Gjirokastra lexon Musinenë

“Gjirokastra lexon Musinenë”

Përkujtohet figura shumëdimensionale e Musine Kokalarit

Tiranë, 12 shkurt 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Muzeun “Musine Kokalari” dhe Wikimedians of Albanian Language UG organizoi aktivitetin “Gjirokastra lexon Musinenë”, në Gjirokastër.

Figura shumëdimensionale e Musine Kokalarit, veprimtares politike e kulturore dhe shkrimtares  me vizion u përkujtua në një simpozium të posaçëm në qytetin e saj. Paralelisht me simpoziumin, një grup të rinjsh dhe ekspertët përkatës punuan për pasurimin dhe saktësimin e materialit zyrtar për të, në punëtorinë edit-a-thon “Musine Kokalari në Wikipedian shqip”. Të ftuar në takim ishin qytetarë, të rinj e studentë, përfaqësues të institucioneve publike dhe joqeveritare, shoqatave për të drejtat e njeriut dhe të përndjekurve politikë, organizatave ndërkombëtare, artit, kulturës dhe medias.

Simpoziumi u hap nga znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Me kërkesë të familjes, dosja e parë që Autoriteti hapi para dy vjetësh, në nisje të punës së tij, ishte ajo e Musine Kokalarit, e dënuar, survejuar dhe përndjekur për vite me radhë. Dy vjet pas hapjes së dosjes së parë, përvjetori i Musinesë i bëri të gjithë bashkë në Gjirokastër, për ta trajtuar në mënyrë komplekse figurën e saj e po ashtu, qëndresën dhe vlerat njerëzore të përcjella, përtej shënimeve të dosjes së përndjekjes.

Znj. Zamira Rami, Kryetare e Bashkisë Gjirokastër mbajti fjalën e saj duke vlerësuar thellësisht figurën e Musinesë dhe duke e parë trajtimin e saj zyrtar e përfshirjen e të gjithëve aktorëve, si tërheqje shtesë për qytetin e Gjirokastrës. Studiuesja Fiona Todhri, vijoi me trajtimin gjerësisht e me profesionalizëm të figurave të grave të dënuara politike gjatë regjimit komunist, mes të cilave, Musine Kokalari, gra që hodhën themelet dhe tentuan krijimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike.

Një ndër kontribueset kryesore të kësaj veprimtarie, znj. Arjeta Kokalari, Drejtore e Muzeut “Musine Kokalari” foli mbi sfidat e trajtimit të trashëgimisë së saj në ditët e sotme. Në emër të familjes, znj. Linda Kokalari rrëfeu kujtimet me Musinenë, praninë në familje dhe mënyrën sesi personaliteti i Musinesë ndikoi jetën e saj dhe të të tjerëve që patën të bënin me të. Z. Nebil Çika, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë dhe i afërt me familjen Kokalari, u shpreh mbi mekanizmat e përndjekjes ndaj zonjës Kokalari dhe vlerat njerëzore me të cilat ajo u përball me strukturën shtetërore.

Studiuesja Sonila Boçi e Akademisë së Studimeve Albanologjike foli mbi qëndrimin politik të Musine Kokalarit, qasjen e saj ndaj pushtetit dhe rolin e së majtës shqiptare, përtej komunizmit, gjatë periudhës kur lindi, synoi të zhvillohej dhe drejtimet që mori. E majta shqiptare do të trajtohet në një projekt të posaçëm të Autoritetit për rivlerësimin e ngjarjeve dhe figurave historike.

Të pranishëm në takim, qytetarë të lidhur me familjen Kokalari dhe vetë Musinenë, folën për kujtimet e lidhura me të dhe ndikimin që pati ajo në jetën e gjithsecilit, që nga dashuria për librat, qëndrueshmëria në vlerat njerëzore dhe papërkulshmëria, pavarësisht situatave të vështira jetësore. Prej tyre u sugjerua futja e veprave të saj në letërsinë shqipe, për pasurinë gjuhësore që përcjellin, ngaqë shoqëria e sotme është borxhlie ndaj Musinesë, fisnikërisë dhe thjeshtësisë së saj.

Krijimtaria e pasur letrare e Musine Kokalarit u trajtua dhe diskutua nga të rinj, të cilët lexuan pjesë të përzgjedhura nga krijimet e saj dhe e plotësuan figurën komplekse me aspektin artistik. Kësisoj, simpoziumi krijoi një kuadër të plotë të figurës së Musine Kokalarit, nga vlerësimi i vetëdijes intelektuale, integriteti dhe fryma idealiste që karakterizonte një grua të tillë, te qëndrueshmëria, dinjiteti njerëzor dhe përfaqësimi i lartë i vetvetes, ideve e prirjeve të saj, ditët e gjykimit e më pas.

Paralelisht zhvillimit të simpoziumit, në një mjedis të dytë u organizua punëtoria edit-a-thon “Musine Kokalari në Wikipedian shqip” dhe maratona e editimeve në Wikipedian në gjuhën shqipe për Musine Kokalarin, duke synuar një produkt konkret, serioz dhe të mirëmenduar për një nga personalitetet mbresëlënëse të jetës politike, kulturore, artistike e shoqërore shqiptare. Materiali përfundimtar u ndërtua duke u bazuar edhe në dosjen e digjitalizuar të Musine Kokalarit.

https://sq.wikipedia.org/wiki/Musine_Kokalari

Në fund të takimit, të pranishmit zhvilluan një vizitë në shtëpinë e Musine Kokalarit dhe në burgun e Gjirokastrës.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura.

Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.