Romë 11-14 prill 2023, marrëveshje me Institutin e Historisë së Evropës Mesdhetare- Këshilli Kombëtar Italian i Hulumtimit, ISEM -CNR dhe takime të rëndësishme me fokus kujtesën

 

Romë 11-14 prill 2023, marrëveshje me Institutin e Historisë së Evropës Mesdhetare- Këshilli Kombëtar Italian i Hulumtimit, (ISEM -CNR) dhe takime të rëndësishme me fokus kujtesën

Një ekip i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), kryesuar prej kryetares Dr. Gentiana Sula mbajti një seri takimesh të rëndësishme në Romë, në datat 11-14 prill 2023, në kuadër të misionit të tij për nxitjen e dialogut mbi të shkuarën e vendit nën regjimin komunist, informimit dhe edukimit qytetarë mbi të. 

Në qëndër ishtë nënshkrimi i një Marrëveshje Bashkëpunimi me Institutin e Historisë Europiane Mesdhetare, pjesë e Këshillit Kombëtar Italian të Hulumtimit, me qëllim vendosjen e urave të bashkëpunimit në fushën e kujtesës, për rivlerësimin e personaliteteve dhe ngjarjeve historike. Ekipi mbajti takime me përfaqësuesit diplomatikë të shtetit, Ambasadoren Shqiptare në Romë, znj. Anila Bitri dhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Vatikanit, znj. Majlinda Dodaj, me një komunitet shqiptarësh që jetojnë në Romë si dhe me studiuesin shqiptar nga Kosova, z. Bejtullah Destani.

Ekipi i Autoritetit përbëhej nga : Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit;Dr. Albert Nikolla, Anëtar i Autoritetit; Dr. Ornela Arapi, Drejtoreshë e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar; Znj. Mirela Lame, Përgjegjëse e Burimeve Njerëzore, Znj. Nevila Turdiu përgjegjëse e Drejtorisë së Informacionit dhe znj. Migena Demirxhiu, zëdhënëse e Autoritetit.

 

-Nënshkrimi i marrëveshjes mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Institutit të Historisë së Evropës Mesdhetare- Këshilli Kombëtar Italian i Hulumtimit, (ISEM -CNR).

Më 11 mars u nënshkrua në Romë marrëveshja mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Institutit të Historisë së Evropës Mesdhetare të Kaliarit, Romës dhe Milanos- Këshilli Kombëtar Italian të Hulumtimit, (ISEM -CNR).

Marrëveshja e nënshkruar nga Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula dhe Drejtori i ISEM –CNR, Prof. Gaetano Sabatini ka si qëllim vendosjen e urave të bashkëpunimit në fushën e kujtesës për rivlerësimin e personaliteteve dhe ngjarjeve historike, si dhe për të ndihmuar në njohjen e së shkuarës.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha se, historia është një proces që nuk mund copëzohet gjatë studimit të saj.  Periudha e komunizmit nuk përqendrohej vetëm tek regjistrimet, tek përndjekja dhe survejimet, por dhe në të gjitha aspektet e tjera të jetës si ekonomia e sektorët e saj si: nafta, minierat etj.

 “Këto dokumente duhen studiuar që njerëzit të lexojnë historitë e tyre, kështu që ata do të kuptojë të shkuarën e tyre të mendojnë për vetën e tyre për çështjet që ende sot janë të pazgjidhura siç është vënia e drejtësisë në vend, çështja e të zhdukurve, që në ditën e sotme është një çështje shumë e forte, për shkak se janë mijëra persona që gjenden nën tokë diku të pagjetur.

Kur vjen puna tek Italia dhe Shqipëria janë dy vende të cilat kanë një histori të gjatë që i lidh. Përmendim këtu kishën katolike, martirët e saj, Ne kemi raste të personave, intelektualë shqiptarë që janë arsimuar në Itali, në vitet ‘20 – ’30, si Musine Kokalari në Romë dhe Sabiha Kasimati në Torino, dy intelektuale që u përndoqën, burgosën dhe njëra prej tyre edhe u pushkatua nga regjimi komunist.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të hedhim dritë në historinë bashkëkohore të Shqipërisë dhe Italisë, nëpërmjet kërkimeve, botimeve dhe projekteve të përbashkëta.”

Drejtori i ISEM –CNR, Prof. Gaetano Sabatini, në fjalën e tij pas vlerësoi punën e Autoritetit dhe rëndësinë që kanë burimet arkivore në studimin së shkuarës tha se : Marrëveshja e bashkëpunimit ka në fokus vlerësimin e burimeve arkivore dhe realizimin e aktivitet kërkimor shkencor lidhur me historinë e të përndjekurve politikë gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë ’39 - ’43, dhe në vijim të regjimit komunist 44` 91 për rindërtimin e historisë tërësore të një prej periudhave më të errëta të historisë së Shqipërisë”

Objekti i kësaj marrëveshje është shkëmbimi i njohurive, informacionit, ekspertizës dhe praktikave më të mira mbi arkivat, duke shkëmbyer po ashtu të dhëna mbi materiale arkivore dhe dokumente historike me interes të përbashkët.

Gjatë këtij bashkëpunimi përparësi do t'i jepet çështjeve që lidhen me:

-          rishqyrtimin dhe riorganizimin e historisë mbi të përndjekurit politikë të diktaturës komuniste (1944-1991);

-          rishqyrtimit të figurave historike të akuzuar apo/dhe survejuarve si të lidhur me pushtimin fashist të Shqipërisë (1939-1943), duke përfshirë përndjekjen politike në Itali dhe Shqipëri gjatë diktaturave;

-          shkeljes së të drejtave të qytetarëve, duke iu referuar veçanërisht rindërtimit të paanshëm historik të njërës prej periudhave më të errëta të historisë shqiptare dhe asaj evropiane.

Autoriteti dhe ISEM-CNR, mbështetur në parimet e aksesit të hapur, do të bashkëpunojnë në rindërtimin e arkivave me të dhëna mbi emigrantët e persekutuar dhe liderët politikë; në projekte shumëpalëshe edhe konferenca ndërkombëtare; në programe të përbashkëta kërkimore për mbrojtjen e arkivave, katalogimin dhe ruajtjen e materialeve dokumentare, si dhe thirrjes së rregullt të tryezave të rrumbullakëta dhe seminareve.

Autoriteti dhe ISEM-CNR ranë dakord të inkurajojnë bashkëpunimin e zgjeruar mes  arkivave për koleksione kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe sektorët  akademikë si dhe ndajnë praktikat më të mira me grupet e tyre të interesit përmes studimeve mbi rastet/ngjarjet, publikimeve, simpoziumeve dhe shpërndarjes së materialeve audiovizuale mbi konferencat/organizimet e përbashkëta.

I pranishëm në këtë marrëveshje ishte Presidenti i Institutit Kombëtar të Studimeve Romane z. Gaetano Platania, përfaqësues të ambasadës shqiptare në Romë dhe studiues të historisë.

 

-Takim me komunitetin shqiptar në Itali: Të pagjeturit dhe historitë personale të së shkuarës në fokus.

 

Në takimin me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Romë, Autoriteti i njohu ata nga afër me punën e bërë gjatë këtyre 7 viteve dhe misionin në drejtim  të zbardhjen e të shkuarës komuniste dhe edukimit qytetar me të.

 

Kryetarja Sula i njohu me marrëveshjen e nënshkruar me Institutin e Historisë Evropiane Mesdhetare, e cila ka si qëllim rishqyrtimin e historisë mes dy vendeve nëpërmjet studimit të dokumenteve nga grupe studiuesish, në kuadër të projekteve të përbashkëta.

 

Mes të pranishmëve ishte edhe z. Aldo Terruzi, i biri i Giusepe Terruzit, punonjësit të Bankës Tregtare Italiane në Vlorë, zhdukur në vitin 1947 në burgun e Burrelit, në të cilin vuante dënimin pas akuzave politike të regjimit të sapovendosur në vend.

Prej 30 vjetësh Aldo Terruzi kërkon eshtrat e të atit, si rreth 200 kërkues të tjerë, të cilët kanë paraqitur kërkesë pranë Autoritetit për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të pagjetur.

Gjatë takimit, z. Terruzi plotësoi formularin për të zhdukurit dhe u njoh me ndryshimet e reja e ligjore, si dhe hapat e ndërmarrë nga Autoriteti në lidhje me çështjen e të zhdukurve.

Ndër pjesëmarrësit ishte edhe znj. Keti Koçi Currani, një emigrante e fillim viteve të

tranzicionit, e cila vjen nga një familje me histori vuajtjesh në të kaluarën komuniste të vendit. Ajo u njoh me procedurat e aplikimit për informim në Autoritet dhe plotësoi formularin përkatës.

Pjesë e takimit ishin: znj. Rovena Sakja, aktiviste në fushën e arkivistikës e interesuar për studime të mëtejshme të dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit, avokati Saverio Kashuri, interesuar në zbardhjen e së shkuarës në planin e shkeljes së të drejtave të njeriut në komunizëm, si dhe studiuesja znj. Alma Hado.

 

-Takimi në Ambasadën tonë në Vatikan, me znj. Majlinda Dodaj

Më 13 Prill, ekipi i Autoritetit realizoi një takim me znj. Majlinda Dodaj, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vatikan me të cilën u bisedua për të krijimin e mundësive dhe realizimin e bashkëpunimit mes Autoriteti dhe Arkivit të Vatikanit në drejtim të zbardhjes së historisë së përndjekjeve dhe dhunës së ushtruar ndaj Klerit Katolik. 

 

Kisha Katolike e Shqipërisë dhe kleri katolik, ka përjetuar një persekutim tё pashembullt nёn regjimin komunist shqiptar. Lufta e ashpёr ndaj fesё dhe mbi tё gjitha kundër klerit katolik ka një dokumentim të gjerë në aktivitetin e ish-Sigurimit të Shtetit.

Kleri katolik u etiketua si reaksionar dhe u propagandua s figura simbol e armikut tё popullit.

 

Në vazhdën e dialogut shoqëror, edukimit qytetar me të kaluarën Autoriteti ka në planet e tij organizimin e një simpoziumi, në të cilin të mund të përfshihen studiues shqiptarë dhe italianë, të cilët janë marrë apo synojnë të merren me studimin e kontributit të klerit në fusha të ndryshme, gjatë periudhës 44-91, si dhe persekutimin e tij për rrjedhojë, ndaj edhe roli i Ambasadës në Vatikan është kyç në realizimin e sipërmarrjeve të tilla.

 

Në vijim, të këtij takimi, ekipi i shoqëruar nga znj. Dodaj kreu një vizitë në Muzeun dhe Lulishtet e Vatikanit, ku ndodhet dhe imazhi i Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve.

 

-Takimi e me ambasadoren shqiptare, Dr. Anila Bitri Lani

Me 14 prill, Kryetarja e Autoritetit për Informim me Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula zhvilloi takim e radhës me Ambasadoren e Shqipërisë, në Itali, Dr. Anila Bitri Lani.

Gjatë këtij takimi u zhvillua një bisedë rreth punës që kryen Autoriteti në drejtim të zbardhjes së të shkuarës komuniste dhe nevojës së zgjerimit të marrëdhënieve me partnerë evropiane në fushën e kujtesës historike.

Sula tha se, “institucioni ynë, tashmë i konsoliduar, është themeluar 7 vite më parë dhe nuk i ka ndalur përpjekjet në drejtim të hedhjes dritë në të shkuarën tonë komuniste. Ne kemi nisur të zbërthejmë të shkuarën që nga viktima e më gjerë, mbështetur në dokumentet e arkivit, dëshmitë gojore etj. Ndërkohë që po përpiqemi të zgjerojmë bashkëpunimet me Italinë me nënshkrimin e një marrëveshjeje të gjerë bashkëpunimi dhe ndërveprimi me Institutin i Historisë Evropiane Mesdhetare, pjesë e Këshillit Kombëtar të Kërkimit”.

Sipas saj, kjo marrëveshje synon mundësimin e krijimit të kushteve të kërkimit nga Italia dhe Shqipëria në drejtim të zbërthimit të ngjarjeve historike që lidhin dy vendet që nga lufta italo-greke, periudhën e pushtimit fashist në vend dhe më pas në komunizëm.

Në vijim, Sula, theksoi se bashkëpunimi me studiuesit italianë do të nisë me një nga projektet më ambicioze të Autoritetit, ajo e muzealizmit të kampit të Tepelenës, një ish-garnizon italian i ngritur gjatë luftës italo-greke, që u kthye nga regjimi komunist në një kamp i punës se detyruar për familjet shpallura armike.

Më tej, kryetarja bëri një paraqitje të tipologjisë së arkivës me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, mënyra sesi u ngrit kjo arkivë dhe objektivat për ta kthyer Autoritetin në një institucion kujtese.

Ambasadorja, Dr. Anila Bitri, tha se, “shqiptarët dhe italianët e kanë konsideruar bashkëjetesën si përqafim kulturash. Nxënësit dhe studentët e sotëm duhet të njihen me gjërat e së shkuarës, ndaj çdo përpjekje në këtë drejtim është e mirëpritur”.

Më tej, Lani shprehu vullnetin dhe mbështetjen për bashkëpunime konkrete me komunitetin shqiptar në Itali, i cili është i organizuar në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe, por dhe është integruar me shumë dinjitet dhe performancë në shoqërinë Italiane.

Vizita e Autoritetit për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit kishte në fokus rritjen e bashkëpunimit me institucionet e memories, si dhe krijimin e urave lidhëse me komunitetin shqiptar të emigruar pas viteve 1945 dhe atij të viteve pas rënies së komunizmit, në drejtim të sigurimit të dëshmive gojore mbi ngjarje të së shkuarës, rishqyrtimit të historisë, si dhe transmetimit të saj tek të rinjtë.

Sipas statistikave, sot në Itali jetojnë dhe punojnë rreth 600 mijë shqiptarë, si dhe studiojnë rreth 8 mijë studentë. Një numër i konsiderueshëm emigrantësh vijnë nga familje ish-të përndjekura gjatë regjimit komunist. Ata janë integruar në shoqëritë pritëse  Takimet me ta, Autoriteti i sheh si mundësi për të prezantuar punën e institucionit dhe krijuar dimensione dhe perspektiva të reja në fushën e kujtesës.