Fjala e Kryetares Gentiana Sula në Kuvend – Raportimi për Vitin 2018

Të nderuar deputetë,

Raportimi i sotëm përmbledh punën e bërë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë vitit 2018, ecurinë në 2019 dhe synimet për më tej.

I krijuar në frymën e Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (2006), sot, 80 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, 75 vjet nga çlirimi i vendit dhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, AIDSSH e zhvillon veprimtarinë e vet në respekt të vlerave europiane e properëndimore, me qasje strategjike që ka në themel të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e tij, lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit dhe shtetin e së drejtës.

AIDSSH ka hyrë në vitin e tretë të funksionimit, ku mundëson ushtrimin e së drejtës së çdo të interesuari për t’u informuar mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vit me jo pak përpjekje dhe suksese të arritura ditë pas dite: 68 mbledhje dhe 482 vendime, 463 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar, 184 kërkesa për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, 612 aplikime individuale, 172 kërkesa institucionale, studimore dhe mediatike, 57 kërkesa për rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, në kuadër të plotësimit të objektivit 16 të zhvillimit të qëndrueshëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së OKB-së për Zhdukjet me Forcë, 33.700 fletë dokumente arkivore të deklasifikuara, 82.150 faqe të vëna në dispozicion në 2018.

Kërkesat kanë ardhur në rritje të konsiderueshme, po ashtu aktivitetet e institucionit. Veprimtaria e Autoritetit, në bazë të ligjit organik 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe akteve të tjera ligjore që normojnë funksionimin e institucionit, është fokusuar në tre drejtime kryesore:

Së pari, aksesimi i çdo qytetari në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Së dyti, vlerësimi i cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas një hierarkie të parashikuar në ligj, si dhe të gjithë të zgjedhurve nga populli, deputetë dhe të zgjedhur vendorë;

Së treti, krijimi i infrastrukturës së duhur për mundësimin e kërkimit shkencor dhe informimin e medias mbi veprimtarinë dhe historikun e ish-Sigurimit të Shtetit.

Arkivi

Në funksion të realizimit të detyrimeve ligjore të renditura më lart, AIDSSH ka marrë në administrim gjithë dokumentet e krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, që janë disa qindra mijëra dosje mbi 2.2 km dokumente, ku rreth 70% e tyre përbëjnë sekret shtetëror dhe kërkojnë administrim, ruajtje dhe qarkullim sipas ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” dhe akteve të tjera nënligjore. Për këtë arsye, gjithë stafi i AIDSSH-së ka detyrimin ligjor të pajiset me certifikatë sigurie.

Aktualisht, dokumentet arkivore, megjithëse ka përfunduar procesi i marrjes në dorëzim, sipas VKM nr. 98/2017 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit nën administrimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të  materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe në autoritetet e tjera publike”, fizikisht vazhdojnë të jenë në ambientet e SHISH-it dhe Ministrisë së Brendshme, duke krijuar vështirësi serioze, deri në cenim të pavarësisë së institucionit tonë.

Informimi

Tregues kryesorë të fluksit të punës së deritanishme të AIDSSH-së:

Kërkesa individuale rreth 1000, për rreth 700 prej tyre ka përfunduar procesi.

Produkt i kërkesave institucionale, 1300 zyrtarë të verifikuar për dhënien e informacionit mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Rreth 200 kërkesa nga studiues dhe media. Janë shërbyer qindra dosje dhe janë digjitalizuar mbi 150 mijë faqe dokumente.

Që nga krijimi e deri më sot, në adresë të Autoritetit janë paraqitur rreth 80 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, pjesa më e madhe të përfunduara, në proces verifikimi 22 kërkesa.

Gjatë vitit 2019, për shkak të ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit dhe për faktin që është vit zgjedhor, pritet dhjetëfishim i punës së Autoritetit.

Kërkimi shkencor dhe edukimi qytetar

Një strategji gjithëpërfshirëse komunikimi që është fokusuar te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH-së në 2018. Institucioni e ka zhvilluar aktivitetin e vet jo vetëm në Tiranë, me vëmendje në datat përkujtimore e personalitetet historike, por ka lëvizur në të gjithë vendin, me bashkëpunime konkrete me komunitetet lokale, si në Shkodër, Tepelenë, Konispol, Pukë, Mirditë, Berat, Korçë e Gjirokastër. Po ashtu, jashtë vendit, me marrëveshje bashkëpunimi apo shkëmbime përvojash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Çeki, Poloni, Bullgari, Rumani, Izrael, duke arritur shumë individë, bashkësi dhe institucione të kujtesës.

Përkujtimi, në përgjithësi ka pasur synim ekspozimin e materialit arkivor të disponuar, në formë digjitale dhe të përpunuar sipas ligjit të të dhënave personale, me pjesëmarrje aktive të historianëve të fushës dhe periudhës, duke bërë bashkë sa më shumë grupe të shoqërisë, përfshirë rininë.

Arkivi që zotëron AIDSSH ka vlerë historike, po aq sa operative. Si rezultat, puna jonë është organizuar në kuadër të së drejtës për njohje, informim, të kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar, në partneritet me organizmat publike, homologe, institutet e studimeve akademike dhe institucionet e sigurisë kombëtare. Përgjatë 2018-s është konsoliduar bashkëpunimi ndërinstitucional, janë lidhur disa marrëveshjeve bashkëpunimi dhe është punuar aktivisht për hapjen e dialogut lokal në komunitete, duke i shtuar përmasën gjeografike aktiviteteve me bashkitë e përmendura më sipër.

Po ashtu, janë materializuar nismat për projekte të kujtesës me organizma ndërkombëtarë e donatorë, si Prezenca e OSBE-së, PNUD në Shqipëri, Ambasada Gjermane, Italiane, Amerikane, Zvicerane, Komisioni Europian, të cilët kanë ofruar mbështetje për Autoritetin, në kuadër të drejtësisë tranzicionale dhe pozicionit të rëndësishëm të tij në raportin me të shkuarën.

Produkt konkret i këtyre bashkëpunimeve ishin konferenca shkencore ndërkombëtare “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipërinë e viteve 1945-1990”, ekspozitat e shumta dokumentare, krijimi i dy platformave ndërvepruese të komunikimit Edhe Muret Kanë Veshë, www.evenwallshaveears dhe www.dosjet.gov.al, realizimi i njëkohshëm i instalacionit artistik Edhe Muret Kanë Veshë në sheshet qendrore të 6 qyteteve të vendit, bazuar mbi dëshmitë gojore, dhe botimi i shumë hulumtimeve të kontekstualizuara mbi personalitete dhe ngjarje historike të lidhura me komunizmin, si dëshmitë e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës, studimi mbi të dënuarit e “Kënetës së Maliqit”, ai mbi Sabiha Kasimatin, Studimi kornizë mbi sistemin e burgjeve, internimit dhe punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri e të tjerë.

Për realizimin e sa më sipër janë kaluar jo pak sfida. Duke e vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe duke shpresuar realisht në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve, më poshtë renditen shqetësimet dhe nevojat prioritare për mirëfunksionimin e institucionit, mes të cilave:

  • Plotësimi i strukturës së miratuar nga Kuvendi. Aktualisht, Autoriteti i kryen funksionet e veta me 50 % të stafit, fakt që na përball me radhë të gjata, rrit kohën e pritjes për marrje shërbimesh dhe ndikon proceset tona të përditshme të punës. Për këtë, është e nevojshme të respektohet Vendimi 95/2016 i Kuvendit të Shqipërisë “Mbi miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish­ Sigurimit të Shtetit”, për 60 (gjashtëdhjetë) punonjës që duhet të ishin. Shpenzimet për paga dhe investime nuk krijojnë kushtet e nevojshme të punës, kur ndodhemi përpara një situate me numër të shtuar të kërkesave individuale, institucionale dhe nga studiues e media gjatë vitit 2018 dhe prirjen në rritje të këtyre kërkesave në fillimin e vitit 2019, duke përmendur që ky është viti i zgjedhjeve për pushtetin vendor apo vetingut në Policinë e Shtetit.
  • Krijimi i kushteve optimale për ushtrimin e veprimtarisë së AIDSSH-së, në dhënien e fondeve përkatëse për rikonstruksionin e godinës së re, ku nëse do të konsiderojmë faktorët që sjellin riskun e lartë fizik dhe sigurinë që mbart në vetvete fondi arkivor i shpërndarë në institucione të ndryshme, përfshirë këtu mungesën e kushteve fizike optimale, temperaturat e larta që ndikojnë negativisht në ruajtjen e dokumenteve arkivore dhe mungesën e eficiencës në punë të administratës së AIDSSH-së gjatë procesit të administrimit të dokumentacionit arkivor të kërkuar nga subjektet e parashikuara nga zbatimi i ligjit 45/2015, e bëjnë mëse të domosdoshme ndërhyrjen urgjente të Qeverisë në këtë drejtim. Rikujtojmë detyrimin e Qeverisë për të plotësuar kushtet e punës për plotësimin e strukturës, dhe fonde për investime në zbatim të ligjit organik 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, neni 7, pika 6, ku thuhet “Autoriteti, me kërkesën e tij, pajiset nga Këshilli i Ministrave me mjedise dhe i krijohen kushtet e nevojshme të punës“.
  • Është në të mirën e punës së funksionimit me përbërje të plotë të Anëtarësisë së Autoritetit, zhvillimi i procedurave të nisura nga Kuvendi për zëvendësimin e një prej anëtarëve të Autoritetit, i cili ka mëse një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe ende nuk kanë përfunduar procedurat, fakt ky që vështirëson vendimmarrjen kolegjiale të institucionit.
  • Është i nevojshëm ndryshimi i VKM-së nr. 187, datë 8/3/2018, në mënyrë që punonjësit e arkivit të AIDSSH-së të përfitojnë shtesën për kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin.

Mbetemi shpresëplotë se bashkëpunimi dhe koordinimi me strukturat e Kuvendit të Shqipërisë do të shërbejë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të renditura më lart, që do të krijojnë mundësinë e funksionimit normal të punës, por në të njëjtën kohë, na vendos përpara detyrave të rëndësishme që të gjithë bashkë duhet të realizojmë për përmbushjen me sukses të misionit të AIDSSH-së.

Për këtë, AIDSSH shpreh nevojën edhe për disa ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e tij, në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe autoritetet publike, si:

  • Ndryshime të mundshme në Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”

Nisur nga eksperiencat më të mira të institucioneve homologe në vendet e Evropës Lindore, nisur nga përgjegjësia për shërbim sa më cilësor qytetarëve, institucioneve, studiuesve dhe medias, si dhe praktikave të krijuara në zbatimin e ligjit 45/2015, AIDSSH po punon për përmirësimin e ligjit, duke bërë disa shtesa apo ndryshime në nene të veçanta të ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, që do të rregullojnë dhe do të mundësojnë produkt më cilësor të institucionit. Këto propozime, pas trajtimit të posaçëm dhe miratimit përfundimtar në Autoritet, i përcillen Kuvendit të Shqipërisë.

  • Ndryshime të mundshme në ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ.

Është vetë institucioni i MEPJ që, mbi bazën e këtyre ndryshimeve ligjore (nëse do të miratohen nga legjislatori), do të ndërhyjë në dispozita të veçanta në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si në procedurat e rekrutimit në Shërbimin e Jashtëm.

  • Ndryshime të mundshme në Ligjin 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. 

Autoriteti, mbi bazën e informacionit, dijeve dhe eksperiencës teknike të përftuar si përvojë nga zgjedhjet e kaluara, ka përgatitur një draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, ku mbetemi të hapur dhe për variante të tjera të mundshme, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, të cilat besojmë se komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore do t’i materializojë në dispozita të reja ligjore. Ky draft i është përcjellë gjatë muajit nëntor 2018 edhe Kuvendit të Shqipërisë.

  • Ndryshime të mundshme në Vendimin nr.188 datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe në Pyetësorin e Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit

Autoriteti vlerëson dhe e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionin e DSIK-së, për të punuar së bashku, lidhur me disa shtesa apo ndryshime që mund t’i bëhen Vendimit nr. 188 datë 04.03.2015, “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe Pyetësorit të Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit.

Sa më sipër, referuar praktikave të krijuara, problematikave të shfaqura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të këtij institucioni, si dhe në kuadër të vendosjes së standardeve dhe unifikimit apo përafrimit të legjislacionit midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese apo të pavarura, është parësor bashkëpunimi ndërinstitucional, ku AIDSSH është i gatshëm të jetë pjesë edhe e grupeve të punës mbi reformën në sistemin zgjedhor, partitë politike, etj.

Synimet e AIDSSH-së në të ardhmen kanë të bëjnë me:

-Përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues;

-Plotësimin e strukturë/organikës së AIDSSH-së;

-Ngritjen e infrastrukturës ligjore dhe logjistike në procesin e transferimit të dokumentacionit të disponueshëm nga AIDSSH, nga vendruajtjet aktuale në godinën e re të Autoritetit;

-Deklasifikimin në total të dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare;

-Zhvillimin e procedurave ligjore për trajtimin dhe përmbylljen e 1000 kërkesave në vit;

-Shkurtimin e afateve kohore të shërbimit të dokumentacionit, në funksion të përgjigjes së kërkesave të paraqitura nga subjektet e interesuara;

-Indeksimin digjital të dokumentacionit të administruar nga ana jonë;

-Realizimin e dy konferencave në vit dhe dy dialogëve lokalë;

-Uebin funksional www.dosjet.gov.al, po ashtu dhe për burgjet e kampet e internimeve në vend.

Autoriteti synon të jetë një organ profesional efektiv, me personel të angazhuar dhe të kualifikuar, të aftë për të vendosur partneritete me homologë vendas dhe ndërkombëtarë.