#30 vjet demokraci AIDSSH dhe AQSHF, projekte të përbashkëta për zbardhjen e së shkuarës dhe rivënien në vend të dinjitetit njerëzor

  • admin 

Në prag të 20 shkurtit, 30 vjet pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit hapi dyert e tij për AIDSSH-në dhe propozimet konkrete për bashkëpunim.

Drejtuesja e AQSHF, znj. Iris Elezi bëri një paraqitje të kujdesshme e të detajuar të materialeve të tipologjive të ndryshme që ruhen në arkivin e tyre, duke evidentuar njëkohësisht elementët dhe fushat ku mund të punohet e studiohet bashkërisht.

Sipas znj. Elezi, “është e rëndësishme që e shkuara të trajtohet në mënyrë multidisiplinore dhe ka ardhur koha që kinematografia dhe të gjitha proceset e lidhura me të gjatë viteve të regjimit komunist, të shihen me transparencë. Kjo njohje e ndihmon të tashmen e të ardhmen, edhe të kinemasë shqiptare”.

“Jo pak ngjarje historike dhe personalitete janë trajtuar të deformuar në filmat shqiptarë të regjimit, duke prekur e cenuar dinjitetin njerëzor të të nëpërkëmburve e përçmuarve për të gjithë jetën e jo në pak raste, në disa breza. Hapja e dokumenteve të Sigurimit dhe njohja me “provat” e fabrikuara që dënuan sabotatorë, apo linçuan “armiqtë e popullit” është një mundësi për t’iu rikthyer në një optikë të re filmave, dokumentarëve, skenarëve, mjeteve të propagandës të përdorura dhe shfrytëzuara nga ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, me qëllim indoktrinimin”, u shpreh kryetarja Sula.

Z. Simon Mirakaj, anëtar i AIDSSH, theksoi nevojën për një strategji kombëtare për kujtesën, e cila të përfshijë edhe mënyrën sesi kinematografia dhe letërsia u përdorën nga regjimi komunist për qëllime të propagandës dhe indoktrinimit politik.

Dy materiale filmike ilustruese të bashkëpunimit u shfaqën në sallën e AQSHF, të pasuara nga një vizitë në mjediset e institucionit, arkiv, kartotekë, bibliotekë, për njohje me proceset e punës. AIDSSH dhuroi botimet e veta për bibliotekën e AQSHF.

Personalitetet e para dhe ngjarjet historike, me pasojat përkatëse, që synohet të trajtohen në dritën e dokumenteve arkivore të dyanshme dhe materialeve jo vetëm në administrim të AIDSSH dhe AQSHF, janë të dënuarit e Kënetës së Maliqit, të dënuar publikisht dhe të ekzekutuar, të “ritreguar” në filmin “Vitet e para”, si dhe Sejfi Protopapa, personazh i redikulizuar me Sali Protopapën dhe ballistët që denden me pula tek “I teti në bronz”, ndërsa AQSHF do të hulumtojë dosjet e ish-Kinostudios të ruajtura në AIDSSH.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *