Aktiviteti “Persekutimi komunist në zonën e Konispolit”

Persekutimi komunist në zonën e Konispolit

Dialog me komunitetin vendas, në kuadër të ekspozitës arkivore të rezistencës antikomuniste në këtë zonë

Më 26 qershor 2018, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim dhe Bashkinë Konispol organizuan një dialog të hapur publik në qytetin e Konispolit, mbi rezistencën antikomuniste në zonë.

Takimi pasoi ekspozitën me materiale arkivore të dhjetëra dosjeve të përndjekjes së Sigurimit ndaj figurave të mirënjohura në jug të vendit, i mbajtur më 19 qershor në mjediset e AIDSSH.

Ekspozita e zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol u zhvendos në Konispol, pranë komunitetin vendas, me qasje europiane ndaj së shkuarës. Dialogu lokal u fokusua në ngjarjet specifike të zonës së Konispolit e Mursisë, për t’i ridimensionuar figurat njerëzore dhe nxitur reflektim.

Materialet mbi personalitete të kohës, si Teme Sejko, Tahir Demi, Rexhep Plaku e dhjetëra të tjerë që shkojnë në disa mijëra faqe u vunë në dispozicion të të interesuarve të kësaj bashkësie, ish-të përndjekur e familjarë të tyre, studiues, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë dhe më gjerë. Mes të pranishmëve, ishte edhe z. Xhemal Bali, i dënuar me grupin që në 1961.

Në kuadër të kësaj veprimtarie, AIDSSH ka kryer kërkim të thelluar mbi viktimat e zonës gjatë viteve 1946-1973, në dokumente dhe mikrofilma. Mbi bazën e tyre janë verifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe formën e dënimit. Në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtori, për 46 viktima të evidentuara. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit plotësuan formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente.
Takimi u hap nga kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Shuaip Beqiri, dhe vijoi me fjalën e z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit dhe z. Xhemal Bali, i mbijetuar përndjekjes pas 27 viteve burg. Mbi figurën e Rexho Plakut dhe persekutimin komunist në këndvështrimin e historianit të zonës folën z. Halil Shabani dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit. Në fund të takimit, motra e Bilal Xhaferrit interpretoi një pjesë dhe të rinjtë e shkollës realizuan një performancë mbi triumfin e dinjitetit njerëzor. Takimi i AIDSSH në Konispol hapi siparin e aktiviteteve përkujtimore në mbarë vendin dhe synon të inkurajojë dialogun lokal në përballje me të shkuarën, në funksion të reflektimit dhe edukimit qytetar.