Njoftim për media
Tiranë, 01.06.2023 - Ndaj Autoritetit janë ngritur një padi administrative dhe një padi penale, nga përfaqësuesit ligjorë të shtetasit I.M. Në procesin e parë, që u zhvillua në Gjykatën Adminisrative, gjykata vendosi në favor të Autoritetit, ndërsa në procesin tjetër vendosi rrëzimin e ankimit të prokurorisë dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në lidhje me procesin e parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi padinë e përfaqësuesve ligjore të shtetasit I.M. në drejtim të Autoritetit për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, me objekt-kërkese: ”Detyrimin e organit administrativ Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Ish- Sigurimit të Shtetit për të kryer veprimin administrativ pajisjen e kërkuesit me aktet e kërkuara me kërkesën e datës 14.09.2022.” Gjykata Administrative vendosi me këtë rast: Rrëzimin e kërkesë-padisë së paraqitur nga paditësi, si të pabazuar në ligj dhe në prova. Ndërkohë, Autoriteti u njoh sot, nëpërmjet medias, me njoftimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor të Tiranës, vendim që rrëzon ankimimin e prokurorisë “Për mosfillimin e procedimit penal”, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumetat e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë. Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit deklaron se është në pritje të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Apelit ndërsa siguron publikun, se në veprimtarinë e tij zbaton parimet kushtetuese dhe ligjin e veçantë me të cilin normohet veprimtaria institucionale, si dhe respekton parimet e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat që ka çdo institucion. Parimisht, si në çdo rast kur vendimet përmbajnë detyrime për Autoritetin, Autoriteti vepron duke zbatuar detyrimet e përcaktuara nga gjykata ose i ankimon vendimet në gjykatat më të larta. Autoriteti vlerëson ndjekjen e të njëjtës rrugë edhe nga institucione të tjera, sipas kompetencave, si dhe është i hapur për bashkëpunime me të gjitha institucioneve në përputhje me ligjin në fuqi të Republikës së Shqipërisë.