AIDSSH, memorial në ish-kampin e internimit në Tepelenë 05.07.2017

TIRANË, 5 Korrik– Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ndërmerr nismën për ngritjen e një memoriali në ish-kampin e internimit Tepelenë.

Kryetaria e  AIDSSH, Gentiana Sula, deklaroi sot se “Puna për një projekt fillestar për një memorial për ish-kampin famëkeq të Tepelenës sapo ka filluar. AIDSSH do jetë promotori për këtë proces në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë Tepelenë, familjarët e personave që vuajtën në këtë vend të tmerrshem, si dhe qytetarët e Tepelenës”. Znj. Sula u shpreh se “Pylli i Fëmijëve me 300 fidanë do të na përkujtoje qindra fëmijë që humbën jetën nga uria dhe kushtet çnjerëzore. Ata ende sot nuk kanë varre të shenjuara. Një barrake që strehonte fatkeqët, mund të rindërtohet sipas modelit të dokumentuar nga piktori i mbijetuar Lekë Pervizi. Rrugët ku ecnin të munduarit çdo ditë për të mbledhur dru në mal mund të kthehen në rrugë të dëshmuara. Puna sapo ka filluar”. Një ndër kampet më famëkeqe të regjimit diktatorial në Shqipëri ishte ai i Tepelenës, madje ishte një ferr i vërtetë ku vuajtën me mijëra vetë, gra, burra dhe fëmijë dhe figura të ndritura të kohës. Kampi i internimit në Tepelenë u vendos buzë lumit Vjosa në të hyrë të Tepelenës, në anën perëndimore, rrëzë kodrës stërmadhe që u zinte diellin kazermave të kampit. Përzgjedhja e këtij vendi nuk ishte e rastësishme nga ideatorët e diktaturës, sepse ata kishin përzgjedhur një stallë për kuajt e ushtrisë italiane për të futur familjet e mëdha të veriut dhe më e rëndësishmja për të ushtruar një presion për të gjithë krahinën e Tepelenës me pretekstin se kundërshtarët e regjimit përfundonin në kampe, pra ishte një mënyrë presioni, trembje dhe frike për shqiptarët në tërësi. Në kampin e Tepelenës ishin mbledhur familje nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin nga veriu dhe Shqipëria e mesme. Të ardhurit ishin familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë ku numri i të iternuarve arrinte deri në 300-600 persona. Kazermat ishin vendosur njëra pas tjetërs duke e çuar numri deri në 2300 të internuar gjithsej në të gjithë kampin. Në kampin e Tepelenës aktualisht janë edhe dhjetra varre, kryesisht varre fëmijësh dhe numri arrin deri më 115 varre. Një banor tregon se “Në vitin 1949, pashe një djalë që s’ishte më shumë se 8 vjeç, që sapo piu ujë te çesma, vdiq në vend, se etja e kishte torturuar për një kohë të gjatë. Tepelena regjistron 140 të pushkatuar, tortura nuk kurseu askënd, vuajtja ishte motivi i xhelatit”. Sipas statistikave të arkivit të Ministrisë së Brendshme, prej vitit 1945, që ishte dhe viti i parë i internimit, në këtë kamp vdiqën 260 njerëz, kryesisht fëmijë dhe pleq. Në hyrje të kampit të internimit të Tepelenës ende është e vendosur një portë hekuri me ngjyrë jeshile, ku në anë është postblloku dhe vendroja e policisë dhe sa të kalosh pragun gjendet dhe dhoma e torturës, ku sipas dëshmitarëve të gjallë, thuhet se ajo është dhoma e britmave ku njerëzit rriheshin e dhunoheshin, madje gratë edhe përdhunoheshin nga hetuesit dhe gardianët e kampit. Kazermat e kampit ishin të përmasave të stërmëdha, tamam një hangar kuajsh (trazhëguar nga italianët) por që ndiqnin njëra-tjetren në disa qindra metra, pasi më parë kishin qenë depo të ushtrisë italiane dhe ato mund të mbanin mbi 300-600 veta, mbasi kishte shumë familje me fëmijë të vegjël që zinin pak vend. Në kampin e Tepelenës, sipas udhëzimeve, grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionare, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar, agjentë të huaj etj. Në kampet e tjera si, në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto-Palermo dhe më pas në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, Pluk, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan familje të mëdha nga Veriu i Shqipërisë Në Tepelenë, nga 1950-ta filluan të sillnin ata burra që kishin kryer dënimin fillestar 5-vjeçar. Po sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, nga viti 1945-1990, janë internuar gjithsej 48.217 burra dhe 10.792 gra. Nga qytete kryesore dhe nga zonat kufitare u dëbuan 11.536 familje. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954.