Marreveshje bashkepunimi midis AIDSSH dhe Muzeut Kombëtar “Gjethi”

NJOFTIM PËR SHTYP

Tiranë, 12 prill 2018 – Sot, në mjediset e Muzeut “Gjethi”, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Muzeut Kombëtar “Gjethi”, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe znj. Etleva Demollari, Drejtoreshë e Muzeut.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve për bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të identifikimit, grumbullimit, administrimit të dokumenteve dhe të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, të periudhës 29 nëntor 1944 – 2 korrik 1991. Kjo, për t’iu përgjigjur domosdoshmërisë që Autoriteti dhe Muzeu kanë në mbështetjen e procesit të transparencës mbi të kaluarën komuniste dhe viktimat e diktaturës.

Të dy institucionet bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve shkencore mbi rolin dhe funksionin e ish-Sigurimit në shtet dhe në shoqëri, dhe për format e ndryshme të shfaqjes dhe ekzistencës së opozitës apo kryengritjes ndaj regjimit komunist, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit.  Kësisoj, bashkëpunimi konsolidohet në drejtime konkrete, në përputhje me misionin e të dy institucioneve në fushat e tyre të kompetencës.

Marrëveshja ndihmon studiuesit që duan të bëjnë kërkime shkencore, apo edhe shkëmbimin e materialeve shkencore e informative, me qëllim promovimin e vlerave historike, në përputhje me interesat e palëve, duke respektuar legjislacionin në fuqi.

Në këtë kuadër, së shpejti do të organizohen aktivitete që kanë në fokus krimet e komunizmit në Shqipëri dhe periudhën kur ka funksionuar ish-Sigurimi i Shtetit, për njohjen me historinë e tij dhe pasojat komplekse, përmes takimeve të organizuara bashkërisht.

Do të hapen dhe shkëmbehen ekspozita që kanë për bazë pasurinë dokumentare apo kulturore në fushat që institucionet mbulojnë sipas ligjit; po ashtu, konferenca, takime, workshope që nxitin ndërgjegjësimin për njerëzit që u janë përpunuar apo ruajtur të dhënat nga ish-Sigurimi i Shtetit, gjatë periudhës së diktaturës komuniste, me qëllim krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse për njohjen e dokumentacionit arkivor të kësaj periudhe.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.