“Fytyra e ‘armikut të popullit’” në një konferencë shkencore

Teoritë e ndryshme mbi totalitarizmin e përkufizojnë atë si një regjim politik antidemokratik, pa parlamentarizëm, me një parti – të vetme, në të cilin “individi dhe shoqëria i përkisnin shtetit, i konsideruar jo vetëm si një entitet moral e shpirtëror i aftë që të përfaqësonte kombin, por edhe që të asimilonte totalisht degëzimet e ndryshme të shoqërisë civile”. E thënë më qartë, veçoria më e rëndësishme e regjimeve totalitare është kontrolli i plotë dhe i detajuar i të gjithë ideve, besimeve dhe shprehjeve. Regjimet totalitare kërkojnë, pra të krijojnë një shtet të uniformizuar dhe të sigurojnë nga shoqëria bindjen e verbër kundrejt pushtetit. Arritja e uniformitetit të skajshëm është tejet sfiduese për sa kohë që shoqëria njerëzore përmbledh njerëz me individualitete, pikëpamje, bindje dhe besime të ndryshme. Regjimit totalitar i duhet të sigurojë bindjen e shumicës dhe të frikësojë apo/dhe eliminojë me mjete e forma të ndryshme atë pakicë të padëshirueshme, e cila mund të bëhet pengesë për lidershipin. Në këtë proces, dhuna e ushtruar nëpërmjet institucioneve të posaçme (shërbimi i fshehtë, burgjet, internimet, puna e detyruar) dhe propaganda e imponuar, sa nga mediet e kontrolluara nga shteti, aq edhe nga organizatat e masave, janë dy shtyllat kyçe të cilat sigurojnë jetëgjatësinë e një regjimi diktatorial.

Në një farë mënyre, regjimi ka nevojë për figurën e “armikut të popullit”, i cili herë vizatohet si individi që rrezikon mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë e herë si “tradhtari” që luan me pavarësinë e sovranitetin e shtetit. Regjimi i vendosur në Shqipëri e filloi jetën që në gjenezë si një regjim totalitar, i bazuar në modelin e shtetit sovjetik të drejtuar nga Stalini, qeverisja e re e PKSH u bazua në të njëjtat metoda dhe metodologji. Të gjithë ata që kanë jetuar gjatë viteve të “diktaturës së proletariatit” në Shqipëri janë ushqyer ditë pas dite me konceptin e “armikut të popullit”. Regjimi nuk e fshihte që “diktatura e proletariatit” ishte në thelb “dhunë e shumicës ndaj një pakice të privilegjuar”. Ky slogan përligjte jo vetëm dhunën e ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë realë apo imagjinarë, por edhe krijonte kohezionin e nevojshëm publik, i cili do t’i shërbente jetësimit të pushtetit të drejtuesve të PKSH/PPSH. Qëllimi i kësaj konference është të sjellë në vëmendje dhe të hapë një debat shumëdisiplinor shkencor e publik mbi mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politikë realë, apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë; tipologjinë e “armiqve të popullit”.

Autoriteti për informim mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ftojnë të paraqiten propozimet për prezantime për konferencën “Fytyra e ‘armikut të popullit’” gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”, e cila do të mbahet më 17 maj 2019 në Tiranë. Konferenca do të përqendrohet n? këto tematika kryesore: 1. Diskutim teorik mbi konceptet disidencë, disident, kundërshtar politik; 2. Kontribute mbi debatin: A ka pasur disidencë në Shqipëri?; 3. Ngjashmëri dhe dallime në vizatimin e “armikut të popullit” midis Shqipërisë dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës Lindore e Qendrore; 4. Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj tyre (“kriminelët e luftës”, kleri, intelektualët e shkolluar në Perëndim, tregtarët dhe pronarët, kulakët, “armiku i popullit” brenda radhëve të Frontit Demokratik dhe PKSH/PPSH); 5. Evolucioni i konceptit “armik i popullit” gjatë viteve të diktaturës së proletariatit; 6. Lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit; 7. Sigurimi i Shtetit si instrument përndjekjeje dhe 8. Profile të ndryshme të “armikut të popullit”.

“Fytyra e ‘armikut të popullit’” në një konferencë shkencore