Deklaratë mbi procedurën e zhvilluar për verifikimin e figurës së pastërtisë së prokurorit z. Bujar Sheshi

DEKLARATË
mbi 
procedurën e zhvilluar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për verifikimin e figurës së pastërtisë së prokurorit  z. Bujar Sheshi, si njëri prej kandidatëve aplikues, për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në zbatim të neni 29 pika 1 gërma(c) të ligjit 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, AIDSSH ka detyrim t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyrë .

Në këtë kontekst është paraqitur kërkesë nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, e protokolluar në Autoritet më datë 30.10.2018, për të verifikuar pastërtinë e figurës të kandidatit z. Bujar Sheshi, që ka aplikuar për anëtar në KLP nga radhët e prokurorëve, si detyrim ligjor në dispozitat e ligjit 45/2015 dhe ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Menjëherë Autoriteti, më datë 31.10.2018, është vënë në lëvizje me procedurë të përshpejtuar për legjitimitetin e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka urdhëruar administratën për vazhdimin e mëtejshëm të procedurës së verifikimit të cilësive etiko-morale dhe profesionale të shtetasit Bujar Sheshi (Shesha), sipas nenit 29, pika 1 dhe 2 të ligjit 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e  ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Pavarësisht faktit të mungesës së një dispozite të veçantë në ligjin 45/2015, për sa i takon afatit kohor të shqyrtimit dhe përmbylljes së procedurës të kërkesave institucionale, të paraqitura nga institucionet kushtetuese apo autoritetet publike, Autoriteti i ka trajtuar, vlerësuar dhe verifikuar me përparësi këto kërkesa dhe në veçanti, kandidaturat për anëtarë në KLP dhe KLGJ të përcjella nga radhët e avokatisë, shoqërisë civile, pedagogë të fakulteteve juridike të universiteteve publike, nga shkolla e magjistraturës, nga radhët e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Për rastin në fjalë, nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi).

Sa më sipër, në referencë të nenit 4, “Parimet” të ligjit 45/2015, në mbrojtje të parimeve të përcaktuara në këtë dispozitë ligjore, por dhe parimit universal për mbrojtjen themelore të të drejtave të njeriut, u vlerësua të kryhet kërkim i thelluar nga administrata, në fondet arkivore të disponueshme nga Autoriteti, për dokumentimin e aktivitetit përmes kërkimit në dosje dhe në procesverbale të asgjësimit dhe në listat e veçimit, duke i qëndruar parimit të ligjshmërisë dhe transparencës në informacionin që duhej t’i jepnim Prokurorisë së Përgjithshme.

Bëjmë me dije se ky kërkim i thelluar në fondet arkivore mori kohën e vet, sepse  kërkimi është realizuar pothuajse në mënyrë manuale. Autoriteti po vazhdon procesin e përpunimit të plotë të dokumenteve dhe po punon për mundësinë e automatizimit të mjeteve të kërkimit. Po ashtu, plotësimi me burimet njerëzore sipas strukturës dhe organikës të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe përmirësimi i infrastrukturës së ruajtjes do të ndikojë drejtpërsëdrejti në trajtimin e kërkesave në kohë sa më të shkurtër. Të gjitha këto problematika ndikuan në tërësinë e vet në vonesën e mbylljes së procedurës së shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për sa i takon deklaratave apo insinuatave të krijuara nga mediat apo përfaqësues të partive politike, deklarojmë me bindje se vonesa në përgjigjen e Autoritetit për Prokurorinë e Përgjithshme, kurrsesi nuk është e lidhur në mënyrë absolute me qëllim zvarritjen e këtij procesi, por ajo ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me argumentet e sipërcituara dhe me nevojën për nivel sa më të lartë ligjshmërie dhe standard transparence.

Njëherazi, vlerësojmë se publikimi i aktit administrativ nga portale të ndryshme apo media, në rastin konkret, publikimi i vendimit nr.12, datë 22 janar 2019 i Autoritetit, lidhur me dhënien e përgjigjes Prokurorit të Përgjithshëm, për verifikimin e figurës së pastërtisë të z. Bujar Sheshi, si kandidat për anëtar në KLP, i cili përmbante të dhëna personale dhe konfidenciale, jo vetëm që është në kundërshtim me parimet e përcaktuara në Nenin 4 të ligjit 45/2015, por bie ndesh dhe me parimet e përcaktuara në Nenin 8, “Parimi i konfidencialitetit” dhe Nenit 9 “Parimi i mbrojtjes së të dhënave”.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!