NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT MES AIDSSH DHE SHOQATËS “TIRANA”

  • admin 

Tiranë, 22 janar 2020 – Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Shoqatës “Tirana”, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe z. Arben Tafaj, Kryetar i Shoqatës.
Ceremonia u organizua në mjediset e shtëpisë së familjes Begeja në Rrugën e Dibrës, në praninë e përfaqësuesve të shumtë të komunitetit tiranas, familjeve të vjetra e mirënjohura autoktone, trupit diplomatik dhe medias.
Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kujtesës gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit së Shtetit, nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta sensibilizuese që hedhin dritë në historinë gjysmëshekullore të Tiranës kryeqytet në diktaturë, studimit e hulumtimit në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit; mbledhjes së dëshmive të individëve dhe familjarëve që i përjetuan ndryshimet në vetë të parë; rindërtimit të një narrative të re, pas përqasjes e grumbullimit të të dhënave për figura e personalitete të njohur të Tiranës, të survejuar, përndjekur e të përbaltur në diktaturë, si dhe evidentimit, përcaktimit dhe ruajtjes së vendeve të kujtesës, emërtimit të tyre, vënies së pllakateve, tabelave, ngritjes së memorialeve për nderimin e viktimave të diktaturës komuniste, për të rritur ndërgjegjësimin në brezat e rinj, nëpërmjet edukimit qytetar dhe mbështetjes së kërkimit shkencor.
“Në këtë vit të njëqindtë të Tiranës kryeqytet, bashkëpunimi me komunitetin dhe shoqatat aktive konkretizohet me marrëveshjen me Shoqatën “Tirana”, për zbardhjen e dokumenteve dhe ngjarjeve historike për ndërtimin e Dialogut të Tiranës, me historitë e popullsisë autoktone, asaj të vendosur në Tiranë dhe ngjarjet e rëndësishme historike që u zhvilluan në kryeqytet.
Marrëveshja synon të bashkërendojë punën e Autoritetit dhe të studiuesve që bashkëpunojnë më Shoqatën “Tirana”, duke kontribuar në kalendarin e ndryshimeve demokratike dhe 100 vjetorin e Tiranës. Të dy institucionet do të organizojnë punën në funksion të dialogut për demokracinë, bazuar në materialet arkivore mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në ngjarje të rëndësishme të historisë sonë,” u shpreh Kryetarja e Autoritetit, znj. Sula.

“Shtëpia e familjes Begeja është vetëm një ndër hapësirat tiranase që me vendosjen e regjimit komunist dëshmoi histori të dhunës, uzurpimit, tjetërsimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Bashkëpunimin me AIDSSH, Shoqata “Tirana” e sheh me vlerë për zbërthimin e asaj historie që mbetet e panjohur jo vetëm për tiranasit, por për të gjithë shqiptarët. Zbardhja e së shkuarës, studimi i saj, prezantimi i profileve dhe ekspozitave, publikimeve mbi të kaluarën gjysmëshekullore të kryeqytetit, në bashkëpunim me studiues, komunitetin dhe institucionet është detyrim ndaj shoqërisë së sotme dhe të ardhmes sonë”, theksoi z. Arben Tafaj, kryetar i Shoqatës “Tirana”.
AIDSSH dhe Shoqata “Tirana” do të punojnë për hartimin e planeve të përbashkëta për aktivitete të kalendarit të kujtesës, nisma për edukimin qytetar, ekspozita dokumentare dhe të profileve, tryeza pune, publikime, etj. Bashkëpunimi synon të konsolidojë punën për njohjen e së shkuarës, në funksion të transparencës dhe komunikimit me qytetarët.

***
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *