Diskutime me grupet e interesit mbi Programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022 të AIDSSH

Tiranë, 24 prill 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një takim konsultativ me grupet e interesit, në kuadër të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm 2020-2022. Morën pjesë përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë, të të drejtave të njeriut dhe të organizmave që trajtojnë fatet e të zhdukurve me forcë.

Takimi u hap nga kryetarja, znj. Gentiana Sula, e cila nënvizoi rëndësinë e koordinimit me të interesuarit, të përparësive të AIDSSH-së për periudhën në vijim, me dëshirën për të marrë parasysh sugjerimet e të gjithë aktorëve në tryezë dhe harmonizimin e tyre në propozime të përbashkëta.

Në të njëjtën linjë vijuan diskutimin anëtari i Autoritetit, z. Marenglen Kasmi, dhe sekretari i përgjithshëm, z. Skënder Vrioni, të cilët paraqitën synimet e institucionit dhe qëllimet e tij, si dhe nevojën për mbështetje e koordinim me grupet e interesit.

Znj. Vitoria Fuqi, e sektorit të financës, bëri një paraqitje të plotë të programit buxhetor afatmesëm mbi të cilin po punon Autoriteti për periudhën 2020-2022.

Në përgjigje të objektivave të AIDSSH-së, z. Nebil Çika i Shoqatës Antikomuniste të të përndjekurve politikë u shpreh për vënie të theksit te fati i të zhdukurve me forcë në diktaturë, vendvarrimet e humbura dhe dinamikat njerëzore për zbulimin e së vërtetës dhe dokumentimin e saj. Gjithashtu, te planifikimi i fondeve për thellimin e këtij procesi nga Autoriteti, në bashkëpunim me aktorë të tjerë të përfshirë.

Në emër të ICMP-së, duke vënë në dukje arritjet e deritanishme të institucioneve bashkëvepruese, z. Luigj Ndou shtroi nevojën emergjente për planifikim fondesh të Autoritetit sa i takon çështjes se të zhdukurve, ku – pas ratifikimit të marrëveshjes nga qeveria shqiptare dhe prezantimit të aplikacioneve që gjenden edhe në faqen e Autoritetit, – janë zbuluar 36 vendvarrime të tjera dhe janë regjistuar rreth 600 kërkesa të provuara. Në emër të koordinimit të të gjitha institucioneve e shoqatave që veprojnë në fushën e kujtesës, z. Ardian Kati i Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit  të Traumës e Torturës paraqiti propozimet e veta për mundësinë e bërjes përpara me hapa të përbashkët e të organizuar me të gjithë të pranishmit të tryezë, institucione dhe shoqëri civile. Në këtë linjë ishte edhe fjala e z. Gjonç Gjonçi, përfaqësues i trashëgimtarëve të të pushkatuarve të Shqipërisë.

Diskutimet trajtuan me radhë tema të së shkuarës, që duhet vlerësuar me përparësi, në kuadër të përmbushjes së misionit të Autoritetit për transparencë, me nisma ligjore dhe hapa konkretë për akses të të interesuarve në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për nxitjen e dialogut publik, bashkëpunimin me institucionet dhe qytetarët në çështje të të drejtave të njeriut, duke ndihmuar hedhjen dritë në të shkuarën dhe përmbushur përgjegjësinë ndaj brezave të rinj për një shoqëri demokratike.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.