Dinjiteti përballë totalitarizmit, Belsh

Film dokumentar mbi gratë e përndjekura në komunizëm dhe ekspozitë arkivore e përndjekjes së Sigurimit në Dumre

Belsh, 21 gusht 2019 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Belshit, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive vijoi arkivitetet e javës përkujtimore “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”, në Belsh, organizuar në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

I vendosur në shëtitoren e Belshit, në prani të komunitetit vendas dhe të ftuarve të ardhur nga i gjithë vendi, takimi u hap nga znj. Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, e cila u shpreh se “detyra jonë qytetare dhe institucionale është hedhja dritë në të shkuarën dhe krijimi i mundësisë që zëri i viktimës të dëgjohet, historitë e tyre të bëhen të njohura dhe të vendosen në kontekstin e kohës kur jetuan, krahas dosjeve që Sigurimi krijoi për ta e për familjet e tyre, që ruajnë qasjen e makinerisë së pushtetit ndaj “armiqve të popullit”.

Ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi persekutimin komunist në zonën e Dumresë, me dokumente mbi përndjekjen e ish-të internuarve dhe grave të burgosura politikisht në Kosovë, prezantoi dhjetëra dosje të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në zonë apo të grave të burgosura, mes të cilave Tefta Tasi, Asamble Hatibi, Laura Keqi, Fatbardha Qorri, Emine Shima, Fatime Dega, Fatime Hoxha, Fatime Reka, Rukije Pame, Xhuljeta Cuka, shumë prej të cilave, për herë të parë.

Materialet prej disa mijëra faqesh u vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë, dosje përpunimi, hetimore-gjyqësore, regjistra, relacione dhe statistika që kanë të bëjnë me survejimin e elementit “armik” në zonë, të internuar dhe të burgosur. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente.

Në vijim u shfaq filmi “Gratë midis dhunës dhe stigmës në komunizëm”, i realizuar nga Fiona Todhri dhe Matilda Terpollari, mbi profile të grave të dënuara politikisht gjatë komunizmit, me materiale të vëna në dispozicion nga AIDSSH.

Mes tyre, Tefta Tasi, historia e së cilës rrëfehej nga Lekë Tasi, i vëllai; Nurie Ndreu, e cila tregon kalvarin e vuajtjeve në kërkim të të atit; Fatime Dega, që ndërroi jetë prej pak javësh dhe Taipe Pire, ish-gardiane e burgut të grave në Kosovë, ku vetëm 10 përqind ishin të dënuara politike, të përziera me gratë e tjera të dënuara për krime ordinere.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedim të hapur mbi përndjekjen, demokracinë dhe qasjen tek e vërteta, me një panel ku diskutuan Lekë Tasi, që solli përjetimet personale për komunikimin me të motrën e dënuar dhe fakte e të vërteta mbi persekutorët e saj; Fiona Todhri, pedagoge, realizuese e filmit, e cila u shpreh mbi shtysën për të realizuar një film për gratë në diktaturë; Fatbardh Doko e Liljana Herri, ish-të internuar në fshatin Dragot e në Fierzë të Belshit që sollën përvojat personale të së djeshmes e gjurmës së saj në të sotmen dhe Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i AIDSSH, i cili bën një pasqyrë të përndjekjes së Sigurimit në zonë, duke trajtuar materialin arkivor të shfrytëzuar nga Autoriteti për takimin e Belshit, konkretisht dosjet e Tefta Tasit, “Shtriga” mbi Asamble Hatibin dhe dosjen e Fatime Degës, e dënuar në shkelje të rëndë në moshë të mitur.

Bashkëbisedimi vijoi me komente të z. Uran Kostreci, ish-i dënuar politik, z. Nebil Çika i SHAPP dhe përfaqësuesve të komunitetit vendas, që theksuan nevojën për zbardhjen e së vërtetës dhe nderuan vuajtjen fisnike të të pafajshmëve në diktaturë.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.