Dokumentari “Edhe muret kanë veshë”, ndërgjegjësim për krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri

Tiranë, 10 tetor 2019 – Dokumentari “Edhe muret kanë veshë” u shfaq premierë në kinema “Millenium”, ora 19.00, me titra në gjuhën angleze.

“Edhe muret kanë veshë” i regjisorit Ervin Kotori ndjek rrugëtimin e produktit artistik me të njëjtin titull, i realizuar mbi dëshmitë gojore të të mbijetuarve të krimeve të së shkuarës komuniste në Shqipëri, nga Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Rama, në mbështetje të AIDSSH. Të pranishëm në premierë do të jenë personalitetet e intervistuara në të gjithë vendin, gazetarja shqiptaro-amerikane Kristale Ivezaj Rama dhe artistja konceptuale Alketa Xhafa Mripa, ekipi realizues, studentë e të rinj, përfaqësues të shoqatave të të drejtave të njeriut, trupit diplomatik, të institucioneve publike dhe joqeveritare, të artit, kulturës e medias.

Projekti ambicioz “Edhe muret kanë veshë” u zbatua përgjatë vitit 2018 në të gjithë Shqipërinë në disa përmasa: mbledhja e dëshmive gojore, instalacioni artistik, libri dhe platforma e dëshmive gojore në gjuhën shqipe e angleze, për t’u finalizuar me filmin që e dokumenton këtë proces, duke hedhur dritë në hapat e ndjekur për zbardhjen e së shkuarës.

Krimet e komunizmit për një kohë shumë të gjatë, rreth 28 vite demokraci, kanë mbetur jashtë vëmendjes së publikut dhe larg çdo qasjeje reflektuese. Mosinteresimi shoqëror dhe ndonjëherë mospranimi i së vërtetës së hidhur të krimeve komuniste është shqetësim real në Shqipëri. Ky qëndrim apatik rrezikon të ketë ndikim te brezat e rinj, ndaj lind nevoja e gjetjes së mjeteve më efikase për transmetimin te brezi i ri i historive të dhunës dhe terrorit të shtetit të diktaturës së proletariatit e mbijetesës së personave të dhunuar.

Për mbledhjen e dëshmive gojore në mbarë vendin, AIDSSH vendosi kontakte me shumë persona të mbijetuar dhe dëshmitarë të dhunës e terrorit komunist. U përcaktuan metodat dhe mjetet e nevojshme për mbledhjen e dëshmive nga kërkues shkencorë të fushës. Intervistat gjysmë të strukturuara mundësojnë shprehjen e lirë të dëshmitarëve, por edhe vjeljen e të dhënave të rëndësishme për ngjarje të caktuara lidhur me krimet në fjalë.

Dëshmitë janë zbardhur në zyrat e Autoritetit, ku kryhet administrimi dhe sistemimi me standardin e një arkivi historik, i hapur për cilindo, sipas rregullave të arkivave në Republikën e Shqipërisë, duke respektuar vullnetin e shprehur të qytetarëve që ua kanë besuar rrëfimet e tyre AIDSSH-së.

Krahas procesit të dokumentimit të dëshmive, takimet e hapura në universitete me të rinj e të mbijetuar në të gjithë vendin i paraprinë krijimit konceptual, kompleks e mbresëlënës.

Në prag të Ditës së Europës – 8 Maj 2018, në sheshet kryesore të gjashtë qyteteve: Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Tepelenë, Gjirokastër, përgjatë gjithë natës deri në agim, u projektua në të njëjtën kohë instalacioni “Edhe muret kanë veshë” i artistes Alketa Xhafa Mripa. Instalacioni është një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga krimet e komunizmit u shkëputën nga dorëshkrime, dokumente, apo arkiva personale të individëve të burgosur apo internuar dhe u përzgjodhën nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve. Shprehjet, dikur të ndaluara, u projektuan në formate të mëdha, në fasadat kryesore të qyteteve, deri në agim duke riafirmuar vlerat europiane, që ishin dhe vizioni i rrëfimtarëve.

E gjitha u realizua në kuadër të programit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, mbështetur nga PNUD Shqipëri dhe Qeveria e Italisë; instalacioni artistik edhe nga Ambasada Amerikane dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë.

Përmes artit, projekti i njohu dhe i ftoi për reflektim mbi trashëgiminë e së shkuarës komuniste të rinjtë, komunitetet dhe publikun e gjerë.

Nga ana tjetër, format e komunikimit me publikun e gjerë brenda dhe jashtë vendit u shumëfishuan përmes faqes elektronike “Edhe muret kanë veshë – http://evenëallshaveears.org/” e cila, mes të tjerash mundëson pasurimin në vijueshmëri të databazës me dëshmi që i shtohen arkivit të Autoritetit.

Platforma e mbledhjes së dëshmive ka mundur të arrijë dëshmitarë jashtë vendit, të cilët janë ftuar të japin dëshmitë e tyre dhe të ndërveprojnë me të. Krahas dëshmive të regjistruara janë grumbulluar edhe artefakte si foto të dëshmitarëve, të familjeve të tyre, si dhe fotokopje të dokumenteve që ata kanë në zotërim.

Dëshmitë u dokumentuan në volumin I ”Kampi i Tepelenës. Dëshmitë e të mbijetuarve”, një përmbledhje e dëshmive të 14 të mbijetuarve, vuajtës në kampin e internimit të Tepelenës e më pas në kampet e internimit në fshatrat e Lushnjës.

Dëshmitë gojore dhe realizimi i tyre janë filmuar në një dokumentar, në mënyrë që njerëzit ta ndjekin këtë rrugëtim, t’i shohin fytyrat dhe t’i dëgjojnë historitë e shqiptarëve që qëndruan me dinjitet gjatë regjimit totalitar. Dokumentari, veç faktit që hedh dritë në histori, ngjarje dhe individë, i shërben zhvillimit të dialogut të shëndetshëm shoqëror lidhur me të kaluarën, siç i vjen në ndihmë ballafaqimi përmes dokumenteve të vetë shtetit të diktaturës së proletariatit.

Shfaqja e premierës “Edhe muret kanë veshë” përmbyll një fushatë të gjerë, të ndërmarrë nga Autoriteti dhe partnerët për të rritur ndërgjegjësimin për krimet e komunizmit, për të inkurajuar dialog me universitetet, akademikët, komunitetet vendore, të mbijetuarit e familjarët e tyre,  mediat dhe publikun e gjerë.