NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT MES AIDSSH DHE AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

  • admin 

Tiranë, 23 prill 2021 – Sot, në mjediset e ASA, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe akademikut prof. dr. Marenglen Verli, Rektor i ASA.
Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve për aplikimin e procedurave që thjeshtojnë bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të mbështetjes së kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë represive të regjimit komunist dhe veçanërisht të ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve, veçanërisht në formimin universitar të thelluar të studentëve.
“Marrëveshja me ASA konsolidon bashkëpunimin me institutet e saj, duke shfrytëzuar ekspertizën përkatëse, sa i takon studimeve historike, shoqërore, kulturore, etj., të periudhës 1944-1991, edhe në trajtim enciklopedik, të lidhur me përndjekjen në komunizëm, format e opozitarizmit dhe kundërshtisë me regjimin, figurave të mirënjohura intelektuale, përvojave dhe proceseve të ekspertizës të antropologjisë dhe arkeologjisë, edhe sa u takon të zhdukurve në komunizëm,” u shpreh Kryetarja e Autoritetit, znj. Sula.

Sipas prof. dr. Marenglen Verli, Rektor i ASA, “marrëveshja nxit dhe mbështet realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe të edukimit qytetar për demokraci. Po ashtu, të veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare, tryeza, studime, botime, intervista e dokumentarë në fusha me interes të dyanshëm), duke ndihmuar zbardhjen e së shkuarës komuniste”.
AIDSSH dhe ASA do të punojnë për hartimin e planeve të përbashkëta vjetore për aktivitete të kalendarit të kujtesës, në kuadrin e veprimtarive kërkimore shkencore, botimeve, nismave për edukimin qytetar, seminareve, tryezave të punës, etj. Bashkëpunimi dhe hulumtimi në arkiva synon të konsolidojë punën për njohjen e së shkuarës, në funksion të transparencës dhe komunikimit ndërveprues me qytetarët.

***
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *