Fillon rikonstruksioni i ndërtesës së re të Autoritetit, një bashkëpunim mes AIDSSH-së dhe SIDA

Fillon rikonstruksioni i ndërtesës së re të Autoritetit, një bashkëpunim mes AIDSSH-së dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA)

Tiranë, 3 tetor 2019 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) zhvilluan në mjediset e reja të Autoritetit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ceremoninë e prezantimit të projektit të bashkëpunimit për rikonstruksionin e ndërtesës së AIDSSH-së dhe shërbimeve TIK për krijimin e një arkive moderne.

Në praninë e përfaqësuesve të Ambasadës Suedeze dhe të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare në kryeqytet, institucioneve publike, qendrore e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë, përfaqësuesve të universiteteve dhe insititucioneve kërkimore në vend, përfaqësuesve të institucioneve homologe me të cilat AIDSSH bashkëpunon që prej krijimit, u prezantua projekti i ndërtesës dhe ndërhyrjet e mëdha të pritshme për një godinë me infrastrukturë bashkëkohore e kushte moderne për ofrimin e shërbimeve qytetarëve dhe studiuesve.

Sipas kryetares së Autoritetit, znj. Gentiana Sula: “Qëllimi ynë është krijimi i kushteve optimale me standardet teknike të një arkivi europian, me rëndësi historike për brezat që vijnë, që plotëson edhe kushtet e sigurisë, sipas ligjeve në fuqi… Ndihma e Qeverisë suedeze vjen pas një pune shumë të imët dhe profesionale për hartimin e një projekti të plotë e produktiv që, duke plotësuar këto standarde, synon edhe krijimin e kushteve më të mira për bashkëpunimin me shtresat e prekura, studiuesit, si dhe qytetarët e grupmoshave të ndryshme, të etur për të mësuar përmes formave më bashkëkohore të edukimit historik për demokraci dhe paqe“.

Znj. Elsa Håstad, Ambasadore e Suedisë në Shqipëri theksoi se: “Arkivat duhen për të gjetur të vërtetën mbi të shkuarën dhe për të pajtuar njerëzit me historinë e tyre. Hyrja në materialet arkivore do t’u kthejë njerëzve dinjitetin dhe unë ndihem krenare që vendi im, Suedia, mund të bëhet pjesë e këtij hapi të rëndësishëm”

Bashkëpunimi me SIDA-n në Tiranë zuri fill një vit më parë, pas vizitës në arkivat e institucionit, të partnerëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të interesuar të mbështesin drejtësinë tranzicionale në vend dhe shoqatat e të drejtave të njeriut. Kushtet e vështira në të cilat ushtron veprimtarinë e vet Autoriteti, me dy vendruajtje arkivore pranë SHISH e IPQP dhe kushtet e papërshtatshme të ndërtesës ku do të vendoset institucioni që ditë pas dite zbardh të shkuarën, si dhe nevoja për ndërhyrje të mirëmenduara, u bënë pjesë e bisedimeve të vazhdueshme me Ambasadën Suedeze.

Përgjatë një viti të ngarkuar u punua për vendosjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe transparent mes Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) e AIDSSH, me fokus krijimin e kushteve bashkëkohore të punës, me arkiva të standardeve moderne, zyra pune dhe mjedise për hulumtim shkencor, bibliotekë e sallë ekspozitash.

Ceremonia e shpalljes së këtij bashkëpunimi përmbyll fazën e gjatë përgatitore që u finalizua me marrëveshje dhe u hap dritën jeshile punimeve për rikonstruksionin e ndërtesës, shërbimet TIK për krijimin e një arkive moderne, për të ofruar kushtet e pritshme për kërkim, hulumtim shkencor dhe aktivitete në mbështetje të dialogut shoqëror mes grupmoshave të ndryshme, në kuadër të edukimit qytetar e konsolidimit të demokracisë.

Ndërtesa ku Autoriteti do të zhvillojë veprimtaritë e tij iu dha institucionit nga Qeveria shqiptare, me fondet për fazën e parë të sistemimit të arkivit, punime cilësore që janë kryer tashmë. Aktiviteti i parë i institucionit u zhvillua më 25 janar 2017 në këtë ndërtesë, ku arkitektja Nevin Bilali prezantoi për të pranishmit e shumtë qasjen e saj vizive për strehën e re të AIDSSH-së: transparente, të sigurt për arkivin e rëndësishëm, me mjedise pune për studiuesit, me bibliotekë, sallë ekspozitash e dhoma për regjistrimin e dëshmive gojore të të mbijetuarve. Ndërkohë, projekti i ndërtesës u realizua nga Instituti i Ndërtimit, me mbikëqyrjen e Autoritetit.

Në vijim, PNUD në Shqipëri kontriboi në mënyrë aktive për hartimin e planit strategjik të AIDSSH-së, ku u përfshi edhe infrastruktura fizike që do të mbështeste veprimtaritë e tij, numeralizimi i arkivit dhe ekspertët detajuan çështjet TIK me të cilat u punua më vonë. Partnerë të rëndësishëm e profesionalë e mbështetën AIDSSH-në në këtë rrugëtim.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

***

 

Fjala e Kryetares Sula në ceremoninë e fillimit të rikonstruksionit të ndërtesës

E nderuar znj. Håstad,

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar miq e të ftuar,

Kam kënaqësinë t’ju kem sot këtu, në këtë ceremoni që shpall fillimin e rikonfigurimit të ndërtesës së AIDSSH-së.

Dy vjet të shkuara, kjo ndërtesë iu dha institucionit nga Qeveria shqiptare, po ashtu edhe fondet fillestare të sistemimit të arkivit, punime cilësore që janë kryer tashmë.

Në  janar 2017 në këtë ndërtesë, me Nevin Bilalin prezantuam për të pranishmit e shumtë qasjen e guximshme për strehën e re të AIDSSH-së. Unë vetë, shpalosjen e këtij plani e quajta atëherë skenar ëndrrash. Ishte e vështirë të mos shihja vetullat e ngritura të pranishme, për ta besuar që kjo ëndërr ishte e realizueshme, ndërkohë që AIDSSH nuk ishte krijuar akoma si institucion. Ekzistonte vetëm trupa kolegjiale, jo sekretariati, por ekipi ishte mjaftueshëm optimist për të vazhduar punën që ëndrra të bëhej realitet.

Ja si e menduam atëherë shtëpinë tonë:

1. Një strehë e vetme – por jo thjesht një grumbull raftesh e sirtarësh. Jo. Do të kishim një strehë aktive që do të kishte në qendër përdoruesit tanë: të prekurit, familjarët e tyre, studiuesit, gjithë shoqërinë – e sidomos rininë.

  • Një arkiv që do të lejonte ndërtimin e relacioneve mes dokumenteve dhe qasje gjenealogjike në përdorimin e tyre, do të lejonte edhe kuptimin e strukturës institucionale:
    • në kohë;
    • në sektorë të ndryshëm;
    • sipas individëve;
    • në zona të ndryshme;
    • raportin e tyre me institucionet e tjera partiake, sociale e politike;
    • zinxhirin e vendimmarrjes;
    • rolin e individëve të ndryshëm.

Kjo lejon edhe interpretime të një niveli më të lartë, si dhe ndërtimin e strukturave të kujtesës, dhe i jep kontekst ngjarjeve që kanë shenjuar jetën e individëve dhe shoqërisë.

2. Një arkiv transparent, i denjë për arkivin historik të sigurt, për rëndësinë për interesin kombëtar, por edhe për të ruajtur qytetarët nga keqpërdorimi i të dhënave personale që shpesh përbëhet nga informata denigruese e të qëllimshme që ai përmban.

3. Me mjedise pune për studiuesit, me bibliotekë, sallë ekspozitash e dhoma për regjistrimin e dëshmive gojore të të mbijetuarve, që kanë parasysh eficiencën e energjisë dhe përdorimin e teknologjisë për të përdorur sa më pak letër.

Ëndrra jonë u bë edhe ëndrra e zyrës së PNUD në Shqipëri dhe Institutit të Ndërtimit, ekipet e të cilëve i falënderojmë.

Paralelisht, u punua për hartimin e planit strategjik të AIDSSH-së, i cili u konsultua gjerësisht me grupet e interesit dhe partnerët. U përfshi edhe infrastruktura fizike që do të mbështeste veprimtaritë e tij dhe numeralizimi i arkivit, ku ekspertët detajuan çështjet teknike TIK me të cilat u punua më vonë, ku shkëlqeu kontributi i Enkeleda Kukës, që e trajtoi të gjithën me pasion dhe profesionalizëm. Mund të kujtoj sot jo pa emocion që ky plan strategjik u përqafua nga të gjithë, dhe të gjithë uruan për financim të shpejtë. OSBE gjithashtu na ndihmoi për ekspertizë në hartimin e qasjeve për punën me arkivin.

Bashkëpunimi me SIDA-n në Tiranë zuri fill një vit më parë, pas vizitës në arkivat e institucionit, të partnerëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të interesuar të mbështesin drejtësinë tranzicionale në vend dhe shoqatat e të drejtave të njeriut.

Projekti ambicioz, por i qartë dhe i përqafuar nga të gjithë ne në njërën anë, dhe kushtet e vështira në të cilat ushtron veprimtarinë e vet Autoriteti, me dy vendruajtje arkivore pranë SHISH e IPQP dhe kushtet e papërshtatshme të ndërtesës aktuale, po ashtu nevoja për ndërhyrje të mirëmenduara, u bënë pjesë e bisedimeve të vazhdueshme me Ambasadën Suedeze.

Përgjatë një viti të ngarkuar u punua për vendosjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe transparent mes Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) e AIDSSH, me fokus krijimin e kushteve bashkëkohore të punës, me arkiva të standardeve moderne, zyra pune dhe mjedise për hulumtim shkencor, bibliotekë e sallë ekspozitash.

Ceremonia e shpalljes së këtij bashkëpunimi që zhvillojmë sot përmbyll fazën e gjatë përgatitore që u finalizua me marrëveshjen dypalëshe dhe u hap dritën e gjelbër punimeve për rikonstruksionin e ndërtesës, shërbimet TIK për realizimin e vizionit tonë të përbashkët.

I falënderoj për mbështetjen të gjithë partnerët tanë që na kanë ndihmuar në përpjekjet për të mos e lënë të shkuarën të prehet, për të mos ia lënë harresës çështje të tilla si përgjegjësia shoqërore apo vuajtjet individuale. Përvoja tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të, ka edhe të ardhme.

Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme, në mënyrë që edhe të rinjtë që nuk e kanë përjetuar në vetë të parë regjimin komunist, të mprehin vetëdijen lidhur me faktin se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve dhe të pranuarit e njëri-tjetrit, në historinë e Evropës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende – diçka e vetëkuptueshme.

Ngritja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ishte një gur i rëndësishëm kilometrazhi në rrugën e trajtimit të të shkuarës në Shqipëri. Nismat e ndërmarra, projektet komplekse, bashkëpunimi me individët dhe komunitetet e profilizojnë gjithnjë e më shumë Autoritetin si një platformë shërbimesh për qytetarët dhe studiuesit,

Këto po mundësojnë përditë:

-eficiencë të shtuar të politikave të kujtesës,

-ridimensionim të figurave dhe ngjarjeve historike, dëshmitë gojore,

-verifikimin e figurave publike, që ndikon drejtpërdrejt në kuadrin e reformës në drejtësi dhe rritjen e besimit në institucionet demokratike;

-kontributin, qartësimin e fatit të të zhdukurve në diktaturë;

-konferencat ndërkombëtare që trajtojnë tema të së shkuarës sonë të afërt.

Por të gjitha këto mbështeten në mirëfunksionimin në kohë të proceseve të punës të lidhura me arkivin, deklasifikimin, digjitalizimin dhe vënien në dispozicion të të dhënave arkivore, të materialeve me vlerë historike e shoqërore në proceset transformuese të vendit.

Sa më sipër, ndihma e Qeverisë Suedeze është shumë e mirëpritur dhe do të ketë impakt të madh, në eficiencë dhe në shkurtimin e kohës për proceset, e cila deri tani ka kërkuar durim të madh nga ana e përdoruesve.

Nënë Tereza ka thënë: “Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën. Kështu, të gjithë së bashku do të kemi më shumë dritë“. Ju falënderoj për mbështetjen dhe ju ftoj ta mbajmë ndezur sa më gjatë qiririn tonë, që dialogun shoqëror për të shkuarën ta bëjmë  me integritet, profesionalizëm dhe besim në vlerat njerëzore.

***

 

Fjala e Ambasadores suedeze Hastad

Sot jemi këtu për të shpallur këtë bashkëpunim të ri mes Shqipërisë e Suedisë, nëpërmjet projektit me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Pse po e bëjmë këtë? Sepse besojmë që kjo mbështetje për arkivin, në mjediset e reja të Autoritetit, do të përbëjë një ndryshim të madh pozitiv në punën e përditshme të institucionit. Do të thotë se nuk do të ketë më ditë kur do të vrapohet nga njëra vendruajtje në tjetrën, apo në institucionet ku arkivi është vendosur aktualisht, për të kërkuar dokumentet me të cilat njerëzit duan të njihen. Këta janë të persekutuarit dhe familjet e tyre, po ashtu studiuesit që po punojnë mbi të kaluarën e afërt, me synimin që ta bëjnë të njohur të vërtetën për shoqërinë dhe brezat që do të vijnë. Gjithashtu, vetë qeveria e Shqipërisë duhet të dijë nëse kandidatët për poste publike kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, në mënyrë që të mos lejohen të emërohen në poste të tilla, siç e kërkon ligji.

Me sa duket, nuk ka asnjë institucion tjetër ku puna dhe misioni i të cilit të mbështetet kaq shumë në arkivin e tij, si AIDSSH, për dosjet e Sigurimit. Pa e grumbulluar në një vend një arkiv të tillë, të mbrojtur dhe të sigurt e për më tepër, të organizuar e të rikuperueshëm në trajtë digjitale, nuk do të jetë bërë mjaftueshëm për t’ua bërë të njohur të vërtetën të gjithëve. Fatkeqësisht, kujtimet e gjalla do të zbehen e do të vdesin, por dokumentet, qoftë ato të shkruara, filmike, audio apo të tjerë, me siguri do të kenë jetë shumë më të gjatë, nëse trajtohen si dëshmi e gjallë e së kaluarës, dhe ndërtues të kujtesës kolektive, me njohuri e të dhëna për pasojat e diktaturave, autoritarizmit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.

Pra, ne po mbështesim rikonstruksionin dhe rinovimin e mjediseve të reja të AIDSSH-së, përfshirë arkivat, në mënyrë që t’i kemi mbledhur në një vend të vetëm të gjitha dokumentet e arkivuara që Autoriteti përdor për punën e vet dhe të instalojmë infrastrukturën e nevojshme IT për digjitalizimin e tyre. Kjo është e gjithë ana teknike me të cilën ka të bëjë projekti. Por ajo që synon është shumë më e rëndësishme!

Është fakti që do t’i shërbejë drejtësisë për të përndjekurit në komunizëm, të paktën përmes zbulimit të së vërtetës për persekutorët e tyre, nëpërmjet përpjekjes për gjetjen e trupave të atyre që humbën në duart e shtypësve dhe ajo që është shumë e rëndësishme, për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë për anët më të errëta të regjimeve autoritare dhe koston e tyre në jetët njerëzore, dinjitetin dhe mirëqenien, jo vetëm në disa, por në shumë mënyra, për të gjithë shoqërinë.

Si e tillë, e kaluara e Shqipërisë, është pjesë e trashëgimisë historike të njerëzimit, po ashtu trajtimi dhe shërimi nga diktatura. Kjo është një trashëgimi që duhet të mbahet gjallë, në mënyrë që të mos përsëritet kurrë e njëjta gjë ose një situatë e ngjashme. Ne mësojmë nga e kaluara, që të kemi një të ardhme më të mirë e më të sigurt. Dhe e dimë mirë se kjo nuk do të jetë e lehtë, nëse institucionet që kanë mision dhe mandat të kërkojnë të vërtetën dhe ta bëjnë të njohur atë, nuk i kanë mundësitë ta kryejnë punën e tyre në të gjitha përmasat.

Ndaj, ky bashkëpunim ka një perspektivë të qartë dhe të fortë të të drejtave të njeriut, pasi e drejta për të vërtetën është pjesë e instrumenteve juridike ndërkombëtare që ka nënshkruar Shqipëria, bashkë me shtetet e tjera demokratike. Rezoluta e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në vitin 2009, u bën thirrje shteteve të ndërmarrin hapa për të lehtësuar përpjekjet e viktimave ose të afërmve të tyre për të përcaktuar të vërtetën që lidhet me shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut dhe faktin që publiku e individët kanë të drejtë të kenë qasje në masën më të plotë të zbatueshme në informacionin që ka të bëjë me veprimet dhe proceset e vendimmarrjes të qeverive të tyre. Gjithashtu, Konventa e Gjenevës përcakton detyrimet e palës shtetërore ndaj të zhdukurve dhe të vdekurve.

Ky projekt është bashkëpunim me financim të drejtpërdrejtë, për herë të parë për AIDSSH, me 10 MSEK. Angazhimi ynë i përbashkët është t’i shohim rezultatet e planifikuara për një periudhë dyvjeçare.

Presim me padurim kryerjen e punimeve dhe premtojmë se Ambasada Suedeze do të jetë me kënaqësi pjesë e rrugëtimit të Autoritetit në përmirësimin e shërbimeve të tij dhe përmbushjen e rolit për t’i shërbyer drejtësisë dhe ndërtimit të demokracisë.