Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes AIDSSH dhe Qendrës Memo

  • admin 

Tiranë, 10 janar 2019 – Sot, në mjediset e AIDSSH-së, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Qendrës Memo, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe znj. Ema Andrea, Drejtore ekzekutive e Memo.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kujtesës gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit së Shtetit, për rivlerësimin e personaliteteve dhe ngjarjeve historike, si dhe  kontributi në realizimin e projekteve të memories.

“Sot konkretizohet bashkëpunimi mes AIDSSH-së dhe Memo. Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për projekte në funksion të dialogut për demokracinë, bazuar në materialet arkivore mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet e shoqëri,”, u shpreh Kryetarja e Autoritetit, znj. Sula.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Memo synon të inkurajojë studimet e thelluara të ngjarjeve historike dhe individëve të lidhura me projekte muzeale, kujtese, të rishqyrtimit të historisë apo edukimit qytetar, si dhe të nxisë zbatimin e rezultateve të kërkimeve shkencore të reja historike në programin e edukimit shkollor”, theksoi znj. Ema Andrea,  Drejtore ekzekutive e Qendrës Memo.

Autoriteti dhe Memo do të bashkëpunojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore të aktiviteteve e nismave për edukimin qytetar, seminare, tryeza pune, etj. Bashkëpunimi synon të konsolidojë punën për njohjen e së shkuarës, në funksion të transparencës dhe komunikimit kompleks të fakteve publikut brenda dhe jashtë vendit.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *