AIDSSH njoftim per mediat Martin Camaj, 28 gusht 2020

  • admin 

Tryeza e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – Vepra dhe përndjekja”

“Në fjalë sqarohet qiell e dhé bashkë”
Martin Camaj

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, Institutin e Historisë, Shtëpinë botuese “Onufri”, Shoqatën “Martin Camaj” në Gjermani, Teatrin “Migjeni” Shkodër dhe Autoritetin Gjerman të Hapjes së Dosjeve (BSTU Gjermani), në kontakt me familjarë e bashkëpunëtorë të Camajt dhe studiues të tij, organizoi më 28 gusht tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj, vepra dhe përndjekja”, takim i hapur për mediat.

Të pranishëm në tryezë, me zërin dhe qëndrimet e veta ishin familja, bashkëpunëtorët e afërt, pasuesit e punës së tij si albanolog, studiues të jetës, historianë, dhe të krijimtarisë së tij, akademike, letrare, gjuhësore, artistike, studiues që kanë tërhequr dosjen e tij ose janë shprehur në lidhje me të. Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, mori pjesë në tryezë dhe mbajti fjalën e rastit.

Jeta, vepra dhe përndjekja e albanologut Martin Camaj u prezantuan në një material audioviziv të përgatitur nga AIDSSH, duke cekur të gjitha çështjet me radhë.
Znj. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH, e hapi takimin me disa pyetje për raportin e Camajt me regjimin e kohës e më gjerë: A krijoi dhe shpërndau Sigurimi i Shtetit mjete damkosëse – apo “fake news” – që të defaktorizonin Camajn nga viti 1945 deri në 1990? A ka ende sot e kësaj dite sterotipe që thjesht aktivizohen në mënyrë auto-pilote në nënvetëdijen tonë kolektive, plot klishe nga propaganda 50-vjeçare? Cila është kostoja e mungesës së gjatë të Camajt në formimin tonë individual apo kolektiv? Në përgjigje të tyre, kryetarja Sula paraqiti qëndrimin e vet “mbi tre mitet që hasen sot, me gjasë krijuar e prodhuar nga vetë Sigurimi. Miti i parë ka lidhje me besimin e verbër se Sigurimi ishte një organizatë e sofistikuar spiunazhi. Miti i dytë lidhet me faktin se Sigurimi i mbrojti mirë interesat kombëtare, prandaj zbardhja e dokumenteve e cenon sigurinë kombëtare. Miti i tretë lidhet me besimin e verbër se dokumenti i Sigurimit flet vetë. Me këtë rast dëshiroj të ndaj me ju një metodë të Sigurimit që më ka shqetësuar prej kohësh: demaskimin. Ne kemi hasur shumë dokumente dhe statistika të demaskimit në bashkësi të njerëzve të nderuar. Në fakt fabrikoheshin fake news për të mbërritur vrasjen morale afatgjatë të figurave me ndikim. Unë do ta quaja damkosje, duke përfytyruar një gjë që djeg në mish… por meqenëse kjo ka efekt edhe pas vdekjes – mund të quhet edhe stereotip, apo klishe, apo hije e gjatë… Për një hulumtim realist, ka shumë rëndësi të kuptohet që dokumentet e shërbimeve në përgjithësi, janë perfide, mashtruese, fake news.
Këto damkosje apo sterotipe janë le te themi, si një virus. Virusi hyn në mendjet e reja dhe synon të riprodhojë vetveten, për ta çorientuar atë. Ashtu edhe këto klishe mund të çorientojnë brezat drejt një miopie të mykur, përçarëse e të ndrydhur. Virusi nuk zhduket vetë, po të mos prodhojmë DIJEN si kurim apo vaksinë, për të çmontuar këto mekanizma të mbrapshtë. Për të zhvilluar imunitetin e nevojshëm, që të mos biem viktima të saj përsëri e përsëri. Për të reflektuar duke zgjeruar horizontin në përmasat që jep liria… Le të hapim mendjen dhe zemrën për të hequr dorë nga klishetë që ndajnë shqiptarët e që na mbajnë larg veprës së personaliteteve që nuk u bënë keq shqiptarëve.”
Kryeministri i vendit, z. Edi Rama e mori fjalën për të shprehur “kënaqësinë e shumëfishtë, natyrisht si Kryeministër, por do të isha këtu edhe po të mos isha Kryeministër, sepse Martin Camajn e kam njohur, fatkeqësisht jo sy për sy, por kemi pasur kontakt të vazhdueshëm sëbashku. Jemi njohur me zë dhe kam pasur nderin ta përcjell në banesën e fundit, në atë ditë kur u nda nga të gjithë ata që e shoqëruan në dëborë.
Natyrisht që si Kryeministër vij me kënaqësi për t’i shprehur konsideratën time Autoritetit të Dosjeve për punën aspak të lehtë, por gjithashtu të madhe që ka bërë dhe për ta inkurajuar që jo vetëm të vazhdojë punën e bërë deri më sot, por edhe të dalë më shumë nga suaza e vet, për t’i përcjellë më shumë publikut shqiptar fjalë si ato që tha me shumë ndjeshmëri dhe njëkohësisht kompetencë mbresëlënëse drejtuesja.
Është për mua kënaqësi, por edhe nder që të marr pjesë në një tjetër “varrim” sot, këtu, në varrimin e shpifjeve dhe të akuzave që Martin Camaj mori jo më nga ata që i privuan atdheun, por nga ata që nuk e lanë as në botën tjetër të qetë. Për këtë arsye besoj që kjo që bëhet sot është përtej thjesht detyrës së Autoritetit të Dosjeve, është një akt human dhe një detyrim i kryer ndaj jo thjesht Martin Camajt, por ndaj vetes, ndaj shoqërisë, ndaj vendit.”
Dr. Erika Camaj, bashkëshorte e Prof. Martin Camajt dhe kryetare e nderit të Shoqatës “Martin Camaj” mori pjesë në tryezë me fjalën përshëndetëse, të lexuar nga Zuzana Finger, përkthyese dhe kryetare e Shoqatës “Martin Camaj” në Gjermani. “Të nderuar organizatorë të tryezës së rrumbullakët „95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja“. Për shkaqe familjare nuk mund të jem sot personalisht mes jush, por doja t’ju shprehja mirënjohjen për kontributet tuaja në reflektimin e veprës dhe jetës së Martin Camajt, në kuadër të historisë së kulturës shqiptare. Qëllimi i Shoqatë sonë është përkrahja e hulumtimit të trashëgimisë letrare të Martin Camajt dhe të shkëmbimit kulturor gjermano-shqiptar. Shpresoj që nëpërmjet kësaj konference mund të themelojmë një bashkëpunim të ri e të frytshëm. Ju uroj shumë suksese ne anganzhimin tuaj shkencor dhe kulturor.“
Prof. Dr. Bardhyl Demiraj, drejtues i katedrës së Albanologjisë në Universitetin Ludwig Maximilian, Mynih, bashkorganizator i aktivitetit dhe i pari studiues që bëri kërkesë pranë AIDSSH për dosjen e Camajt, paraqiti temën “Mbi veprimtarinë e Camajt në Mynih, korrespondenca me Koliqin”, me shumë elementë të dhënë për herë të parë për të interesuarit.

Sesioni Përndjekja, i moderuar nga z. Simon Mirakaj, anëtar i AIDSSH, vijoi me prezantimet e historianëve Erald Kapri dhe Sonila Boçi, me temë “Martin Camaj në kontekstin e Luftës së Ftohtë” e “Faktet dhe opinionet në dosjet e Sigurimit të Shtetit, rasti i Camajt”.
Sipas Kaprit, “Jo pak dokumente të CIA-s, të studiuara për Luftën e Ftohtë, duhen vënë në diskutim. Agjencia Amerikane ka nisur deklasifikimin e shumë prej dosjeve të saj, të cilat hidhen online për t’u përdorur në studime, me një saktësim të rëndësishëm metodologjik. Këto informacione janë të papërpunuara dhe kurrsesi studiuesit nuk duhet t’i marrin për të mirëqena, pasi janë përdorur në një kohë të caktuar gjatë Luftës së Ftohtë.”
Sipas Prof. As. Dr. Sonila Boçit të Institutit të Historisë, bashkëorganizatorë të tryezës dhe një ndër njohëset e dosjes së Martin Camajt, “Figurat historike duhet të trajtohen në kompleksitet. Duhen ndarë faktet nga opinionet në dosje dhe të arrihet në një reflektim të plotë, pas shqyrtimit të detajuar të tyre. Jo pas elementë të Sigurimit në dosje përbëjnë opinione, ashtu si faktet janë tregues i manovrave që përdorte makineria e shtypjes për të arritur qëllimet e përcaktuara në platformë.”

Ardita Repishti paraqiti një trajtesë të AIDSSH për “Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për studiuesit dhe mediat”, ku u përmend qasja e kujdesshme që duhet pasur në trajtimin e dosjeve të të shkuarës. “Për qëllime të kësaj tryeze, AIDSSH bëri kërkesë zyrtare pranë Autoritetit Gjerman për hapjen e dosjeve të Stasit, për vënie në dispozicion të të gjitha materialeve që zotëronte arkivi i tyre për shtetasin Martin Camaj dhe katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludvig Maximilian të Mynihut. Paralelisht, homologët tanë gjermanë na asistuan me ekspertizë sa i takon trajtimit të dosjeve të personaliteteve historike. Përgjigjja e tyre ishte negative, nuk zotëronin asnjë dokument për personin në fjalë.”

Në video e punuar për këtë tryezë u përgatit nga znj. Dagmar Hovestadt e BSTU Gjermani, bashkëorganizatorë të aktivitetit, me sfidat 30-vjeçare të gjermanëve në përballje me dosjet e figurave historike, me temë “Mbi personalitetet dhe dosjet e tyre në shërbimet sekrete, përvoja me dosjet e ish-Stasit në Gjermani”.

Sesioni i fundit iu kushtua veprës së gjithanshme të Martin Camajt. Z. Bujar Hudhri, botues i Camajt në Shqipëri solli përvojën e vet të botimit dhe marrëdhënien me institucionet.
Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Miçigani, z. Lisandri dhe znj. Aristea Kola trajtuan “Mendimin kritik të Arshi Pipës mbi veprën “Dranja” të Martin Camajt”, një prezantim interesant e shumëplanësh i diktaturës, të shkuarës e së ardhmes në një vepër me simbolikë të spikatur.
““Vetjet” komplekse të krijimtarisë së Camajt” u trajtuan me profesionalizëm nga kërkuesja shkencore znj. Adriana Duka, një ndër kërkueset e dosjes së tij pranë AIDSSH, në kuadër të hulumtimeve për veprën e shkrimtarit.
“Profecia sociolinguistike e Camajt” u prezantua nga Prof. Ledi Shamku, me të gjitha ngjyrimet për të cilat dukej se Camaj ishte i qartë që në krye të herës, që të tre koinetë gjuhësore, deri te ndikimi i gjuhës nga shoqëria dhe gjetja e mënyrave të reja të shprehjes.
Znj. Rita Gjeka, drejtuese e Teatrit “Migjeni” Shkodër, bashkëorganizator i aktivitetit, foli për “Camajn në skenë”. Në vitin 2015, Teatri “Migjeni” shfaqi premierë botërore dramën e Camajt “Kandili i argjandit”, vepër “poetike”, siç u shpreh Gjeka, për nga mënyra e të shkruarit, saktësia e fjalëve dhe përjetimet e mesazheve të saj universale.
-“Sintaksa e Martin Camajt – pasuri e papërsëritshme e gjuhës shqipe” e përgatitur nga znj. Majlinda Bushaj do të jetë pjesë e botimit të dedikuar për 95-vjetorin e Martin Camajt.

Në mbyllje, për të pranishmit u shfaq drama e regjistruar nga teatri “Migjeni” Shkodër “Kandili i argjandit”, që trajton marrëdhënien e vështirë të atyre që u quajtën “klasa të përmbysura” me pushtetin dhe Sigurimin e Shtetit.

Në tryezën e zhvilluar në Pallatin Presidencial, u ftuan përfaqësues të institucioneve homologe me të cilat AIDSSH bashkëpunon që prej krijimit; institucione dhe organizata homologe, trupi diplomatik, përfaqësues të institucioneve publike, qendrore e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë; përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve kërkimore në vend; mbi 50 studiues që janë shprehur publikisht për Camajn dhe që kanë tërhequr dosjen e tij pranë AIDSSH; gazetarë dhe përfaqësues të medias, për të shkëmbyer këndvështrime mbi figurën e albanologut dhe për t’i trajtuar figurat e personalitetet historike në dimension të gjerë.

Përgjatë aktivitetit u paraqit një ekspozitë e zgjeruar dokumentare e AIDSSH me tipologji të ndryshme të dosjeve të Sigurimit të periudhës 1944-1955, historikë, raporte, platforma, evidenca operative të kohës dhe dosje të mbi njëzet intelektualëve të përndjekur nga Sigurimi në Shqipëri dhe jashtë vendit. Po ashtu, krijimtaria letrare e Martin Camajt, e botuar nga Onufri.

Thirrja për aktivitetin u bë më 21 korrik, në përvjetorin e 95-të të Martin Camajt, për abstrakte dhe punime që u dorëzuan deri më 10 gusht, nga të interesuarit brenda dhe jashtë vendit.

Aktiviteti synoi të përfshinte sa më shumë zëra në debatin publik për Camajn e më gjerë, për figurat historike dhe jetën e tyre gjatë diktaturës, përndjekjen apo përfshirjen, duke shfrytëzuar ekspertizën e institucioneve që janë përballur në tre dekada tashmë, me situata të përafërta, dhe ndihmuar diskutimin për dosjet e intelektualëve të përndjekur, me tipologjinë e dosjeve të Sigurimit të viteve 1944-1955.

Duke pasur disa zëra e pikëvështrime në takim, duke vënë në dispozicion dokumente dhe duke servirur ekspertizë të qasjes në dokumente të policive sekrete, e cila ngre pyetje për vërtetësinë e tyre (jo autenticitetin, por përmbajtjen gjatë kohës së krijimit), kur qëllimi ishte i përcaktuar në platformë Sigurimi, plan masash, vijë sjelljeje, etj, tryeza ftoi në një reflektim për trashëgiminë e së shkuarës komuniste dhe formimin e kujtesës historike për këtë të shkuar.

*Për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19, tryeza u zhvillua në respektim të protokolleve dhe rregullave të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *