Fjala e Kryetares Sula në Kuvend, 8 Maj 2019

RAPORTIMI VJETOR PËR VITIN 2018

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

AIDSSH është institucion i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe për sigurimin e aksesit në to për të gjitha subjektet e ligjit nr. 45/2015, në funksion të edukimit të publikut dhe mbështetjes së vlerave demokratike të drejtësisë, të vërtetës, pajtimit dhe përgjegjësisë për gjeneratat e ardhshme.
I krijuar në frymën e Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (2006), sot, 80 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, 75 vjet nga çlirimi i vendit dhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, AIDSSH e zhvillon veprimtarinë e vet në respekt të vlerave europiane e properëndimore, me qasje strategjike që ka në themel të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e tij, lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit dhe shtetin e së drejtës.

AIDSSH e ka mbështetur veprimtarinë e tij dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, duke e vënë kujtesën historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e shoqërive.
Raportimi i sotëm përmbledh punën e bërë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë vitit 2018, ecurinë në 2019 dhe synimet për më tej.

AIDSSH ka hyrë në vitin e tretë të funksionimit, ku mundëson ushtrimin e së drejtës së çdo të interesuari për t’u informuar mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vit me jo pak përpjekje dhe suksese të arritura ditë pas dite: 68 mbledhje dhe 482 vendime, 463 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar, 184 kërkesa për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, 612 aplikime individuale, 172 kërkesa institucionale, studimore dhe mediatike, 57 kërkesa për rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të të vdekurve apo të zhdukurve, në kuadër të plotësimit të objektivit 16 të zhvillimit të qëndrueshëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së OKB-së për Zhdukjet me Forcë, 33.700 fletë dokumente arkivore të deklasifikuara, 82.150 faqe të vëna në dispozicion në 2018.

Kërkesat kanë ardhur në rritje të konsiderueshme, po ashtu aktivitetet e institucionit. Veprimtaria e Autoritetit, në bazë të ligjit organik 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe akteve të tjera ligjore që normojnë funksionimin e institucionit, është fokusuar në tre drejtime kryesore:

Së pari, aksesi i çdo qytetari në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Së dyti, vlerësimi i cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas një hierarkie të parashikuar në ligj, si dhe të gjithë të zgjedhurve nga populli, deputetë dhe të zgjedhur vendorë;

Së treti, krijimi i infrastrukturës së duhur për mundësimin e kërkimit shkencor dhe informimin e medias mbi veprimtarinë dhe historikun e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe ndërtimi i një platforme komunikimi dhe dialogimi mbarëkombëtar, në funksion të edukimit qytetar, duke organizuar tryeza pune me grupe të ndryshme interesi, seminare, ekspozita dokumentare, konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.

Kuadri Ligjor
AIDSSH organizohet dhe funksionon sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr. 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që lidhen ngushtësisht me veprimtarinë e Autoritetit si:
Ligji nr. 45, datë 30.04.2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
Ligji nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”,
Ligji nr. 8457, datë 11.02.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror”, i ndryshuar;
Ligji nr. 9154, datë 06.11.2003, “Për Arkivat”; dhe Normat Tekniko-Profesionale dhe Metodologjike të Shërbimit Arkivor në Republikën e Shqipërisë;
Ligji Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Ligji Nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Shërbimet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.
Ligji 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë” si dhe Vendimi Nr.816/2015, ‘Për miratimin e rregullores për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.
Ligji nr.7514, datë 30.9.1991“Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, (i ndryshuar),
Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtje e të dhënave personale”, i ndryshuar;
Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”;
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, Autoriteti ndihmohet nga Sekretariati Teknik, i cili vepron në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin organik dhe në rregulloren “Për Organizimin dhe Funksionimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, si dhe akte rregullatore të brendshme që normojnë punën e Autoritetit.

RESPEKTIMI DHE PLOTËSIMI I DETYRIMEVE NDËRKOMBËTARE, PËRMBUSHJA E REKOMANDIMEVE TË “PROGRES RAPORTIT” TË BE-SË PËR SHQIPËRINË NGA AIDSSH

Shqipëria është angazhuar për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, nëpërmjet ratifikimit të traktateve ndërkombëtare e rajonale dhe përfshirjes së saj në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara 2030. Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Civile dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut njohin barazinë përpara ligjit dhe elementë të tjerë kyç që forcojnë sistemin e drejtësisë. Republika e Shqipërisë, me ligjin nr. 9882, datë 13.09.2007, ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”. Në këtë kuadër dhe duke u bazuar në detyrat funksionale që i ngarkon ligji 45/2015, AIDSSH është angazhuar aktivisht dhe ka bashkëpunuar me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe institucionet e tjera publike në vend për personat e humbur, Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe vijon të japë kontributin e vet konkret në sigurimin e informacionit dokumentar të lidhur me ta, po ashtu, në ngritjen e çështjes dhe lobimin me institucione publike e ndërkombëtare për avancim të kërkimeve.

Objektivi 16 i zhvillimit të qëndrueshëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, synon shoqëri që jetojnë në paqe dhe gjithëpërfshirëse, akses në drejtësi dhe institucione efektive e të besueshme, si elementë thelbësorë për zhvillimin. Më tej, Kombet e Bashkuara për Shqipërinë pohojnë se forcimi i ligjit, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve në institucionet e drejtësisë dhe përmirësimit të proceseve të drejtësisë tranzicionale, ndihmon sigurimin e së vërtetës, e ridimensionon atë dhe u jep zë viktimave, elemente që vënë themelet për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe në shoqëri. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2018, AIDSSH ka zbatuar programin “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, të fokusuar në zhvillime konkrete sa i takon trajtimit të trashëgimisë së të shkuarës dhe konsolidimit të demokracisë.

Në Raportin e Progresit 2018 të Komisionit Europian për Shqipërinë, vihet theksi në monitorimin e proceseve të bëra nga Shqipëria sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi, mes 5 prioriteteve kyçe, në veçanti vlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingut).

Sa më sipër, AIDSSH ka detyrimin ligjor të verifikimit të pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë, të cilët i janë nënshtruar procesit gjatë vitit 2018. Procesi i vërtetimit të pastërtisë së figurës përfshin shumë institucione dhe synon rritjen e profesionalizmit në të gjitha sferat, konsolidimin e pavarësisë e paanësisë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet.

Po në raportin e KE-së për 2018, Shqipërisë i është kërkuar të ndërmarrë masa efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, – korniza ligjore është ndërtuar në linjë me standardet europiane, – sipas të cilave, vendi ynë ka ratifikuar shumë konventa ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në prioritetin e pestë, Të Drejtat e Njeriut, në dokumentin e Komisionit Europian të datës 17.04.2018, “Albania 2018 Report”, faqe 26, ka një rekomandim për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit” që thotë:

“Sa i përket të drejtës për jetën, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” pas krijimit të tij në qershor të vitit 2017, miratoi një strategji. Pas një vizite në vend në dhjetor të vitit 2016, Grupi i Punës i OKB-së për personat e zhdukur në mënyrë të detyruar apo vullnetare (WGEID) la disa rekomandime për Shqipërinë, për të trajtuar krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Për shembull, WGEID rekomandoi që Shqipëria të njohë zhdukjet e detyruara të së kaluarës dhe të garantojë mospërsëritjen e tyre, duke gjetur një sistem të përshtatshëm. Gjithashtu, kërkoi krijimin e një sistemi që ka qasje gjithëpërfshirëse, në vend të masave të copëtuara, për të shuar gjithë paragjykimet që rezultojnë nga represioni i kaluar politik. Numri i njerëzve që janë rrëmbyer ose burgosur fshehurazi gjatë diktaturës mbetet i panjohur, por vlerësohet të jenë rreth 6 000 persona të zhdukur”.

AIDSSH ka bashkëpunuar me Prokurorinë për fillimin e procedurës së gjetjes dhe identifikimit të vendvarrimeve të personave të zhdukur në diktaturë, si dhe me qeverisjen lokale, duke paraqitur propozime konkrete për vendet e kujtesës.

Gjatë vitit 2018, në adresë të AIDSSH-së janë paraqitur 57 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve. Rezulton se 35 kërkesa janë përfunduar me vendimmarrje të Autoritetit dhe janë në proces verifikimi 22 kërkesa. Ndërkohë, në faqen zyrtare të institucionit janë vendosur aplikacionet për regjistrim të të zhdukurve, që lidhin në një të vetëm institucionet e ngarkuara, AIDSSH, IPP dhe ICMP. Kjo e ka përshkallëzuar procesin, prandaj që nga gushti 2018 deri më sot, numri i aplikimeve për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve në të tre institucionet ka shkuar në 600 të tillë dhe janë identifikuar 32 vendvarrime të reja.

I gjithë kuadri i mësipërm ligjor dhe veprimtaria e deritanishme e AIDSSH-së është në funksion të mbajtjes gjallë të kujtesës mbi të shkuarën, sepse “nuk mund të ketë të vërtetë pa përkujtimin”, që e shkuara të mos përsëritet dhe shoqëria të ushtrojë të drejtën e vet për t’u njohur me të vërtetën.

KONSOLIDIMI I ARKIVIT TË DOKUMENTEVE TË ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT

Me nënshkrimin e Marrëveshjeve me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave janë hartuar Programet e Përbashkëta të Grupeve të Punës ndërmjet institucioneve dhe ka filluar puna për inventarizimin e hollësishëm dhe marrjen në dorëzim të dokumentacionit arkivor, të përcaktuar në nenin 1 të VKM-së nr. 98/2017.

Procesi i marrjes në dorëzim dhe kalimit nën administrim të AIDSSH-së të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, Autoriteti është mbështetur në identifikimin paraprak të bërë nga secili prej institucioneve të mësipërme.

Gjatë vitit 2018, grupi i punës i ngarkuar me detyrën e marrjes në dorëzim ka vijuar procesin e inventarizimit të hollësishëm dhe të marrjes në dorëzim të fondeve arkivore me vlerë ruajtjeje të përhershme nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme.

Procesi i marrjes në dorëzim ka përfshirë verifikimin fletë për fletë të dokumenteve që ndodhen në secilën prej dosjeve, duke bërë ballafaqimin e tyre me të dhënat në inventarët e dosjeve të fondeve arkivore dhe plotësimin e procesverbaleve përkatëse të marrjes në dorëzim. Gjatë procesit të marrjes në dorëzim është kryer edhe verifikimi dhe evidentimi i gjendjes fizike të dokumenteve.

Në funksion të realizimit të detyrimeve ligjore të renditura më lart, AIDSSH ka marrë në administrim të gjitha dokumentet e krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, që janë disa qindra mijëra dosje, mbi 2.2 km dokumente, ku rreth 70% e tyre përbëjnë sekret shtetëror dhe kërkojnë administrim, ruajtje dhe qarkullim sipas ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” dhe akteve të tjera nënligjore. Për këtë arsye, gjithë stafi i AIDSSH-së ka detyrimin ligjor të pajiset me certifikatë sigurie.

Aktualisht, dokumentet arkivore, deri në përfundim të procesit të marrjes në dorëzim, sipas VKM nr. 98/2017 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit nën administrimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe në autoritetet e tjera publike”, fizikisht vazhdojnë të jenë në mjediset e SHISH-it dhe Ministrisë së Brendshme, duke krijuar vështirësi serioze, deri në cenim të pavarësisë së institucionit tonë.

Digjitalizimi i dokumenteve

Digjitalizimi i dokumenteve ka qenë dhe vazhdon të jetë një hallkë e domosdoshme në procesin e trajtimit të kërkesave dhe informimit të qytetarëve e institucioneve mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ky proces i rëndësishëm, edhe gjatë vitit 2018 ka konsistuar në digjitalizimin e dokumenteve dhe mikrofilmave në përmbushjen e kërkesave të ardhura nga individët, institucionet, studiuesit dhe media. Pas procesit të digjitalizimit, dokumentet i janë nënshtruar procedurave të mëtejshme të trajtimit të tyre, siç është anonimizimi i të dhënave sensitive dhe personale.

Për digjitalizimin e dokumenteve dhe mikrofilmave janë përdorur pajisje digjitalizimi profesionale, të dhuruara nga Ambasada Gjermane. Gjatë vitit 2018 janë digjitalizuar gjithsej 119.928 dokumente arkivore.

Në projekt tjetër i rëndësishëm me të cilin është angazhuar sektori i digjitalizimit është edhe ai i krijimit të Arkivit të Dëshmive Gojore. Ky projekt synon të realizojë regjistrimin, ruajtjen, arkivimin dhe vënien në dispozicion të dokumenteve audio-vizuale që sjellin historitë e rrëfyera nga vetë të mbijetuarit dhe të përndjekurit nga regjimi komunist.

Projekti ka filluar më 20 shkurt 2018 dhe deri në fund të dhjetorit janë arkivuar 30 dëshmi, me një total prej 22 orësh regjistrime. Këto regjistrime ruhen në pajisje server të dhuruara nga Ambasada Gjermane në Shqipëri. Projekti do të vijojë, në vend dhe jashtë tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dëshmitë gojore të komunitetit shqiptar të vendosur atje e të përndjekur nga Sigurimi, do të regjistrohen nga Zëri i Amerikës. Procesi është rregulluar me marrëveshje institucionale bashkëpunimi, që zgjeron hartën e individëve të arritur nga AIDSSH dhe pasuron arkivin e dëshmive gojore me materiale audiovizuale autentike.

Informimi

Trajtimi i kërkesave individuale për informim

Në funksion të rritjes së efektivitetit dhe eficiencës së punës për përmbushjen në kohë dhe me cilësi të kërkesave për informim, të paraqitura pranë Autoritetit nga kërkuesit, në cilësinë e personave të interesuar, personave të prekur, palëve të treta, bashkëpunëtorëve apo të favorizuarve nga ish-Sigurimi i Shtetit është zhvilluar gjithë procedura ligjore mbështetur në ligjin 45/2015 në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij ligji, si dhe aktet normuese që rregullojnë veprimtarinë e AIDSSH-së.

Sipas pikës 4 të Planit Strategjik, stafi teknik i AIDSSH ka qenë i kujdesshëm në mbrojtje të privatësisë dhe dispozitave të tjera ligjore përkatëse, por gjithmonë duke u mbështetur fort në vlerat e transparencës që i ka në misionin e vet, duke bërë që ligji i transparencës të prevalojë mbi atë të privatësisë, për aq sa ka qenë e mundur. Mbështetur në këtë parim, jemi përpjekur t’i shpjegojmë dhe të marrim mirëkuptimin e çdo kërkuesi, i cili është paraqitur pranë zyrave të Autoritetit për t’u njohur dhe tërhequr dokumente të krijuara nga ana e organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të gjetur në arkivat e institucionit, se ky proces ka dhe disa detyrime ligjore të cilat i kërkon ligji nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar.

Nisur nga treguesit e pasqyruar në këtë raport vjetor, rezulton se numri i kërkesave individuale për informim të paraqitura në adresë të Autoritetit gjatë vitit 2018 ka prirje në rritje mbi 50% në krahasim me vitin 2017.

• Gjatë vitit 2018, janë paraqitur 612 aplikime nga subjekte në cilësinë e të prekurit apo familjarit të të vdekurit apo zhdukurit;
• Janë përmbyllur procedurat për 305 kërkesa individuale.
• Për 174 kërkesa individuale për të cilat janë mbyllur procedurat, ka rezultuar se ka dokumente të krijuara nga ana e organeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
• Numri i dokumenteve të përpunuara, të njohura dhe dorëzuara te kërkuesit gjatë vitit 2018 është gjithsej 42 149 faqe, nga të cilat 14 983 faqe të anonimizuara.
• Numri i dokumenteve të përpunuara gjatë vitit 2018, të cilat janë njohur dhe dorëzuar te kërkuesit ka arritur në 42.149 faqe, nga të cilat 14.983 faqe të anonimizuara.

Trajtimi i kërkesave për informim për institucionet apo autoritetet publike

Kërkesat e paraqitura në AIDSSH nga institucionet apo autoritetet publike, të cilët janë subjekt i ligjit 45/2015, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, jo vetëm që janë trajtuar me prioritet fillimisht për legjitimitetin e tyre në mbledhje të Autoritet, por ajo që është më e rëndësishmja, rezultatet e verifikimit për çdo rast janë komunikuar institucioneve të cilat kanë paraqitur kërkesën dhe në asnjë rast nuk ka pasur nga ana jonë ndërprerje të procesit të filluar. Vlen të përmendet kryerja në veçanti, e procedurave të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t´u zgjedhur në organet e vettingut dhe atyre për t’u zgjedhur në KLP dhe KLGJ, jo vetëm brenda standardeve të kërkuara dhe në kohë të shkurtër, por më e rëndësishmja, brenda kornizave që i ngarkon ligji. Roli që ligji i njeh Autoritetit në këtë drejtim është mjaftueshmërisht i drejtpërdrejtë, me vënien e informacionit në dispozicion sipas kërkesës dhe jo kompetenca të shtuara mbi kandidatët/zyrtarët për emërim apo promovim në institucione kushtetuese apo autoritete publike. Në këtë kontekst, vlerësimi i rezultateve të verifikimeve të kandidatëve/zyrtarëve mbetet në diskrecion të institucionit kërkues, për sa i takon kushteve penguese për t´u emëruar apo ngritur në detyrë apo për t’u zgjedhur, bazuar edhe në legjislacionin përkatës.

Për vitin 2018 janë trajtuar 67 kërkesa nga të cilat janë verifikuar 463 kandidatë apo zyrtarë, ku:
446 individë rezultojnë negativ (figura të pastra)
17 individë kanë rezultuar pozitiv (figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit në cilësi të ndryshme që nga subjekte procedues, anëtar ose b.p.)

Në rrafshin krahasues, në vitin 2018 ka rritje të numrit të kërkesave, por njëherazi zvogëlim të numrit të personave të verifikuar, për vetë stabilitetin, dinamikën e zhvillimeve dhe rekrutimeve në administratë, pasi vitin pararendës janë ngritur (krijuar) disa institucione të reja, sidomos në drejtësi dhe në procesin elektoral, dhe janë përfshirë në verifikim disa subjekte politike, çka e ka rritur numrin e individëve të verifikuar.

Nga rezultatet e verifikimeve bie në sy numri në rritje i konstatimit të personave me rekorde pozitive, tregues i cilësisë së kërkimit, identifikimit të dokumentacionit dhe stabilitetit të procesit në tërësi, proces i cili në vijimësi do të vijë në përmirësim, duke synuar që në të ardhmen të ulim në mënyrë të ndjeshme numrin e ankesave dhe kontestimeve.

Në ushtrim të veprimtarisë sonë, gjatë këtyre dy viteve kanë rezultuar gjithsej 30 persona pozitiv (figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit kryesisht b.p) nga të cilët, në konkretizim të sa më sipër 13 rezultojnë pozitiv (figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit) vetëm për vitin 2017, ndërsa pjesa tjetër i përkasin rekordeve të vitit 2018.

Hulumtimi Shkencor dhe edukimi qytetar

Veç trajtimit të kërkesave individuale dhe institucionale, puna e Autoritetit është zhvilluar ndjeshëm në dy drejtime kryesore, mbështetjen shkencore dhe edukimin qytetar. Gjatë vitit 2018 ka pasur aktivitet të ngjeshur, i cili reflektohet në rritjen domethënëse të numrit të kërkesave studimore dhe kërkesave të paraqitura nga media të ndryshme, si dhe numri i veprimtarive shkencore e përkujtimore të organizuara në bashkëpunim me partnerë, institucione homologe, komunitetin dhe ish-të përndjekurit e të afërm të tyre, në koordinim të përhershëm me mediat.

Një strategji gjithëpërfshirëse komunikimi që është fokusuar te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH-së në 2018. Institucioni e ka zhvilluar aktivitetin e vet jo vetëm në Tiranë, me vëmendje në datat përkujtimore e personalitetet historike, por ka lëvizur në të gjithë vendin, me bashkëpunime konkrete me komunitetet lokale, si Shkodër, Tepelenë, Konispol, Pukë, Mirditë, Berat, Korçë e Gjirokastër. Po ashtu, jashtë vendit, me marrëveshje bashkëpunimi apo shkëmbime përvojash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Çeki, Poloni, Bullgari, Rumani, Izrael, duke arritur shumë individë, bashkësi dhe institucione të kujtesës.

Arkivi që zotëron AIDSSH ka vlerë historike, po aq sa operative. Si rezultat, puna jonë është organizuar në kuadër të së drejtës për njohje, informim, të kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar, në partneritet me organizmat publike, homologe, institutet e studimeve akademike dhe institucionet e sigurisë kombëtare. Përgjatë 2018-s është konsoliduar bashkëpunimi ndërinstitucional, janë lidhur disa marrëveshjeve bashkëpunimi dhe është punuar aktivisht për hapjen e dialogut lokal në komunitete, duke i shtuar përmasën gjeografike aktiviteteve me bashkitë e përmendura më sipër.

Përkujtimi, në përgjithësi ka pasur synim ekspozimin e materialit arkivor të disponuar, në formë digjitale dhe të përpunuar sipas ligjit të të dhënave personale, me pjesëmarrje aktive të historianëve të fushës dhe periudhës, duke bërë bashkë sa më shumë grupe të shoqërisë, përfshirë rininë.

Mbështetja shkencore bazohet kryesisht në përpunimin e kërkesave individuale të studiuesve dhe medias për qëllime studimore dhe vënies në dispozicion të tyre të dokumentacionit arkivor të kërkuar. Ky proces, sa i thjeshtë në dukje, është njëkohësisht mjaft kompleks, për shkak se ai duhet të kalojë nëpër korridoret e përcaktuara nga disa ligje të rëndësishme, siç janë ligji 45/2015, ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, ligji për dokumentin e klasifikuar, ligji për arkivat, etj.

Edukimi qytetar, me fokus informimin e qytetarëve, ndërgjegjësimin e shoqërisë në përgjithësi dhe e të rinjve në veçanti, është një tjetër objektiv i rëndësishëm i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në funksion të këtij objektivi, duke u mbështetur në kalendarin e kujtesës dhe në detyrat të caktuara nga rezoluta e Kuvendit, AIDSSH ka ndërmarrë dhe ka organizuar një sërë projektesh dhe aktivitetesh gjatë vitit 2018, duke u kthyer në aktor të rëndësishëm të kujtesës kolektive dhe trajtimit të drejtësisë tranzicionale në vend.

Në këtë kuadër, janë materializuar nismat për projekte të kujtesës me organizma ndërkombëtarë e donatorë, si Prezenca e OSBE-së, PNUD në Shqipëri, Ambasada Gjermane, Italiane, Amerikane, Zvicerane, Komisioni Europian, të cilët kanë ofruar mbështetje për Autoritetin, në trajtimin e drejtësisë tranzicionale dhe pozicionit të rëndësishëm të tij në raportin me të shkuarën.
Produkt konkret i këtyre bashkëpunimeve ishin konferenca shkencore ndërkombëtare “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipërinë e viteve 1945-1990” dhe ekspozitat e shumta dokumentare në Tiranë, Konispol dhe Tepelenë, të shoqëruar me dialog me grupet përkatëse të interesit.
Për njohjen me materialet e AIDSSH-së dhe shpërndarjen e tyre, në kuadër të nxitjes së dialogut dhe arritjes së publikut të gjerë, rinisë, studiuesve, të interesuarve të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, ka shërbyer krijimi i dy platformave ndërvepruese të komunikimit Edhe Muret Kanë Veshë, www.evenwallshaveears.org dhe www.dosjet.gov.al, realizimi i njëkohshëm i instalacionit artistik Edhe Muret Kanë Veshë në sheshet qendrore të 6 qyteteve të vendit, bazuar mbi dëshmitë gojore, dhe botimet e Autoritetit.

AIDSSH ka arritur të nxjerrë në dritë, në version letër dhe online, hulumtime të kontekstualizuara mbi personalitete dhe ngjarje historike të lidhura me komunizmin, që nga dëshmitë e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës, studimi mbi të dënuarit e “Kënetës së Maliqit”, ai mbi Sabiha Kasimatin, Studimi kornizë mbi sistemin e burgjeve, internimit dhe punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri e të tjerë.

Studimi i plotë dhe i thelluar i burimeve arkivore autentike të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit është proces i gjatë dhe i vazhdueshëm. Ai është mjeti i vetëm që do të garantojë rishqyrtimin e historisë së errët të strukturave dhe makinacioneve të përdorura nga regjimi komunist për më shumë se 45 vjet në Shqipëri. Ky rishqyrtim e inkurajon dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë dhe arrihet nëpërmjet veprimtarive që publikojnë dokumente mbi personalitete, ngjarje të caktuara historike e përkujtimore, të kontekstualizuara dhe të krahasuara shkencërisht me disa burime.

Në këtë kuadër, në rend kronologjik, më poshtë renditen disa nga aktivitetet kryesore për edukim qytetar, të realizuara nga AIDSSH në 2018:

Nënshkrimi i marrëveshjes me Muzeun “Gjethi” dhe Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, për realizim të aktiviteteve të përbashkëta, mes të cilave ekspozita dokumentare e projekte të përbashkëta, si konferenca për internim-dëbimet e të tjerë.

Bashkëpunime me institucionet homologe në Çeki, Gjermani, Rumani e Poloni, për përmirësimin e mënyrave të informimit të publikut mbi të shkuarën, organizimin e ekspozitave, aplikacioneve dhe faqet online.

Realizimi i fushatave ndërgjegjësuese për të shkuarën, në bashkërendim me artistë bashkëkohorë, për të arritur në sa më shumë njerëz dhe breza të ndryshëm, si:

Fushata “Edhe muret kanë veshë” e dëshmive gojore, me takime në universitete, me intervista dhe emisione televizive, në kuadër të programit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”.
Takime të hapura në universitetet e Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Gjirokastrës, për temat e së kaluarës dhe informim mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Realizimi i instalacionit artistik në sheshet kryesore të 6 qyteteve, në bashkëpunim me partnerët dhe pushtetin lokal.
Krijimi i faqes online “Edhe muret kanë veshë”, në shqip dhe anglisht, që komunikon me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, përmes platformës së dëshmive gojore që rrëfejnë anën tjetër të përndjekjes së Sigurimit të Shtetit.

Aktivitetet Kampi N’dritë në Tepelenë, me projekte artistike-sociale që i afrojnë edhe të rinjtë me vendet e kujtesës dhe i njohin me të shkuarën. Më 23 gusht, përgjatë gjithë ditës kundër totalitarizmit, AIDSSH zhvilloi në Tepelenë: simpozium shkencor mbi kampet e punës së detyruar, ekspozitë dokumentare me dosje, statistika e materiale të përndjekjes së Sigurimit në Tepelenë, ceremoninë e nderimit nga Presidenti i Republikës, për “Merita të Veçanta Civile” të të mbijetuarve të kampit, instalacione e performanca artistike-sociale. Në bashkëpunim me institucione homologe, Autoriteti bëri bashkë në Tepelenë të mbijetuar nga i gjithë vendi, përfaqësues të lartë të pushtetit qendror, lokal dhe ligjvënës, po ashtu shoqata të të drejtave të njeriut dhe të rinj, duke rritur ndërgjegjësimin për vendet e kujtesës, konkretisht kampin e Tepelenës. Aktivitetet u finalizuan me dokumentar mbi kampin e Tepelenës, me dëshmi të të mbijetuarve dhe materiale të siguruara nga AIDSSH për publikun vendas e të huaj.

Zhvillimi i konferencës së parë ndërkombëtare shkencore: “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipërinë e viteve 1945-1990”, AIDSSH, në bashkëpunim me Institutin e Historisë, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, në ndërveprim të gjerë me universitetetet, partnerët vendas, rajonalë dhe të huaj, me rezultate mbresëlënëse të punës studimore, që do të publikohen së shpejti.
Vendosja e emrit “Sabiha Kasimati” Muzeut të Shkencave të Natyrës, me propozim të AIDSSH. Ridimensionimi i figurës së shkencëtares, pas hapjes së dosjes, bërjes së njohur për komunitetit qytetar e shkencor dhe botimin e një libri të plotë mbi figurën e saj.

Pasurimi i Wikipedias shqip me sa më shumë informacion për personalitete dhe ngjarje historike që trajtohen në aktivitetet e Autoritetit.
Shkëmbime përvoje në Yad Vashem, Izrael, mbi mënyrën e trajtojit të kujtesës kolektive, impaktin e së shkuarës në shoqëri, rëndësinë për t’ua kaluar brezave dhe puna sistematike me të shkuarën.

Institucionalizimi i marrëdhënieve të AIDSSH me Federatën Panshqiptare “Vatra’ dhe Zërin e Amerikës për projektin e dëshmive gojore të komunitetit shqiptar të përndjekur në Shqipëri e SHBA nga Sigurimi i Shtetit. Informimi i bashkësisë shqiptare atje dhe pasurimi i arkivit të dëshmive gojore, i cili vihet në dispozicion të qytetarëve dhe kërkuesve shkencorë, krahas dosjeve të Sigurimit të Shtetit për ta.

Ekspozita,

Ekspozitat dokumentare janë një formë tjetër e rëndësishme e qasjes së AIDSSH-së në funksion të informimit mbi dokumente e ish-Sigurimit dhe edukimit qytetar. Ato janë organizuar duke paraqitur përpara qytetarëve dhe grupeve të interesit dokumente autentike arkivore sipas tematikave të përzgjedhura dhe duke asistuar me staf të specilizuar. Gjatë vitit 2018 janë organizuar ekspozitat e mëposhtme dokumentare:

-“45 vjetori i revoltës së Spaçit”, ekspozitë dokumentare me dosje/dokumente të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit për repartin 313, Spaç, më 17 maj 2018.

-Ekspozitë dokumentare me dosje/dokumente të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit për zonën e Konispolit, më 13 qershor 2018. 40 dosje formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtorësh u deklasifikuan dhe u bënë publike për herë të parë, për 46 viktima të evidentuara.

-Ekspozitë dokumentare me dosje/dokumente të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit për zonën e Tepelenës, më 20 gusht 2018, në Tiranë, pranë AIDSSH, me prani të studiuesve, medias dhe shoqatave të të drejtave të njeriut.

-Ekspozita në Tiranë dhe Memaliaj i materialeve arkivore të AIDSSH, 5-6 tetor për rezistencën antikomuniste të Zhapokikës, në bashkëpunim me institucionet homologe, pushtetin lokal dhe komunitetin vendas. Informim i qytetarëve dhe plotësim i formularëve në aktivitet.

-Ekspozita “Mbikëqyr, terrorizo, përndiq” në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, bashkëpunim i AIDSSH-së me Autoritetin Gjerman të Dosjeve dhe KAS. Ekspozita u paraqit edhe në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, bisedë me ish-të burgosur të Burrelit dhe paralelet mes dy realiteteve komuniste.

Siguria dhe Zhvillimi Teknologjik

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë veprimtarisë së tij është ndeshur me dokumente dhe informacione të klasifikuara dhe ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, sipas rastit dhe nivelit të klasifikimit.

Tashmë kemi një personel të trajnuar nga DSIK për aspekte të përgjithshme dhe të veçanta të punës me informacionin e klasifikuar, por jo vetëm, dhe në këtë kontekst, zbatimi i akteve nënligjore lidhur me hyrjen, daljen, regjistrimin, qarkullimin, administrimin e informacionit të klasifikuar ka qenë prioritet.

Gjithashtu regjistrimi, administrimi shfrytëzimi, shumëfishimi dhe arkivimi i të gjitha dokumenteve të klasifikuara që qarkullojnë brenda AIDSSH-së, bëhet sipas të njëjtave rregullave të sipërcituara me ato që dërgohen nga Autoriteti dhe me ato që futen nga institucionet e tjera në Autoritet.

Kryesisht shfrytëzimi i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” bëhet me qëllim ushtrimin e një detyre në bazë të parimit “nevojë për njohje”, vetëm nga persona të certifikuar përshtatshmërisht, të cilët ruajnë konfidencialitetin dhe autenticitetin e informacionit që përpunohet.

Në ndihmë të marrjes së informacionit rreth interesit të qytetarëve për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në faqen zyrtare http://autoritetidosjeve.gov.al/ shërbejnë statistikat e vizitorëve të faqes, të cilat mundësohen nga Google. Në këtë kuadër, hartohen raporte mujore bazuar në këto statistika, të cilat mund të jenë të përgjithshme apo të bazuara në shtete/qytete, grupmosha, gjini, gjuhë, seksione të ndryshme të faqes, etj.

Dëshmitë janë pjesë e arkivit digjital të institucionit dhe ruhen me standarde bashkëkohore, krahas arkivit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Platforma ndërvepruese e komunikimit www.dosjet.gov.al dhe libri “Kur Sigurimi merrej me shkencë” prezantojnë mundësi të njohjes me informacionin mbi dosjet e Sigurimit nga të rinjtë, studiuesit apo të interesuarit e tjerë.

Ndërtimi i Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System)
Ky sistem ka për qëllim të menaxhojë dhe automatizojë operacionet e AIDSSH-së duke mbështetur cdo kërkesë drejtuar Autoritetit nga qytetarë, qeveria ose institucionet e pavarura, mediat, hulumtuesit etj. Ka filluar puna për hartimin e projektit me të gjitha specifikimet teknike, për të vijuar më tej me implementimin dhe zhvillimin e sistemit.

Arkivi digjital mundëson menaxhimin e të dhënave, indeksimin dhe ruajtjen digjitale të tyre, si dhe do të mbështesë proceset tipike të punës duke nisur nga para-arkivimi, transferimi dhe proçesimi i të dhënave deri te ruajtja dhe kërkimi i tyre.

Mbi problematikat e ndeshura në veprimtarinë e AIDSSH me qëllim gjetjen e rrugëve më efikase për zgjidhjen e tyre nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave

Për realizimin e sa më sipër janë kaluar jo pak sfida. Duke e vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe duke shpresuar realisht në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve, më poshtë renditen shqetësimet dhe nevojat prioritare për mirëfunksionimin e institucionit, mes të cilave:

– Plotësimi i strukturës së miratuar nga Kuvendi. Aktualisht, Autoriteti i kryen funksionet e veta me 50 % të stafit, fakt që na përball me radhë të gjata, rrit kohën e pritjes për marrje shërbimesh dhe ndikon proceset tona të përditshme të punës. Për këtë, është e nevojshme të respektohet Vendimi nr. 95/2016 i Kuvendit të Shqipërisë “Mbi miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish­ Sigurimit të Shtetit”, për 60 (gjashtëdhjetë) punonjës që duhet të ishin. Shpenzimet për paga dhe investime nuk krijojnë kushtet e nevojshme të punës, kur ndodhemi përpara një situate me numër të shtuar të kërkesave individuale, institucionale dhe nga studiues e media gjatë vitit 2018 dhe prirjen në rritje të këtyre kërkesave në fillimin e vitit 2019, duke përmendur që ky është viti i zgjedhjeve për pushtetin vendor apo vetingut në Policinë e Shtetit.

– Krijimi i kushteve optimale për ushtrimin e veprimtarisë së AIDSSH-së, në dhënien e fondeve përkatëse për rikonstruksionin e godinës së re, ku nëse do të konsiderojmë faktorët që sjellin riskun e lartë fizik dhe sigurinë që mbart në vetvete fondi arkivor i shpërndarë në institucione të ndryshme, përfshirë këtu mungesën e kushteve fizike optimale, temperaturat e larta që ndikojnë negativisht në ruajtjen e dokumenteve arkivore dhe mungesën e eficiencës në punë të administratës së AIDSSH-së gjatë procesit të administrimit të dokumentacionit arkivor të kërkuar nga subjektet e parashikuara nga zbatimi i ligjit 45/2015, e bëjnë mëse të domosdoshme ndërhyrjen urgjente të Qeverisë në këtë drejtim. Rikujtojmë detyrimin e Qeverisë për të plotësuar kushtet e punës për plotësimin e strukturës, dhe fonde për investime në zbatim të ligjit organik 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, neni 7, pika 6, ku thuhet “Autoriteti, me kërkesën e tij, pajiset nga Këshilli i Ministrave me mjedise dhe i krijohen kushtet e nevojshme të punës“.

– Është në të mirën e punës së funksionimit me përbërje të plotë të Anëtarësisë së Autoritetit, zhvillimi i procedurave të nisura nga Kuvendi për zëvendësimin e një prej anëtarëve të Autoritetit, i cili ka mëse një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe ende nuk kanë përfunduar procedurat, fakt ky që vështirëson vendimmarrjen kolegjiale të institucionit.

– Është i nevojshëm ndryshimi i VKM-së nr. 187, datë 8/3/2018, në mënyrë që punonjësit e arkivit të AIDSSH-së të përfitojnë shtesën për kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin.

Mbetemi shpresëplotë se bashkëpunimi dhe koordinimi me strukturat e Kuvendit të Shqipërisë do të shërbejë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të renditura më lart, që do të krijojnë mundësinë e funksionimit normal të punës, por në të njëjtën kohë, na vendos përpara detyrave të rëndësishme që të gjithë bashkë duhet të realizojmë për përmbushjen me sukses të misionit të AIDSSH-së.

Për këtë, AIDSSH shpreh nevojën edhe për disa ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e tij, në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe autoritetet publike, si:

– Ndryshime të mundshme në Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”
Nisur nga eksperiencat më të mira të institucioneve homologe në vendet e Evropës Lindore, nisur nga përgjegjësia për shërbim sa më cilësor qytetarëve, institucioneve, studiuesve dhe medias, si dhe praktikave të krijuara në zbatimin e ligjit 45/2015, AIDSSH po punon për përmirësimin e ligjit, duke bërë disa shtesa apo ndryshime në nene të veçanta të ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, që do të rregullojnë dhe do të mundësojnë produkt më cilësor të institucionit. Këto propozime, pas trajtimit të posaçëm dhe miratimit përfundimtar në Autoritet, i përcillen Kuvendit të Shqipërisë.

– Ndryshime të mundshme në ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ.
Është vetë institucioni i MEPJ që, mbi bazën e këtyre ndryshimeve ligjore (nëse do të miratohen nga legjislatori), do të ndërhyjë në dispozita të veçanta në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si në procedurat e rekrutimit në Shërbimin e Jashtëm.

– Ndryshime të mundshme në Ligjin 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Autoriteti, mbi bazën e informacionit, dijeve dhe eksperiencës teknike të përftuar si përvojë nga zgjedhjet e kaluara, ka përgatitur një draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, ku mbetemi të hapur dhe për variante të tjera të mundshme, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, të cilat besojmë se komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore do t’i materializojë në dispozita të reja ligjore. Ky draft i është përcjellë gjatë muajit nëntor 2018 edhe Kuvendit të Shqipërisë.

– Ndryshime të mundshme në Vendimin nr.188 datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe në Pyetësorin e Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit

Autoriteti vlerëson dhe e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionin e DSIK-së, për të punuar së bashku, lidhur me disa shtesa apo ndryshime që mund t’i bëhen Vendimit nr. 188 datë 04.03.2015, “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe Pyetësorit të Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit.

Sa më sipër, këto ndryshime ligjore i janë bërë prezent dhe dërguar Komisionit të Ligjeve, njëherazi referuar praktikave të krijuara, problematikave të shfaqura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të këtij institucioni, si dhe në kuadër të vendosjes së standardeve dhe unifikimit apo përafrimit të legjislacionit midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese apo të pavarura, është parësor bashkëpunimi ndërinstitucional, ku AIDSSH është i gatshëm të jetë pjesë edhe e grupeve të punës mbi reformën në sistemin zgjedhor, partitë politike, etj.

SYNIMET PËR TË ARDHMEN

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit udhëhiqet nga misioni e tij ligjor për dhënien e informacionit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (si dhe Rezoluta e Parlamentit Evropian të 2 Prillit 2009 mbi ndërgjegjen dhe totalitarizmin).

Vizioni i Autoritetit është të sigurojë një platformë të besueshme, për të aksesuar trashëgiminë e madhe dokumentare të ish-Sigurimit të Shtetit; angazhimi i qytetarëve shqiptarë të të gjitha prejardhjeve duke siguruar të dhëna, informacion dhe kontekst nga arkivat e Sigurimit mbi përvojën e shtypjes komuniste; shërbimi si burim i arritshëm dhe jetik për të vlerësuar eksperiencën shqiptare në komunizëm në mënyrë që ajo të mos përsëritet në të ardhmen.

Duke dhënë informacion mbi aktivitetet e Sigurimit, Autoriteti synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për regjimin komunist në mënyrë që të ndihmojë në parandalimin e jotolerancës, ekstremizmit, lëvizjeve anti-demokratike dhe përsëritjen e sundimit totalitar në të ardhmen; të inkurajojë një diskutim të hapur për të kaluarën komuniste dhe pasojat e saj, bazuar në transparencë, integritet, bashkëpunim me individë dhe institucione dhe inkurajuar angazhimin publik duke mbështetur vlerat demokratike të drejtësisë, të vërtetës dhe përgjegjësisë për gjeneratat e ardhshme.

Dokumenti i Strategjisë për vitet 2017-2020 shërben si dokument udhëzues për aktivitetet e Autoritetit dhe ka për qëllim të drejtojë dhe përqendrojë aktivitetet e tij, duke mundësuar gjithashtu rishikime periodike të qëllimeve dhe objektivave të tij.

Synimet për të ardhmen bazohen në vizionin e institucionit, realizimin e misionit të tij, dhe përmbushjen e objektivave strategjikë të përmendur më sipër, e të detajuar në kapitullin pasardhës dhe kanë të bëjnë:

1. Përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues.
2. Plotësimin e structure/ organikës së AIDSSH-së.
3. Ngritjen e infrastrukturës ligjore dhe logjistike në procesin e transferimit të dokumentacionit të disponueshëm nga AIDSSH nga vendruajtjet aktuale në godinën e re të Autoritetit.
4. Realizimin e dy konferencave në vit dhe dy dialogjeve lokalë.
5. Indeksimin digjital i dokumentacionit të administruar nga ana jonë,
6. Deklasifikimin në total të dosjeve, duke përjashtuar ato që cënojnë sigurinë kombëtare,
7. Zhvillimin e procedurave ligjore për trajtimin dhe përmbylljen e 1000 kërkesave në vit.
8. Shkurtimin e afateve kohore i shërbimit të dokumentacionit, në funksion të përgjigjes së kërkesave të paraqitura nga subjektet e interesuara,
9. Uebsite funksional www.dosjet.gov.al dhe për burgjet e kampet e internimeve në vend.

Autoriteti synon të jetë një organ profesional efektiv, me personel të angazhuar dhe të kualifikuar, të aftë për të vendosur partneritete me homologë vendas dhe ndërkombëtarë.

Faleminderit.