucionet do të organizojnë punën për projekte në funksion të dialogut për demokracinë, bazuar në materialet arkivore mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në ngjarje të rëndësishme të historisë sonë,” u shpreh Kryetarja e Autoritetit, znj. Sula.

“Si një ndër mbështetëset dhe bashkëpunëtoret e para të Autoritetit, e vetëdijshme për sfidat me të cilat përballet institucioni, konkretizimin e bashkëpunimit me Universitetin Europian të Tiranës e shoh si një hap drejt zgjerimit të kërkimit shkencor nga degët e masterit dhe doktoraturës, në çështje me interes kombëtar e po ashtu, drejt nxitjes së projekteve të edukimit qytetar”, theksoi znj. Nevila Nika, Rektore e UET.

AIDSSH dhe UET do të punojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore për aktivitete të kalendarit të kujtesës, nisma për edukimin qytetar, seminare, tryeza pune, etj. Bashkëpunimi synon të konsolidojë punën për njohjen e së shkuarës, në funksion të transparencës dhe komunikimit me qytetarët.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *