AIDSSH në Voskopojë, Korçë e Maliq

Korçë, 17-18 tetor 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një vizitë pune në Voskopojë, Korçë e Maliq, në datat 17-18 tetor, në vijim të bashkëpunimeve me komunitetet brenda dhe jashtë vendit.

Në Voskopojë, përfaqësues të Autoritetit u takuan me z. Vasil Zguri, ish-i burgosur politik për 22 vjet. Sot 97 vjeç, i kthjellët dhe i qartë, Vasil Zguri është njohur me dosjen e tij të përndjekjes dhe ka dhënë dëshminë e vet për sa përjetoi në burg, kalvarin që kaloi familja e tij e internuar në Grabian të Lushnjës dhe izolimin nga të afërmit për sa kohë jetuan në Voskopojë.

Në vijim, Autoriteti zhvilloi një mbledhje të zgjeruar të raportimit të veprimtarive të tij gjatë vitit 2019.

Në takimin me përfaqësues të shoqatës së të përndjekurve politikë të Korçës, z. Ylber Merdani, ekipi i Autoritetit vizitoi burgjet e birucat ku u hetuan e u mbajtën të dënuarit politikë që në fund të 1944, nga bodrumet e shtëpisë së kthyer në burg të Adem Vilës, tek ish-burgu i madh i Korçës, me hapësirat më vete për gratë e të dënuarit me vdekje, ish-prokuroria, seksionet e nëndheshme të ish-Sigurimit te Këshilli i Qarkut sot, apo ato të rajonit…

Në kuadër të bashkëpunimit me pushtetin lokal për zhvillimin e dialogut lokal në Korçë, u zhvilluan takime të frytshme që synojnë të përgatisin organizime komplekse e të qenësishme mbi kujtesën në këtë zonë, duke vënë në qendër historitë e vërteta të përndjekjes, mbijetesës, rezistencës, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor.

Në vijim, ekipi i AIDSSH-së pati takim në Bashkinë e Maliqit, me kryetarin, z. Gëzim Topçiu dhe përfaqësues të departamentit juridik e të kulturës. AIDSSH paraqiti propozimet e veta për bashkëpunime konkrete me pushtetin lokal dhe komunitetin e zonës sa i takon zbardhjes së historive që lidhen me kënetën e Maliqit e atë të Vloçishtit; prezantimin e botimeve të Autoritetit në zonë; identifikimin si vende kujtese të objekteve ao hapësirave që kanë të bëjnë me historinë e errët të komunizmit; verifikimin e figurave që propozohen për tituj nderi, etj.

Vizita në terren, me përfaqësues të bashkisë dhe të përndjekur në zonë, ndihmoi që të përcaktohen hapat konkretë që do të ndërmerren bashkërisht.