Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes AIDSSH dhe fondacionit kujto.al

Tiranë, 13 nëntor 2019 – Sot, në mjediset e AIDSSH-së, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Fondacionit “Kujto” për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe znj. Blerina Gjoka, Drejtore e Fondacionit.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë, për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit. “Sot konkretizohet një projekt i ri mes AIDSSH-së dhe Kujto.al, Arkivës online të viktimave të komunizmit në Shqipëri. Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve, videove të shkurtra e dokumentarëve të bazuar në materialet arkivore, mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet e shoqëri, dhe do të ndërtojnë bashkërisht projekte në funksion të edukimit qytetar”, u shpreh Kryetarja e Autoritetit, znj. Sula.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, studiuesve dhe gazetarëve të Kujto.al u lehtësohet aksesi në dosjet e Sigurimit. Nisma të tilla e zgjerojnë rrjetin e studiuesve dhe janë mundësi e mirë që puna jonë e përbashkët të kontribuojë për informimin mbi të shkuarën, sidomos të brezave të rinj”, theksoi znj. Blerina Gjoka,  Drejtore e Fondacionit Kujto.al.

Autoriteti dhe Fondacioni Kujto.al do të bashkëpunojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore të aktiviteteve për edukimin qytetar, seminare, tryeza pune, etj. Veprimtaritë në fushën e kujtesës do të realizohen në kuadër të nismave të përbashkëta, ku institucionet vënë në dispozicion të njëri-tjetrit botime, publikime, dokumentarë, intervista, studime që kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit. Bashkëpunimi synon të konsolidojë punën për njohjen e së shkuarës, në funksion të transparencës dhe komunikimit kompleks të fakteve publikut brenda dhe jashtë vendit.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.