Fjala e hapjes e kryetares Sula

Debat publik me qasje europiane, i bazuar në dokumente dhe fakte, në filtrin e disiplinës shkencore

Fjala e hapjes në Konferencën shkencore “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990”

Emigracioni në vetvete është temë e ditës, por ne nuk do të ndalemi tek emigracioni në vetvete.

Do të shkojmë pas në kohë, në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, kur emigrantët trokitën për vite me radhë në dyer që nuk u ishin hapur. Por as nuk ktheheshin dot pas, meqenëse edhe dyert nga dolën ishin mbyllur e ngrinin gracka. Do të flasim për monizëm, kur emigracioni nuk konsiderohej si urë e fortë komunikimi dhe lehtësimi shkëmbimesh, por si rrugë infektimi me “viruse” lirie, që binte ndesh me politikën izoluese, duke rrezikuar kupolën e kohës dhe vetë regjimin komunist.

Sot do t’i “falim” folësit që rëndom mund të përdorin epitetet e Sigurimit, mes të cilëve “i arratisur”.

Pak kontekst

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore përkoi me lëvizje demografike në Europë. Miliona gjermanë lanë tokat në Europën Qendrore e Lindore, hebrenjtë lanë vendet e vuajtjes për vende më të sigurta, dhe jokomunistët ikën që t’i shpëtonin regjimeve të dhunshme komuniste që u vendosën në vendet e tyre. Nga Shqipëria po ashtu pati ikje të konsiderueshme.

Fati i këtyre miliona të zhvendosurve në Europën e prekur thellë nga lufta qe shumë i vështirë. Ndonëse Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u garantonte mbrojtje nga persekucioni dhe mohimi i nënshtetësisë, apo Konventa e Gjenevës për Refugjatët e vitit 1953 u garantonte të drejtat e riatdhesimit, përsëri gjendja e tyre mbetej shumë e paqartë, sidomos sepse pas kapjes së vendeve të Europës Qendrore e Lindore nga komunistët, ata i rezistuan riatdhesimit në një masë të madhe, duke tentuar të udhëtonin në SHBA.

Vetë politikat migratore të SHBA u përcaktuan në atë kohë nga konfliktet që buruan nga Lufta e Ftohtë. Kështu, në 1948, një akt për të zhvendosurit dhe një program i posaçëm “për të ikurit” u ofroi një vend të qetë banimi të ikurve nga regjimet komuniste.

Thellimi i konfliktit Lindje-Perëndim dhe vitet e para të Luftës së Ftohtë krijuan kontekst të mjaftueshëm për një tjetër reformë legjislative në SHBA, Ligjin e Shpëtimit të Refugjatëve, që në vitin 1953 lejoi pranimin përgjatë tre viteve, të 214.000 refugjatëve, ku thuajse 70% vinin nga vendet komuniste.

Në 1959, disa refugjatë të vështirë mbaheshin ende në kampet e Europës. Në këtë kohë, Kombet e Bashkuara lançuan projektin ambicioz që e shpallte vitin 1959-1960 “Vit Botëror të Refugjatëve” dhe synonte mbylljen përfundimtare të kampeve të refugjatëve në Europë. Besojmë se me pak përjashtime, të ikurit nga Shqipëria i përkisnin pikërisht kategorisë së fundit.

Po në Shqipëri, si shkuan punët?

Pikërisht në vitin 1959 u kalua një dekret në formë amnistie, nga i cili u përjashtuan në atë kohë rreth 208 persona, që u cilësuan “kriminelë lufte”. Në fakt, u riatdhesuan gjatë gjithë periudhës vetëm 60 persona, dhe iu hoq stigma “i arratisur” vetëm rreth 190 vetëve.

Për të tjerët dhe familjet e tyre, Sigurimi i Shtetit vendosi një regjim të rreptë mbikëqyrjeje dhe represioni.

Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave. Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë. Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948.

Rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në këtë përpjekje.

Ikjet u kryen më shumë nga Gjirokastra (1399), Shkodra (924), Saranda (859), Korça (729), Kukësi (777), Vlora (436), Dibra (520), Tropoja (402) e më pas Tirana, me 333, Erseka (214), Pogradeci (178), Puka (184), Durrësi (161).

Rreth 4785 u larguan nga ambasadat, me valën e parë të 2 korrikut 1990. Më tej shteti filloi të emetonte pasaporta dhe të lejonte daljen nga Shqipëria, përmes ikjeve masive, që në fakt janë dhe imazhet më të fuqishme të denoncimit të një sistemi jonjerëzor.

Kjo histori, për shumë nga ne mund të duket e largët, nëse nuk e lidhim drejtpërdrejt me histori njerëzore. Fakti është që sot ka shumë prej tyre që jetojnë dhe kanë shumë pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje për fatet përkatëse, për stigmën “i arratisur”, apo për “futjen në një thes”, si të implikuar me pushtuesit, ndonëse rreth 200 prej tyre ishin kategorizuar si të tillë.

Më lejoni të ndaj me ju historinë e jashtëzakonshme të një zonje të nderuar, Mri Mrnaçaj.

Atë e takuam në Nju Jork, ku na priti si një sovrane, e rrethuar nga oborri i saj, me djem e vajza, nipër e mbesa. Një familje patriote që i dha jetë e rini lëvizjes për të drejta kombëtare dhe liri në Amerikë. Dosjet e Sigurimit për personazhet e kësaj sage po zbardhen.

Historia e saj e rrallë fillon në kohën kur në moshën 5-vjeçare largohet nga trojet e lashta në malësi, ku i ati ishte bajraktar i nderuar, duke lënë në flakë kullën e saj dhe babanë që digjej tragjikisht brenda. Arsyeja ishte se bindjet e familjes dhe gjinisë nuk përputheshin me mënyrën se si e mendonte jetën dhe progresin udhëheqja komuniste e kohës. Mënyra e jetesës dhe patriarkalizmi i tyre që nuk iu përkul as pushtuesit osman, i vuri në përballje për jetë a vdekje me “forcat e ndjekjes”, ose me të vetmen alternativë: largimin pa kthim nga vendi, për atë që do të mundej.

Mrija sot tregon për “Edhe muret kanë veshë” një histori që veshët tanë nuk kanë mundur ta dëgjojnë më parë, për shkak të izolimit dhe largësisë, ndonëse shtëpia e saj është një copë Shqipërie në SHBA…

Atë të endjes pa atdhe për më shumë se 10 vjet në kampet e Europës, deri në vendosjen në Amerikë; dhimbjen për humbjen e njerëzve të dashur, ndarjen nga familja, nga trojet e lashta…

Si Mrija, në SHBA, Belgjikë, Egjipt, Itali, etj., kemi ndeshur gjurmë të vuajtjes e mohimit të atdheut, ankthit për përndjekjen e familjes që mbeti pas, që u internua në kampet e punës së detyruar apo në fushat e Myzeqesë, duke vuajtur gjithnjë stigmën e “armikut të popullit”, meqë familja i përket një të “arratisuri”; shpeshherë, edhe sot e kësaj dite, të lidhur me mungesën e qasjes në nënshtetësi, në banesë, pronë apo sende vetjake; nevojën për të kuptuar fatin e vet, si dhe për t’u mirëkuptuar në një komb të cilit i përkasin më shumë vendosmëri dhe dëshirë; nevojën për t’u njohur përpjekjet dhe sakrificat e familjeve të tyre për liri e të drejta kombëtare, në mënyrën që e menduan.

Objektivi kryesor i kësaj konference është të nxisë debatin publik të bazuar në dokumente dhe fakte, me filtrin e një disipline të fortë shkencore, dhe me qasje europiane, duke iu përgjigjur pyetjeve:

  1. Cilat janë veçoritë e krijimit të emigracionit politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990? Cila qe shtrirja gjeografike e emigracionit politik shqiptar? Kampet e emigrantëve në Europë? Cilat janë disa nga profilet e emigrantëve politikë dhe veprimtaria e tyre?
  2. Cila qe veprimtaria e emigracionit politik shqiptar për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare; veprimtaria e tyre për të luftuar regjimin komunist në Shqipëri; shoqatat e krijuara nga emigracioni politik shqiptar dhe qasja e tyre kundrejt Shqipërisë komuniste? Operacioni “Rollback” dhe përfshirja në të e emigracionit politik shqiptar?
  3. Si reagoi shteti komunist shqiptar ndaj emigracionit politik shqiptar? Si ndikoi Lufta e Ftohtë, marrëdhëniet e shtetit shqiptar me jugosllavët, grekët dhe italianët?

Për këtë, AIDSSH ka vënë në dispozicion të studiuesve arkivin dhe dëshmitë gojore që ka mbledhur:

ARKIVI

Pranë arkivit të AIDSSH-së ruhet dhe administrohet një larmi dokumentesh arkivore të cilat përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Këto dokumente konsistojnë në raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi, etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë, etj.

Dokumentet e mësipërme përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991. Shumica prej këtyre dokumenteve bëhen publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit.

DËSHMITË GOJORE

Ndërkohë, prej një viti Autoriteti ka ndërmarrë projektin e mbledhjes së dëshmive gojore të të mbijetuarve të përndjekjes nga Sigurimi, në bazë të platformës tashmë të mirënjohur “Edhe muret kanë veshe”. Gazetarja Kristale Ivezaj do të na paraqesë punën e saj përmes Skype, pjesë e së cilës është bashkësia shqiptare në SHBA dhe ajo në Belgjikë. Marrëveshja e AIDSSH-së me Zërin e Amerikës dhe bashkëpunimi me Federatën Panshqiptare Vatra ka mundësuar realizimin e intervistave me të arratisur në Shtetet e Bashkuara, të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit, dëshmitë e të cilëve janë depozituar pranë arkivit digjital të Autoritetit. I njëjti projekt vijon në Belgjikë, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar atje e do të synojë edhe bashkësinë në Gjermani; në këtë garë me kohën!

Në gjithë këtë problematikë komplekse, natyrisht sot do të prekim temat e nxehta, por jam e sigurt që diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë.

Në shifrat e larta të emigracionit të shqiptarëve në shekuj dhe gjatë tranzicionit te zgjatur, kjo përmasë duket vetëm një fraksion. Por ky fraksion është shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë. Ato nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare.

Mbi të gjitha, ky komunitet përfaqëson 15.000 familje të mëdha shqiptare, të cilëve shoqëria jonë iu detyrohet heqjen e baltës, qartësimin e fatit, njohjen e kontributeve.

Kaq për tani, meqenëse për krimet dhe fajet e një pjese (rreth 200 individëve) është folur mjaftueshëm nga historiografia moniste, që prej 1944.

I uroj punime të mbara kësaj konference dhe bashkëpunim të frytshëm të gjithë partnerëve të pakursyer!

Gentiana Sula

Muzeu Historik Kombëtar, 19 shkurt 2020.