Diskutime me grupet e interesit mbi Programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022 të AIDSSH

Tiranë, 24 prill 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një takim konsultativ me grupet e interesit, në kuadër të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm 2020-2022. Morën pjesë përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë, të të drejtave të njeriut dhe të organizmave që trajtojnë fatet e të zhdukurve me forcë.

Takimi u hap nga kryetarja, znj. Gentiana Sula, e cila nënvizoi rëndësinë e koordinimit me të interesuarit, të përparësive të AIDSSH-së për periudhën në vijim, me dëshirën për të marrë parasysh sugjerimet e të gjithë aktorëve në tryezë dhe harmonizimin e tyre në propozime të përbashkëta.

Në të njëjtën linjë vijuan diskutimin anëtari i Autoritetit, z. Marenglen Kasmi, dhe sekretari i përgjithshëm, z. Skënder Vrioni, të cilët paraqitën synimet e institucionit dhe qëllimet e tij, si dhe nevojën për mbështetje e koordinim me grupet e interesit.

Znj. Vitoria Fuqi, e sektorit të financës, bëri një paraqitje të plotë të programit buxhetor afatmesëm mbi të cilin po punon Autoriteti për periudhën 2020-2022.

Në përgjigje të objektivave të AIDSSH-së, z. Nebil Çika i Shoqatës Antikomuniste të të përndjekurve politikë u shpreh për vënie të theksit te fati i të zhdukurve me forcë në diktaturë, vendvarrimet e humbura dhe dinamikat njerëzore për zbulimin e së vërtetës dhe dokumentimin e saj. Gjithashtu, te planifikimi i fondeve për thellimin e këtij procesi nga Autoriteti, në bashkëpunim me aktorë të tjerë të përfshirë.

Në emër të ICMP-së, duke vënë në dukje arritjet e deritanishme të institucioneve bashkëvepruese, z. Luigj Ndou shtroi nevojën emergjente për planifikim fondesh të Autoritetit sa i takon çështjes se të zhdukurve, ku – pas ratifikimit të marrëveshjes nga qeveria shqiptare dhe prezantimit të aplikacioneve që gjenden edhe në faqen e Autoritetit, – janë zbuluar 36 vendvarrime të tjera dhe janë regjistuar rreth 600 kërkesa të provuara. Në emër të koordinimit të të gjitha institucioneve e shoqatave që veprojnë në fushën e kujtesës, z. Ardian Kati i Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit  të Traumës e Torturës paraqiti propozimet e veta për mundësinë e bërjes përpara me hapa të përbashkët e të organizuar me të gjithë të pranishmit të tryezë, institucione dhe shoqëri civile. Në këtë linjë ishte edhe fjala e z. Gjonç Gjonçi, përfaqësues i trashëgimtarëve të të pushkatuarve të Shqipërisë.

Diskutimet trajtuan me radhë tema të së shkuarës, që duhet vlerësuar me përparësi, në kuadër të përmbushjes së misionit të Autoritetit për transparencë, me nisma ligjore dhe hapa konkretë për akses të të interesuarve në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për nxitjen e dialogut publik, bashkëpunimin me institucionet dhe qytetarët në çështje të të drejtave të njeriut, duke ndihmuar hedhjen dritë në të shkuarën dhe përmbushur përgjegjësinë ndaj brezave të rinj për një shoqëri demokratike.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Reagim i Autoritetit të Dosjeve për vendimin e gjyqit me z. Bujar Sheshi

Tiranë, më 12 prill 2019 – Sot, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, ka vendosur Pranimin e Padisë së paraqitur nga z. Bujar Sheshi me objekt Shfuqizimin e Vendimit nr. 12, datë 22.01.2019, të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit.

Gjatë seancave gjyqësore të zhvilluara, nga pala e Paditur Autoriteti për Informim, janë paraqitur prova dhe fakte të shumta të cilat provojnë qëndrimin  e Autoritetit, të mbajtur në Vendimin nr. 12, datë 22/01/2019, sipas të cilit është vendosur se:

a) Z. Bujar Sheshi (Shesha), i datëlindjes 15.12.1957, vendlindja Tiranë, në kuptim të nenit 3 pika 4 dhe nenit 29, pika 2, gërma c, të ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, figuron në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor, Sektori V, drejtimi Inteligjencë – Rini, por nga verifikimet e deritanishme nuk disponojmë dokumente që të vërtetojnë aktivitetin e tij.

b) Z. Bujar Sheshi, sipas Nenit 29, pika 2, gërma c,  të Ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, figuron të ketë materiale, në emër të tij, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, si anëtar, me detyrë Hetues, në Sektorin e Hetuesisë së Degëve të Punëve të Brendshme të Fierit që nga viti 1979.

Sipas vendimit të sipërpërmendur, z. Bujar Sheshi figuron si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit në dy dokumente themeltare dhe autentike të arkivave të ish-Sigurimit dhe kjo është arritur të provohet në gjykatë, me prova dhe fakte të pakundërshtueshme, të paraqitura nga AIDSSH, me gjithë pretendimet e avokatit të Sheshit që nuk bëhej fjalë për të njëjtin person.

Mbështetur në Nenin 5 pika 1 të ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, “Autoriteti mbledh, ruan, administron dhe përdor dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas këtij ligji, duke përdorur, sipas nevojës, edhe informacionet nga regjistri qendror i gjendjes civile”.

Sa më sipër, mbi këtë bazë ligjore por jo vetëm, Autoriteti ushtroi funksionet e veta duke iu drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për informacion më të plotë për të saktësuar nëse ka persona të tjerë me këtë identitet apo gjeneralitete të përafërta me të, si Bujar Ramis Sheshi ose Shesha, në përputhje edhe me Formularin e aplikimit të plotësuar nga vetë kërkuesi, apo Bujar Rasim Shesha, sipas dokumenteve të sipërcituar.

Nga përfaqësuesit e AIDSSH-së dhe Avokaturës së Shtetit është argumentuar në gjykatë, përmes dokumenteve arkivore shtesë, se lidhja e tij me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit ka filluar që në kohën e diplomimit të tij në profilin Sigurim, emërimin si “Oficer” dhe më pas “Hetues” në Degën e Punëve të Brendshme.

Provat e paraqitura nga AIDSSH, përfshirë aktet adminstrative të brendshme, të strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit, kanë vërtetuar lidhjen dhe bashkëveprimin e pakundërshtueshëm të hetuesisë me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Këtë e dinë më së miri sidomos ata fatkeqë që kaluan kalvarin e dënimeve politike nëpër qelitë e hetuesive dhe familjarët e tyre, dosjet e të cilëve ruhen dhe administrohen pranë arkivit të AIDSSH-së.

Për sa më sipër, jemi te bindur se Vendimi i marrë sot nga një gjykatës i Gjykatës Administrative për të hedhur poshtë vendimin e një institucioni të specializuar dhe  kolegjial, është i padrejtë, i pabazuar dhe i pakuptueshëm, sidomos kur rrëzon ekzistencën e dokumenteve autentike të ish-Sigurimit të Shtetit për shtetasin Bujar Sheshi (Shesha), paraqitur në pikën 1a) të  vendimit nr. 12 datë 22.01.2019.

Gjykatësi duhet të kishte vendosur lënien në fuqi të Vendimit nr. 12 datë 22.01.2019 të AIDSSH-së dhe rrëzimin e padisë, si të pambështetur në ligj dhe në prova.

Për më tepër, ky vendim ka lidhje drejtpërsëdrejti me organet më të larta të drejtësisë, që të jenë të besueshme për publikun.

AIDSSH është e vendosur ta apelojë vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit, e bindur se interesi publik prevalon mbi atë individual, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.

Autoriteti i Dosjeve raporton në Kuvend

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit propozon që në Kodin Zgjedhor të jetë e sanksionuar që të gjithë të zgjedhurit, si në pushtetin vendor dhe atë legjislativ, të kalojnë në filtrat e këtij Autoriteti, pra të dëshmojnë se nuk kanë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit në kohën e komunizmit.

Propozimet, kreu i këtij Autoriteti Gentiana Sula ia ka dorëzuar Kuvendit gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve. Aktualisht ky kriter është vendosur vetëm për përfaqësuesit e organeve të reja të drejtësisë.

Tv Klan

Kliko KËTU për videon.

Fjala e Kryetares Gentiana Sula në Kuvend – Raportimi për Vitin 2018

Të nderuar deputetë,

Raportimi i sotëm përmbledh punën e bërë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë vitit 2018, ecurinë në 2019 dhe synimet për më tej.

I krijuar në frymën e Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (2006), sot, 80 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, 75 vjet nga çlirimi i vendit dhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, AIDSSH e zhvillon veprimtarinë e vet në respekt të vlerave europiane e properëndimore, me qasje strategjike që ka në themel të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e tij, lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit dhe shtetin e së drejtës.

AIDSSH ka hyrë në vitin e tretë të funksionimit, ku mundëson ushtrimin e së drejtës së çdo të interesuari për t’u informuar mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vit me jo pak përpjekje dhe suksese të arritura ditë pas dite: 68 mbledhje dhe 482 vendime, 463 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar, 184 kërkesa për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, 612 aplikime individuale, 172 kërkesa institucionale, studimore dhe mediatike, 57 kërkesa për rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, në kuadër të plotësimit të objektivit 16 të zhvillimit të qëndrueshëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së OKB-së për Zhdukjet me Forcë, 33.700 fletë dokumente arkivore të deklasifikuara, 82.150 faqe të vëna në dispozicion në 2018.

Kërkesat kanë ardhur në rritje të konsiderueshme, po ashtu aktivitetet e institucionit. Veprimtaria e Autoritetit, në bazë të ligjit organik 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe akteve të tjera ligjore që normojnë funksionimin e institucionit, është fokusuar në tre drejtime kryesore:

Së pari, aksesimi i çdo qytetari në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Së dyti, vlerësimi i cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas një hierarkie të parashikuar në ligj, si dhe të gjithë të zgjedhurve nga populli, deputetë dhe të zgjedhur vendorë;

Së treti, krijimi i infrastrukturës së duhur për mundësimin e kërkimit shkencor dhe informimin e medias mbi veprimtarinë dhe historikun e ish-Sigurimit të Shtetit.

Arkivi

Në funksion të realizimit të detyrimeve ligjore të renditura më lart, AIDSSH ka marrë në administrim gjithë dokumentet e krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, që janë disa qindra mijëra dosje mbi 2.2 km dokumente, ku rreth 70% e tyre përbëjnë sekret shtetëror dhe kërkojnë administrim, ruajtje dhe qarkullim sipas ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” dhe akteve të tjera nënligjore. Për këtë arsye, gjithë stafi i AIDSSH-së ka detyrimin ligjor të pajiset me certifikatë sigurie.

Aktualisht, dokumentet arkivore, megjithëse ka përfunduar procesi i marrjes në dorëzim, sipas VKM nr. 98/2017 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit nën administrimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të  materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe në autoritetet e tjera publike”, fizikisht vazhdojnë të jenë në ambientet e SHISH-it dhe Ministrisë së Brendshme, duke krijuar vështirësi serioze, deri në cenim të pavarësisë së institucionit tonë.

Informimi

Tregues kryesorë të fluksit të punës së deritanishme të AIDSSH-së:

Kërkesa individuale rreth 1000, për rreth 700 prej tyre ka përfunduar procesi.

Produkt i kërkesave institucionale, 1300 zyrtarë të verifikuar për dhënien e informacionit mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Rreth 200 kërkesa nga studiues dhe media. Janë shërbyer qindra dosje dhe janë digjitalizuar mbi 150 mijë faqe dokumente.

Që nga krijimi e deri më sot, në adresë të Autoritetit janë paraqitur rreth 80 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, pjesa më e madhe të përfunduara, në proces verifikimi 22 kërkesa.

Gjatë vitit 2019, për shkak të ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit dhe për faktin që është vit zgjedhor, pritet dhjetëfishim i punës së Autoritetit.

Kërkimi shkencor dhe edukimi qytetar

Një strategji gjithëpërfshirëse komunikimi që është fokusuar te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH-së në 2018. Institucioni e ka zhvilluar aktivitetin e vet jo vetëm në Tiranë, me vëmendje në datat përkujtimore e personalitetet historike, por ka lëvizur në të gjithë vendin, me bashkëpunime konkrete me komunitetet lokale, si në Shkodër, Tepelenë, Konispol, Pukë, Mirditë, Berat, Korçë e Gjirokastër. Po ashtu, jashtë vendit, me marrëveshje bashkëpunimi apo shkëmbime përvojash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Çeki, Poloni, Bullgari, Rumani, Izrael, duke arritur shumë individë, bashkësi dhe institucione të kujtesës.

Përkujtimi, në përgjithësi ka pasur synim ekspozimin e materialit arkivor të disponuar, në formë digjitale dhe të përpunuar sipas ligjit të të dhënave personale, me pjesëmarrje aktive të historianëve të fushës dhe periudhës, duke bërë bashkë sa më shumë grupe të shoqërisë, përfshirë rininë.

Arkivi që zotëron AIDSSH ka vlerë historike, po aq sa operative. Si rezultat, puna jonë është organizuar në kuadër të së drejtës për njohje, informim, të kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar, në partneritet me organizmat publike, homologe, institutet e studimeve akademike dhe institucionet e sigurisë kombëtare. Përgjatë 2018-s është konsoliduar bashkëpunimi ndërinstitucional, janë lidhur disa marrëveshjeve bashkëpunimi dhe është punuar aktivisht për hapjen e dialogut lokal në komunitete, duke i shtuar përmasën gjeografike aktiviteteve me bashkitë e përmendura më sipër.

Po ashtu, janë materializuar nismat për projekte të kujtesës me organizma ndërkombëtarë e donatorë, si Prezenca e OSBE-së, PNUD në Shqipëri, Ambasada Gjermane, Italiane, Amerikane, Zvicerane, Komisioni Europian, të cilët kanë ofruar mbështetje për Autoritetin, në kuadër të drejtësisë tranzicionale dhe pozicionit të rëndësishëm të tij në raportin me të shkuarën.

Produkt konkret i këtyre bashkëpunimeve ishin konferenca shkencore ndërkombëtare “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipërinë e viteve 1945-1990”, ekspozitat e shumta dokumentare, krijimi i dy platformave ndërvepruese të komunikimit Edhe Muret Kanë Veshë, www.evenwallshaveears dhe www.dosjet.gov.al, realizimi i njëkohshëm i instalacionit artistik Edhe Muret Kanë Veshë në sheshet qendrore të 6 qyteteve të vendit, bazuar mbi dëshmitë gojore, dhe botimi i shumë hulumtimeve të kontekstualizuara mbi personalitete dhe ngjarje historike të lidhura me komunizmin, si dëshmitë e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës, studimi mbi të dënuarit e “Kënetës së Maliqit”, ai mbi Sabiha Kasimatin, Studimi kornizë mbi sistemin e burgjeve, internimit dhe punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri e të tjerë.

Për realizimin e sa më sipër janë kaluar jo pak sfida. Duke e vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe duke shpresuar realisht në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve, më poshtë renditen shqetësimet dhe nevojat prioritare për mirëfunksionimin e institucionit, mes të cilave:

  • Plotësimi i strukturës së miratuar nga Kuvendi. Aktualisht, Autoriteti i kryen funksionet e veta me 50 % të stafit, fakt që na përball me radhë të gjata, rrit kohën e pritjes për marrje shërbimesh dhe ndikon proceset tona të përditshme të punës. Për këtë, është e nevojshme të respektohet Vendimi 95/2016 i Kuvendit të Shqipërisë “Mbi miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish­ Sigurimit të Shtetit”, për 60 (gjashtëdhjetë) punonjës që duhet të ishin. Shpenzimet për paga dhe investime nuk krijojnë kushtet e nevojshme të punës, kur ndodhemi përpara një situate me numër të shtuar të kërkesave individuale, institucionale dhe nga studiues e media gjatë vitit 2018 dhe prirjen në rritje të këtyre kërkesave në fillimin e vitit 2019, duke përmendur që ky është viti i zgjedhjeve për pushtetin vendor apo vetingut në Policinë e Shtetit.
  • Krijimi i kushteve optimale për ushtrimin e veprimtarisë së AIDSSH-së, në dhënien e fondeve përkatëse për rikonstruksionin e godinës së re, ku nëse do të konsiderojmë faktorët që sjellin riskun e lartë fizik dhe sigurinë që mbart në vetvete fondi arkivor i shpërndarë në institucione të ndryshme, përfshirë këtu mungesën e kushteve fizike optimale, temperaturat e larta që ndikojnë negativisht në ruajtjen e dokumenteve arkivore dhe mungesën e eficiencës në punë të administratës së AIDSSH-së gjatë procesit të administrimit të dokumentacionit arkivor të kërkuar nga subjektet e parashikuara nga zbatimi i ligjit 45/2015, e bëjnë mëse të domosdoshme ndërhyrjen urgjente të Qeverisë në këtë drejtim. Rikujtojmë detyrimin e Qeverisë për të plotësuar kushtet e punës për plotësimin e strukturës, dhe fonde për investime në zbatim të ligjit organik 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, neni 7, pika 6, ku thuhet “Autoriteti, me kërkesën e tij, pajiset nga Këshilli i Ministrave me mjedise dhe i krijohen kushtet e nevojshme të punës“.
  • Është në të mirën e punës së funksionimit me përbërje të plotë të Anëtarësisë së Autoritetit, zhvillimi i procedurave të nisura nga Kuvendi për zëvendësimin e një prej anëtarëve të Autoritetit, i cili ka mëse një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe ende nuk kanë përfunduar procedurat, fakt ky që vështirëson vendimmarrjen kolegjiale të institucionit.
  • Është i nevojshëm ndryshimi i VKM-së nr. 187, datë 8/3/2018, në mënyrë që punonjësit e arkivit të AIDSSH-së të përfitojnë shtesën për kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin.

Mbetemi shpresëplotë se bashkëpunimi dhe koordinimi me strukturat e Kuvendit të Shqipërisë do të shërbejë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të renditura më lart, që do të krijojnë mundësinë e funksionimit normal të punës, por në të njëjtën kohë, na vendos përpara detyrave të rëndësishme që të gjithë bashkë duhet të realizojmë për përmbushjen me sukses të misionit të AIDSSH-së.

Për këtë, AIDSSH shpreh nevojën edhe për disa ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e tij, në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe autoritetet publike, si:

  • Ndryshime të mundshme në Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”

Nisur nga eksperiencat më të mira të institucioneve homologe në vendet e Evropës Lindore, nisur nga përgjegjësia për shërbim sa më cilësor qytetarëve, institucioneve, studiuesve dhe medias, si dhe praktikave të krijuara në zbatimin e ligjit 45/2015, AIDSSH po punon për përmirësimin e ligjit, duke bërë disa shtesa apo ndryshime në nene të veçanta të ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, që do të rregullojnë dhe do të mundësojnë produkt më cilësor të institucionit. Këto propozime, pas trajtimit të posaçëm dhe miratimit përfundimtar në Autoritet, i përcillen Kuvendit të Shqipërisë.

  • Ndryshime të mundshme në ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ.

Është vetë institucioni i MEPJ që, mbi bazën e këtyre ndryshimeve ligjore (nëse do të miratohen nga legjislatori), do të ndërhyjë në dispozita të veçanta në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si në procedurat e rekrutimit në Shërbimin e Jashtëm.

  • Ndryshime të mundshme në Ligjin 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. 

Autoriteti, mbi bazën e informacionit, dijeve dhe eksperiencës teknike të përftuar si përvojë nga zgjedhjet e kaluara, ka përgatitur një draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, ku mbetemi të hapur dhe për variante të tjera të mundshme, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, të cilat besojmë se komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore do t’i materializojë në dispozita të reja ligjore. Ky draft i është përcjellë gjatë muajit nëntor 2018 edhe Kuvendit të Shqipërisë.

  • Ndryshime të mundshme në Vendimin nr.188 datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe në Pyetësorin e Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit

Autoriteti vlerëson dhe e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionin e DSIK-së, për të punuar së bashku, lidhur me disa shtesa apo ndryshime që mund t’i bëhen Vendimit nr. 188 datë 04.03.2015, “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe Pyetësorit të Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit.

Sa më sipër, referuar praktikave të krijuara, problematikave të shfaqura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të këtij institucioni, si dhe në kuadër të vendosjes së standardeve dhe unifikimit apo përafrimit të legjislacionit midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese apo të pavarura, është parësor bashkëpunimi ndërinstitucional, ku AIDSSH është i gatshëm të jetë pjesë edhe e grupeve të punës mbi reformën në sistemin zgjedhor, partitë politike, etj.

Synimet e AIDSSH-së në të ardhmen kanë të bëjnë me:

-Përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues;

-Plotësimin e strukturë/organikës së AIDSSH-së;

-Ngritjen e infrastrukturës ligjore dhe logjistike në procesin e transferimit të dokumentacionit të disponueshëm nga AIDSSH, nga vendruajtjet aktuale në godinën e re të Autoritetit;

-Deklasifikimin në total të dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare;

-Zhvillimin e procedurave ligjore për trajtimin dhe përmbylljen e 1000 kërkesave në vit;

-Shkurtimin e afateve kohore të shërbimit të dokumentacionit, në funksion të përgjigjes së kërkesave të paraqitura nga subjektet e interesuara;

-Indeksimin digjital të dokumentacionit të administruar nga ana jonë;

-Realizimin e dy konferencave në vit dhe dy dialogëve lokalë;

-Uebin funksional www.dosjet.gov.al, po ashtu dhe për burgjet e kampet e internimeve në vend.

Autoriteti synon të jetë një organ profesional efektiv, me personel të angazhuar dhe të kualifikuar, të aftë për të vendosur partneritete me homologë vendas dhe ndërkombëtarë.

Raportimi i AIDSSH-së në Kuvend për vitin 2018

Tiranë, 10 prill 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit raportoi për punën e tij gjatë vitit 2018 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula bëri një paraqitje të produkteve dhe arritjeve të veprimtarisë së institucionit, duke renditur treguesit kryesorë të fluksit të punës së deritanishme: rreth 1000 kërkesa individuale, ku për rreth 700 prej tyre ka përfunduar procesi; 1300 zyrtarë të verifikuar për dhënien e informacionit mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit  nga kërkesat institucionale; rreth 200 kërkesa nga studiues dhe media, ku janë shërbyer qindra dosje dhe janë digjitalizuar mbi 150 mijë faqe dokumente.

Që nga krijimi e deri më sot, në adresë të Autoritetit janë paraqitur rreth 80 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, pjesa më e madhe të përfunduara, në proces verifikimi 22 kërkesa.

Gjatë vitit 2019, për shkak të ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit dhe për faktin që është vit zgjedhor, pritet dhjetëfishim i punës së Autoritetit.

E fokusuar në tre drejtime: – aksesi i çdo qytetari në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij; vlerësimi i cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas një hierarkie të parashikuar në ligj, si dhe të gjithë të zgjedhurve nga populli, deputetë dhe të zgjedhur vendorë, dhe krijimi i infrastrukturës së duhur për mundësimin e kërkimit shkencor dhe informimin e medias mbi veprimtarinë dhe historikun e ish-Sigurimit të Shtetit, – puna e Autoritetit ka njohur jo pak sfida.

Sipas kryetares Sula, “administrimi i disa qindra mijëra dosjeve, mbi 2.2 km dokumente, ku rreth 70% e tyre përbëjnë sekret shtetëror dhe vënia e tyre në dispozicion të publikut, po ashtu, arritja e sa më shumë qytetarëve, të interesuarve dhe rinisë me informacion mbi të kaluarën, nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse komunikimi, që fokusohet te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë, e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH-së në 2018, me komunitetet lokale, si në Shkodër, Tepelenë, Konispol, Pukë, Mirditë, Berat, Korçë e Gjirokastër. Po ashtu, jashtë vendit, me marrëveshje bashkëpunimi apo shkëmbime përvojash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Çeki, Poloni, Bullgari, Rumani, Izrael, duke arritur shumë individë, bashkësi dhe institucione të kujtesës”.

Relatori, z. Shametaj, paraqiti komentet për punën e Autoritetit dhe sugjerimet për të ardhmen. Pjesë e diskutimeve, me pyetjet dhe sugjerimet përkatëse ishin deputetët Fino, Hysi dhe Braho, të cilët e vunë theksin te aktiviteti i Autoritetit për informimin e shoqërisë, që te verifikimi i figurave, deri te rikrijimi i kuadrit historik përmes kërkimit shkencor. Sipas kryetarit të komisonit, z. Ulsi Manja “roli i Autoritetit në zbardhjen e së shkuarës, nëpërmjet dokumentacionit arkivor të administruar, është shumë i rëndësishëm për shoqërinë e sotme shqiptare, që hedh hapa drejt Europës dhe duhet të ndahet qartësisht nga e shkuara komuniste”.

Në emër të Autoritetit, kryetarja Sula paraqiti nevojën për disa ndryshime ligjore, referuar praktikave të krijuara, problematikave të shfaqura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të institucionit, dhe në kuadër të vendosjes së standardeve e unifikimit apo përafrimit të legjislacionit midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese apo të pavarura.

Për këtë, është parësor bashkëpunimi ndërinstitucional, ku AIDSSH është i gatshëm të jetë pjesë edhe e grupeve të punës mbi reformën në sistemin zgjedhor, partitë politike, etj.

Ndryshimet e kërkuara ligjore kanë të bëjnë me Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;  Ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ; Ligjin nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”,  i ndryshuar, me draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, që komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore mund t’i materializojë në dispozita të reja ligjore, si dhe Ndryshime të mundshme në Vendimin nr.188 datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, si dhe në Pyetësorin e Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit.

Ndryshimet e mësipërme si dhe kërkesat konkrete për mirëfunksionimin e punës së AIDSSH-së iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë.

Abstraktet fituese për Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”

Tiranë, 22 Mars 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, organizoi më datë 22 mars 2019, takimin e rradhës të komisionit shkencor të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”, në përfundim të të cilit u përzgjodhën abstraktet fituese për pjesëmarrje në konferencë. Në këtë fazë të parë u paraqitën 40 abstrakte nga studiues të ndryshëm, nga të cilat u përzgjohën aplikantët dhe temat si më poshtë:

  1. Anjeza Xhaferaj – Revolucioni permanent në letërsi: Lufta kundër ‘Armikut të klasës’.
  2. Gjon Boriçi – “Kleri katolik shqiptar si imazhi simbol i perceptimit tё armikut tё popullit nga diktatura komuniste nё Shqipëri”.
  3. Lorenc Agalliu – “Armiku i djeshëm”, “kundërshtar i sotëm”. Metodat e përndjekjes ndaj klerit dhe çrrenjosja e fesë në Shqipëri gjatë viteve 1945-1967.
  4. Adriana Duka – Kleri si “armik i popullit” në letërsinë shqipe.
  5. Ilir Ademaj – Pakicat e Padëshiruara: ‘Çamët e pabesë’ si kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Rasti i disidentit Bilal Xhaferri.
  6. Gjergj Sinani – Projektimi i “armikut të popullit” dhe ideologjia e tjetërsimit të individit.
  7. Thoma Shkira – Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj klerit ortodoks në Shqipëri (1944-1990).
  8. Leke Tasi – ‘Armiku i popullit’.
  9. Erjon Papagjoni – Kleri shqiptar, ‘Armiku i popullit’ formë e mprehtë e disidencës antikomuniste.
  10. Arjan Shahini – Edukimi i armatës së Sigurimit me imazhin e armikut.
  11. Vasfi Baruti – ‘Fytyra e armikes së popullit’ Ramize Gjebrea.
  12. Hamit Kaba – “Imperializmi amerikan-armik i përhershëm i regjimit komunist në Shqipëri”.
  13. Celo Hoxha – Armiku i vërtetë i popullit.
  14. Afrim Krasniqi – Koncepti i “armikut” në aktet politike në fundin e vitit 1990 dhe fillimet e vitit 1991.
  15. Brunilda Prifti – Përjashtimi nga historia e letërsisë, si dënim për shkrimtarët “armiq”.
  16. Enis Sulstarova – “Armiku në romanet e novelat me agjenturë të realizmit socialist”.
  17. Jonila Godole dhe Valbona Bezati – Politika kufitare gjatë regjimit komunist shqiptar.
  18. Etleva Smaci – Metamorfoza e “armikut të klasës” në radhët e Ushtrisë Popullore. Nga “oficeri i deklasuar” tek “oficeri puçist dhe oficeri poliagjent” (1954 – 1983).
  19. Julian Bejko – Imazhe, armiq dhe vese në shoqërinë komuniste.
  20. Suzana Kuka – Kur artisti shpallej “Armik i Popullit”.
  21. Sheldiana Jano – Lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptin e saj përgjatë regjimit.
  22. Edona Jahiu – Konceptet: disidencë, disident në kuadër më të gjerë teorik.
  23. Florin Zyberaj – Disidenca shqiptare midis mitit dhe realitetit, rasti i Havzi Nelës.
  24. Luljeta Progni – Si e njoha unë “armikun e popullit”.
  25. Ana Lalaj – Disidenca në Shqipëri.
  26. Leonora Laçi – Dy “armiq të popullit” përmes dokumenteve të manipuluara, mons.Frano Gjini dhe mons. Zef Oroshi.
  27. Alma Mile – Fati i revistave kulturore “reaksionare” pas vendosjes së diktaturës në Shqipëri. Çfarë i bënte “armiqësore” revistat kulturore të viteve ’30-’40, ku shkruan Fishta, Koliqi, Merxhani, Poradeci, Migjeni, etj.
  28. Altin Hazizaj – Beyond Criminalisation: How Albania is changing its brutal communist past towards acceptance and respect for the LGBTI community.
  29. Jozef Radi – “Armiku i Popullit” në gjenetikën e diktaturës.

Autoriteti për informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e organizon këtë konferencë në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë

Konferenca do të përqendrohet nё këto tematika kryesore:

  1. Diskutim teorik mbi konceptet disidencë, disident, kundërshtar politik.
  2. Kontribute mbi debatin: A ka pasur disidencë në Shqipëri?
  3. Ngjashmëri dhe dallime në vizatimin e “armikut të popullit” midis Shqipërisë dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës Lindore e Qendrore.
  4. Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj tyre (“kriminelët e luftës”, kleri, intelektualët e shkolluar në Perëndim, tregtarët dhe pronarët, kulakët, “armiku i popullit” brenda radhëve të Frontit Demokratik dhe PKSH/PPSH).
  5. Evolucioni i konceptit “armik i popullit” gjatë viteve të diktaturës së proletariatit.
  6. Lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit.
  7. Sigurimi i Shtetit si instrument përndjekjeje.
  8. Profile të ndryshme të “armikut të popullit”.

 

Komisioni shkencor përbëhet nga:

Akademik Beqir Meta (ASA)
Dr. Marenglen Kasmi (AIDSSH)
Dr. Adriana Topi (AIDSSH)
Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi (ASA)
Dr. Çelo Hoxha (ISKPK)

Për më shumë informacion mbi Konferencën “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”, nga ndiqni në faqen: http://autoritetidosjeve.gov.al/fytyra-e-armikut-te-popullit/

Për t’u informuar mbi formularin e aplikimit të përdorur për pjesëmarrje në konferencë, klikoni në linkun në vijim: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLScsuszvs6zQ-XAILJ1_cRKeejtRP0VKOHQ8PsADtvY5CqFZEw/viewform

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Speciale / Autoriteti i Dosjeve: Rreth 32 milionë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, në pritje për t’u hapur

Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimi mbi këto dokumente ka qenë prej vitesh një nga dilemat e mëdha me të cilat është përballur shoqëria shqiptare pas periudhës së komunizmit. Edhe pse një proces tashmë i vonuar, hapja e dosjeve duket se ka filluar të japë informacion dhe të hedhë dritë mbi vitet e diktaturës përmes ngritjes së institucionit të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në muajin prill të vitit 2015 në Kuvendin e Shqipërisë u miratua ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të RPSSH”, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin dhe informimin mbi dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944-1991. Ndërsa në nëntor të 2016-ës, Kuvendi i Shqipërisë votoi edhe pesë anëtarët e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit si edhe kryetaren e këtij Autoriteti, duke i hapur kështu udhën fillimit të punës për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe përballjen me të kaluarën e tyre gjatë regjimit totalitar në Shqipëri. Por si funksionon Autoriteti i Dosjeve?! Në ç’mënyrë ruhen dhe administrohen dosjet në këtë institucion dhe cili është historiku i Arkivit të Sigurimit të Shtetit?!

PUNA, VETËM ME GJYSMËN E PUNONJËSVE, KËRKESAT PËR INFORMACION, NË RRITJE

Me një strukturë tashmë të përcaktuar, pjesë e të cilës janë disa drejtori, si: Drejtoria e informacionit, Drejtoria e Arkivit që është themelore, Drejtoria e studimit dhe edukimit qytetar, etj., Autoriteti ka filluar punën e tij pa bazë dhe traditë të mëparshme dhe në këto dy vite të funksionimit të tij ka një numër kërkesash në rritje të qytetarëve. Kështu, vetëm gjatë 2017 pranë Autoritetit janë paraqitur 281 kërkesa individuale, ndërsa në vitin 2018- 612 kërkesa. Përpunimi i dosjeve, që ka të bëjë me disa kërkesa të ligjit për efekte të sigurisë kombëtare, të sekretit shtetëror dhe të anonizimit, mbrotjes të të dhënave personale të individëve, për të mos shkaktuar konflikte dhe keqinterpretime, është një proces i rëndësishëm që ndiqet në Autoritet, pikërisht nga Drejtoria e Informacionit. Vetëm gjatë vitit 2017 janë dorëzuar te kërkuesit 30 mijë faqe informacion, prej të cilave 9 mijë faqe të anonimizuara. Ndërsa për vitin 2018, kërkuesve u janë dorëzuar mbi 42 mijë faqe informacion nga të cilat 14 900 faqe të anonimizuara. Siç pohon, Selami Zalli, përveç infrastrukturës, pasi Autoriteti ka dy arkiva të shpërndarara në distancë goxha të largët, si dhe nuk ka numrin e nevojshëm të punonjësve, procesi më i vështirë është pikërisht anonizimi.Sipas tij, informacioni në Autoritet është i hapur për lexim dhe studim nga të gjithë, por megjithatë ka tre raste kur ligji e pengon diçka të tillë: në rastet kur është në pikëpyetje siguria kombëtare, kur kemi të bëjmë me sekret shtetëror, rastet kur dosja kërkohet nga organet e gjyqësorit për një periudhë të caktuar dhe rastet kur bashkëpunëtorët nuk jetojnë, trashëgimtarit nuk i jepet informacion për bashkëpunëtorin, përveç rasteve kur diçka e tillë kërkohet për efekt studimor apo nga media.

Drejtoria e Informacionit merret edhe me kërkesat, që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë, që ka të bëjë me procesin e dëmshpërblimeve, ndërsa një proces që i është dhënë prioritet në Drejtorinë e Informacionit është edhe verifikimi që bëhet në bazë të kërkesave të institucioneve, në rastet e verifikimit të pastërtisë së figurës dhe në rastet e ngritjes në detyrë dhe emërimeve të reja., gjë që fillimisht solli jo pak anomali, për shkak të kartelave dhe anës teknike se si realizohet, por tashmë është një process që është vendosur në shina dhe që bëhet në mënyrë të saktë dhe të plotë.  Kështu, për vitin 2018 në autoritet kanë ardhur 67 kërkesa nga institucione të ndryshme përkundrejt në total të 463 individëve.

Siç theksojnë drejtuesit e Autoritetit, jo pak herë njerëzit nuk dinë as çfarë presin nga Autoriteti, por me kohën një gjë e tillë është qartësuar. Ata theksojnë se Autoriteti është vetëm konstatues dhe informues. Ajo që mund të vërehet është se kërkesat më të mëdha vijnë nga njerëzit që kanë vuajtur nga regjimi dhe trashëgimtarët e tyre, ndërsa nuk është i paktë interesimi edhe nga studiuesit dhe gazetarët.

NË BRENDËSI TË DOSJEVE

Por, si janë seleksionuar këto dosje dhe çfarë gjendet në brendësi të tyre?!

Në këto ambiente ruhen të gjithë dokumentet e krijuar gjatë periudhës së ish Sigurimit të Shtetit nga viti 1944-1991. Këto dokumente kanë të bëjnë së shumti me dokumente administrative, dokumente të proceseve hetimore-gjyqësore, dokumente të rrjetit agjenturor dhe dokumente të tjerë të përdorur nga ish strukturat e Sigurimit të Shtetit.

Topi bën me dije se në Arkivin e Autoritetit për Informim mbi dokumentet ish Sigurimit të Shtetit ruhen dokumente të larmishëm, duke flluar nga personat që viheshin në survejim, dosjet e përpunimit paraprak, dosjet e përpunimit 2B apo 2A, dosje të hetimit dhe gjykimit etj.

Strukturat e ish Sigurimit mbështeteteshin më së shumti në tre drejtori kryesore të ish sigurimit dhe drejtoria e dytë ishte ajo e ish zbulimit politik.

Por çfarë përmban pikërisht një dosje e tillë?!

Dokumentet në Arkivin e Autoritetit janë të klasifikuar në fonde arkivore. Fondet kryesore janë fondet e tre drejtorive të ish sigurimit të shtetit, fondi hetimor gjyqësor, fondi arkivor i degëve të punëve të brendshme të strukturave t ëish sigurimit të shtetit, fondet arkivore që kanë të bëjnë me të huajt, por edhe fondet që kanë të bëjnë me të arratisurit nga territori i Republikës së Shqipërisë, rrjeti agjenturor i ndërtuar në atë kohë dhe gjithë veprimtaria e tyer është e dokumentuar. Për Topin  një thesar, për shkak të ndihmës së jashtëzakonshme që jep në përditshmërinë e punës në Autoritet janë mjetet e kërkimit, që kanë krijuar strukturat e Arkivit të ish Ministrisë së Punëve të Brendshme.

ARKIVI I DËSHMIVE GOJORE

Përveç dokumenteve të shkruar, pjesë e këtij arkivi janë edhe disa materiale audiovizuale, ndërkohë që po punohet edhe për ngritjen e një fondi të dëshmive gojore.

Komunikimi i ndërsjelltë me studiuesit, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi qytetar ku institucioni synon përmes dhënies së informacionit ka bërë që Autoriteti të ndërmarrë disa aktivitete. Këto nisma pozitive, ndër të cilat Ditët e Kujtesës, përkujtimi i masakrës së 22 të ekzekuturave në Mënik, pezë etj., janë vetëm disa prej aktiviteteve, ndërsa sigurisht ka vend edhe për përmirësim, pse jo edhe në disa pika të ligjit për Autoritetin për Informim.

Për të përfunduar, hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit është një proces i rëndësishëm dhe i vonuar për shoqërinë shqiptare. Jo pak herë, siç konfirmojnë edhe punonjës të Autoritetit është vërejtur se këto dosje kanë kaluar në procese koleksionimi dhe ndërhyrjesh, çfarë për dikë mund të verë në pikëpyetje informacionin që ato mbartin. Megjithatë, ato janë çelësi më i sigurt për të shkuar te e shkuara komuniste, për të studiuar dhe për të kuptuar më mirë atë çfarë ndodhi në Shqipëri përgjatë gjysmëshekulli.

TË DHËNA- TABELË

Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit janë krijuar në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.

Autoriteti ka funksionin e administrimit të 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-Sigurimit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të personave të përndjekur nga ish-Sigurimi, disa mijëra regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative.

Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish–Sigurimi i Shtetit në një Shqipëri që asokohe nuk i kalonte 3 milionët.

Historiku i hapjes së dosjeve në Shqipëri

Ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të RPSSH-së” është i treti ligj i miratuar me nr. 45/2015, i miratuar pas dy ligjeve të mëparshme:

Ligji nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare

Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.

Autoriteti ka kërkuar dokumentet origjinale nga arkivat me të cilat bashkëpunon të akteve të miratuara sipas këtyre dy ligjeve.

Struktura e Autoritetit

Aparati i AIDSSH përbëhet nga dy pjesë kryesore: pjesa vendimmarrëse që është e përbërë nga 5 vetë si dhe pjesa e sekretariatit teknik, e përbërë nga 55 vetë. Kjo e fundit ndahet në 5 grupe, ose pesë departamente.

Departamenti i parë është departamenti i arkivave, që merret me mbledhjen, grumbullimin, përpunimin, indeksimin dhe dixhitalizimin e arkivës.

Departamenti i dytë është departamenti i informacionit që ka si funksion dhënien e informacionit për publikun, personat e prekur ose personat punonjës të këtij shërbimi, për autoritetet publike që kërkojnë informim ose për studiuesit që në bazë të ligjit kanë akses në këtë informacion.

Departamenti i tretë është ai i kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar. Ky departament koordinohet me institucione të studimit të historisë në vend.

Departamenti i katërt është departamenti që merret me financën, prokurorimet, pjesët gjenerike.

Departamenti i pestë është ai i sigurisë. Ky departament bën të mundur që informacioni të trajtohet me sigurinë maskimale si dhe garantimin e kushteve të deklasifikimit dhe hapjes për publikun në mënyrën më të përshtatshme.

Kliko KËTU për artikullin e plotë.

“Fytyra e armikut të popullit”, konferencë shkencore për regjimin totalitar

“Fytyra e Armikut të Popullit” është konferenca shkencore ndërkombëtare që do të mbahet në maj nga Autoriteti për Informim mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që do të bëjë bashkë për të folur për regjimin diktatorial, studiues vendas dhe të huaj.

Kliko KËTU për artikullin e plotë.

Si i kontrollonte sportistët Sigurimi i Shtetit?

Aktiviteti “Ditët e kujtesës” është mbyllur me ekspozim të dosjeve të sportistëve të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit.

Në aktivitet u diskutua se si Sigurimi i Shtetit vëzhgonte sportistët e huaj dhe shqiptarë gjatë ndeshjeve të futbollit dhe aktiviteteve të tjera sportive, që zhvilloheshin brenda dhe jashtë vendit.

Kliko KËTU për artikullin e plotë.

“Fytyra e armikut të popullit” zbret në Tiranë

Në kuadër të transparencës me të shkuarën, AIDSSSH do të vij me konferencë e titulluar ” Fytyra e ‘armikut të popullit”. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bënë ftesë për prezantimin e konferencë ” Fytyra e ‘armikut të popullit” që do të zhvillohet në Tiranë me 17 maj 2019.

AIDSSSH në bashkëpunim me institutet e të përndjekurve politikë, vjenë me konferencën e rrallë, ” Fytyra e armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990. Konferenca do të përqendrohet nё këto tematika kryesore: Diskutim teorik mbi konceptet disidencë, disident, kundërshtar politik. Kontribute mbi debatin: A ka pasur disidencë në Shqipëri? Ngjashmëri dhe dallime në vizatimin e “armikut të popullit” midis Shqipërisë dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës Lindore e Qendrore.

Po ashtu do të trajtohen dhe një sur temash si: Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj tyre (“kriminelët e luftës”, kleri, intelektualët e shkolluar në Perëndim, tregtarët dhe pronarët, kulakët, “armiku i popullit” brenda radhëve të Frontit Demokratik dhe PKSH/PPSH). Evolucioni i konceptit “armik i popullit” gjatë viteve të diktaturës së proletariatit. Lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit.

Një tjetër fokus i prekshëm për shqiptarët është dhe Sigurimi i Shtetit, si instrument përndjekjeje. Profile të ndryshme të “armikut të popullit”. AIDSSSH sqaron se pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 10 mars 2019. Regjimi komunist në Shqipëri ka sjellë pasoja të pariparueshme përveç përndjekjes, internimeve, dëbimeve dhe burgosjes politike ka shënuar mijëra viktima sa sot është e vështirë të rikuperohen.

Qeveria përmes institucioni më të ri, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po përpiqet të kurojë të shkuarën nëpërmjet transparencës dhe nxjerrjes në dritë të së shkuarës si mundësi kurimi dhe regjime të tilla të mos kthehen më. Konferenca ” Fytyra e ‘armikut të popullit” do startojë në Tiranë në muajin maj, por deri atëherë institucioni ka bërë ftesë të hapur për pjesëmarrje për të treguar të vërtetën e regjimit që lam pas diktaturën. /ATA/

“Fytyra e armikut të popullit”, zbret në Tiranë