Dita Muze/Memorial Tepelenë 23.08.2018

Dita Muze/Memorial Tepelenë

Tepelenë, 23 gusht 2018 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, Harabel dhe MEMO, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, me mbështetjen e PNUD Shqipëri, Qeverisë së Italisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE, në kuadër të memories organizoi Ditën Muze/Memorial Tepelenë.  

Aktivitete të ndryshme u zhvilluan përgjatë datës 23 gusht në Tepelenë, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Ekspozita dokumentare

Ekspozita “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës” mblodhi komunitetin vendas dhe të mbijetuar, familjarë e pasardhës të tyre nga e gjithë Shqipëria, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Tepelenës, dhe u krijoi mundësinë për t’u njohur me punën e Sigurimit të Shtetit në këtë zonë, duke u paraqitur materiale voluminoze, ekspozuar objekte muzeale dhe plotësuar shumë formularë për njohje me dosje individuale.

Simpoziumi shkencor

Simpoziumi shkencor për kuadrin historik e juridik të punës së detyruar në diktaturë u moderua nga z. Marenglen Kasmi, anëtar i Autoritetit, dhe kumtesat u mbajtën nga znj. Sonila Boçi, Instituti i Historisë, në emër të prof. Beqir Meta; znj. Ermira Shtino, në emër të prof. Ermal Frashëri dhe z. Çelo Hoxha i ISKK. Puna e detyruar në diktaturë u paraqit në disa aspekte nga studiuesit dhe do të trajtohet gjerësisht në konferencën shkencore të fundtetorit “Të mohuarit e regjimit”, kushtuar internim-dëbimeve në vend.

Para rreth 200 të pranishmëve, të mbijetuar e trashëgimtarë të tyre, të ardhur nga gjithë vendi me autobusë të posaçëm, mbështetur nga Bashkia Shkodër, zonja Voltana Ademi; nga Elbasani, mbështetur nga zoti Fatbardh Doko dhe Tirana, mbështetur nga IIPP dhe OSBE; para qytetarëve të Tepelenës, historianëve, studentëve dhe medias, arkitekti Gjon Radovani bëri një paraqitje të ecurisë së punës për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Punës së Detyruar në Tepelenë.

Ndërkohë, projektideja e Memorialit në kampin e dëbim-internimit të Tepelenës është ende në zhvillim. Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët e faktorët, në mënyrë që Kampi i Tepelenës, si dëshmi e kampeve të punës së detyruar në diktaturë, të përfaqësojë një vend reflektimi për të rinjtë, studentët, qytetarët dhe të nderojë sakrificën e dinjitetin njerëzor të mijëra vetave, burra, gra e fëmijë, që u keqtrajtuan në kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin.

Dekorimi

Në orën 18.30, Presidenti i  Republikës, z. Ilir Meta, erdhi në Kampin e Tepelenës dhe në prani të të mbijetuarve e familjarëve të tyre, përfaqësuesve të institucioneve publike e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut, përfaqësuesve të të gjithë spektrit politik, organizatave ndërkombëtare dhe të rinjve të pranishëm, dekoroi për ”Merita të Veçanta Civile”, të mbijetuarit:

Znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola (Age Totaj, e bija tërhoqi titullin); znj. Drane Jakja (pas vdekjes), (Nikë Vuksani, i biri tërhoqi titullin) dhe z. Lek Pervizi, që ka sjellë dëshmi të gjalla deri në të sotmen, duke përdorur thëngjill e laps për të dokumentuar me saktësi akribike figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz, pa i interpretuar, me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie.

Mbajtën fjalën në ceremoni dhe përballën qëndrimet e tyre znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, institucionit nismëtar të organizimeve të Ditës Muze/Memorial Tepelenë; z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit, i internuar në Tepelenë; znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës; z. Brian Williams, përfaqësues i PNUD në Shqipëri; znj. Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër; z. Nebil Çika dhe z. Bilal Kola, drejtues të shoqatave dhe Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë. Edhe shoqata “Vatra” në SHBA paraqiti një deklaratë në mbështetje të muzealizimit të kampit, e lexuar nga Simon Mirakaj.

Në mbyllje të ceremonisë, Presidenti i Republikës u shpreh se “pajtimi mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes. Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”

Projekte artistike-sociale

Nderimi i të mbijetuarve dhe sakrificës së tyre u parapri nga aktivitete të ndryshme në kamp, që të rinjtë dhe të pranishmit të njihnin e të vlerësonin përmes kujtimeve, dramën njerëzore të mijëra familjeve, të jetuar ditë pas dite.

Projektet Sikur Mama… që i shoqëruan të ftuarit 2 kilometra pa arritur në kamp me kamion deri në hyrje të tij, me një këngë të kënduar nga Mariza Ikonomi, e ardhur nga dëshmia e Klora Merlikës, e  mbijetuar; Shtrati-dhomë, që rindërtoi strukturën e drunjtë në të cilën jetonte dhe flinte një familje e tërë sipas dëshmive, dhe I përkasim njëri-tjetrit, që rrëfen në vetë të parë histori të mbijetesës në Tepelenë, synuan që përmes ndërveprimit t’i njihnin të pranishmit me kampin dhe të nxisnin reflektim. Projektet u ndërmorën dhe mbështetën nga MEMO.

Në të njëjtën kohë, qytetarë të shumtë në kamp e jashtë tij blenë dhjetëra qiparisë (82) për Memorialin e fëmijëve që nuk i mbijetuan Tepelenës, hapi i parë për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar.

Edhe muret kanë veshë, programi shumëdimensional që solli dëshmitë e të mbijetuarve të Tepelenës në arkivin e dëshmive gojore të AIDSSH, u projektua në vendin që e lindi, në muret e Kampit të Tepelenës. Projekti i plotë u realizua nga bashkëpunimi i Autoritetit dhe partnerëve me artisten Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Ramën, me të cilën është punuar për krijimin e platformës interaktive Edhe muret kanë veshë, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave. Instalacioni artistik i Alketës dhe portretet e dëshmitarëve të Kristales qëndruan përballë njëri-tjetrit në kamp dhe sollën zërin e fytyrat e njerëzve të thjeshtë që qëndruan me dinjitet.

Në orën 21.00, më rënien e errësirës dhe realizimin e të gjitha projekteve komplekse sociale e artistike, kampi u shndërrua në një mjedis tjetër, me praninë e të rinjve të Tepelenës dhe qytetarëve të shumtë vendas. Si homazh për dhimbjen, si triumf i jetës mbi të keqen, grupet Asgjë Sikur Dielli dhe Tre Musketierëve interpretuan në kamp, në mbyllje të një dite kushtuar përkujtimit, nderimit, kërkimit shkencor, dokumentimit, edukimit qytetar dhe ndërveprimit me të mbijetuarit.

Organizimet artistike N’dritë u kuruan nga Harabel.

Autoriteti

Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë.

Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.