Fjalimi i ministrit Majko

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqiptarët, migracionin e kanë një cilësi kolektive por edhe tregues të raporteve të tyre me historinë kombëtare.

Historia e migracionit shqiptar gjatë periudhës 1944 – 1990 përfaqëson një raport të rëndësishëm të kombit shgiptar me kohën. Ajo është ende e pashkruajtur. Ky vlerësim vjen edhe pse historianët, kanë një prirje neglizhuese karshi të vërtetës kontraverse. Ata duan që renditja e fakteve të jetë një “prozë” me personazhe pozitivë dhe negativë.

Më lejoni që pamjen e një historie kotraverse ta filloj me një “sekret” të familjes sime. Familja ime ishte e lidhur me LANC-in. Por, në periudhën komuniste në biografinë e anëtarëve të familjes mungonte një anëtar i saj. Ai ishte xhaxhai i tim eti. Ai ishte shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm përmendja e tij anësore mund të hapte probleme të paparashikuara për familjen. Pohimi për pasjen e një familjari në Perëndim ishte thuajse një “njollë” në biografi.

Komunizmi në Shqipëri në pamjen e jashtme ishte “shfaqje” e gjatë groteste. Në fund, ajo që mbeti ishte pasqyra për të parë veten.

Xhaxhai i tim eti u përpoq pas Luftës të vendoste lidhjet me familjen nëpërmjet UNRRA-s dhe përfaqësuesve shqiptarë të saj në Gjirokastër. Prishja e marrdhënieve të rregjimit komunist që po vendosej në Shqipëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës solli edhe arestimin e shqiptarëve që punonin për UNRRA-n.

Që të kuptoni tmerrin e familjes sime për “xhaxhain amerikan” mjafton tu them se ata i dogjën të gjitha fotot e tij dhe ndaluan cdo bisedë për të. Në 1952 kjo ishte një arsye më shumë pse ata vendosën të shpërnguleshin dhe të vendoseshin nga Gjirokastra në Tiranë. Shqipëria përjetoi një nga regjimet komuniste më të egra dhe ajo cka vlen të theksohet ishte izolimi si konkluzion. Kontaktet politike dhe sociale me vendet e tjera, madje edhe ato komuniste, u shkëputën.

Gjatë periudhës së regjimit komunist migrimi jashtë Shqipërisë konsiderohej si një akt tradhëtie dhe si i tillë ndalohej me ligj. Por pavarësisht masave të vendosura nga shteti komunist pati nga ata që guxuan dhe të largoheshin. Një numër shqiptarësh që konkuron viktimat e Murit të Berlinit dhanë jetën në përpjekjen e tyre drejt lirisë.

Emigrimi më i lartë nga Shqipëria ndodhi pikërisht në vitet e para, pas Luftës së Dytë Botërore.Në pjesën më të madhe kundërshtarë politik të qeverisë së re të sapo dalë nga lufta, u larguan në kampet e refugjatëve në Greqi, Itali e Jugosllavi, para se të shpërnguleshin në destinacionet përfundimtare, të zgjedhura ose jo nga autoritetet vendase. Në mesin e viteve 1950 fillim i viteve 1960 një grup i parë i migrantëve të kësaj periudhe mbërriti në tokën amerikane.

Sipas statistikave amerikane gjatë viteve 1931- 1975, janë rreth 2500 (2,438) shqiptarë që janë vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa gjatë viteve 1983 -1990 rreth 300 shqiptare kanë arritur të shkelin në tokën e lirisë amerikane.

Do të ishte pikërisht ky grup i larguar në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist ai që do ti shërbente lëvizjes anti-komuniste të shqiptarëve në Amerikë ku deri në vitin 1967 kishte prurje të refugjatëve shqiptarë drejt Amerikës nga kampet Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Sipas të dhënave migrimet e fundit mund të kenë qenë to të fillimit të viteve 1970, të ardhura nga kampet e Jugosllavisë të cilave ju shtohen ato nga shqiptarë të Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Luginës.

Ka të dhëna se një kategori tjetër, prej rreth 400 shqiptarësh emigruan drejt Australisë në vitet e para që pasuan 1944. Në mënyrë të ngjashme, një kalvar tjetër refugjatësh shqiptarë prej 150-200 vetash mbërriti në Belgjikë në vitin 1956. Në vitin 1967, në Belgjikë numëroheshin rreth 800 refugjatë shqiptarë.

Për ata, që në fjalorin e kohës “arratiseshin” nga Shqipëria masat ndëshkimore të vendosura nga regjimi nuk preknin vetëm individët por edhe familjet që linin pas. Gjatë viteve 1950-1989 mundën të largoheshin nga Shqipëria rreth 20 mijë shtetas shqiptarë.

Diaspora shqiptare prodhoi autoritetet e veta. Ato u vendosën pranë emrave të diasporës më të vjetër si Faik Konica dhe Fan Noli. Nga opozicioni antikomunist figura e Ahmet Zogut ruajti qëndrueshmëri konstante.

Në dëshminë e Hamit Matjanit kam lexuar se ai përmend një shtetas amerikan që dinte shqip “… Për Majkon… Rrinte civil, gradën nuk ia mora vesh, ishte në moshën 30-35 vjeç, mesatar i trashë, syzi dhe flokëzi. Merrej më tepër me krejt përgatitjen e grupeve që futeshin në Shqipëri dhe gjetkë. Gjithashtu, ky i priste dhe i pyeste këto grupe kur ktheheshin nga ato vende. Edhe mua me shokët e mi, si kur u nisa, ashtu edhe kur erdha, ky më mori në pyetje.”

Kur pyeta tim atë për ketë individ ai thjesht më tha të “qepja” gojën. Pas viteve 90-të mësova detaje të tjera. Matjani në dëshminë e tij thotë se Majko ishte nga Borova e Kolonjës (ku në dijeninë time aty nuk ka familje me këtë mbiemër) Ai para vdekjes, me sa duket, i bëri shërbimin e fundit njeriut që njihte.

Nuk jam optimist që jeta është një skenar filmash. Di që ajo është e komplikuar dhe shpesh pa përgjigje për të vërtetat që prodhon Komunizmin në Shqipëri nuk mund të imagjinohet pa klonin e “kufirit”. Ashtu si liria nuk mund të shpjegohet pa diasporën shqiptare.

Ju faleminderit