Vizitë pune në institucionin homolog polak, Instituti i Kujtesës Kombëtare, IPN

  • admin 

Nga data 11-15 tetor 2021, një delegacion i zgjeruar ndërinstitucional, me përfaqësues të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Kuvendit të Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe gazetarë të mirënjohur, zhvilloi një vizitë pune në institucionin homolog polak, Instituti i Kujtesës Kombëtare, IPN.
Ekipi i AIDSSH ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me IPN, sa i takon përvojës me arkivat, punës me kujtesën dhe kontributit për të zhdukurit. Përgjatë këtij viti pandemie, disa workshope të përbashkëta u organizuan online, duke mbështetur këtë bashkëpunim.
Në korrik 2020, ligjvënësi bëri disa ndryshime në ligjin funksional të Autoritetit, 45/2015, sa i takon edhe punës për të zhdukurit. Konkretisht, neni 22/1, Bashkëpunimi për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të të zhdukurve dhe të të ekzekutuarve, si dhe masat për ruajtjen e vendvarrimeve, ku Autoriteti bashkëpunon me institucionet shtetërore qendrore dhe vendore për procesin e identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit, si dhe për marrjen e masave për të mbrojtur dhe ruajtur në mënyrën më të përshtatshme vendet që janë aktualisht apo do të identifikohen si vendvarrime. Sipas ligjit, rregullat e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit dhe institucioneve qendrore dhe vendore për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të zhdukur gjatë komunizmit parashikohen në marrëveshje dy apo shumëpalëshe të lidhura për këtë qëllim. Autoritetet përgjegjëse dhe mënyra e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Para propozimit dhe miratimit të VKM përkatëse, delegacioni ndërinstitucional e vizitoi IPN me fokus punën për të pagjeturit e komunizmit, për t’u njohur me protokollet për identifikimin dhe gjetjen e të zhdukurve, vendet e kujtesës, muzetë, vendvarrimet dhe të gjitha proceset e punës të lidhura me ta, të konsoliduara prej dy dekadash nga homologu polak, procese për të cilat Autoriteti mund të bashkëpunojë në të ardhmen, me institucionet e tjera qendrore dhe vendore.
Një program i ngjeshur u përgatit nga AIDSSH dhe homologët polakë, me workshope, takime me prokurorë, arkivistë, antropologë, ekspertë të komunikimit, vizita në site të hapura, dhe takime të nivelit të lartë me drejtues të IPN.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u përfaqësua me z. Marenglen Kasmi, Anëtar i Autoritetit; z. Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm; znj. Ardita Repishti, Drejtoreshë e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar, z. Selami Zalli, Drejtor i Informacionit dhe znj. Ardiana Topi, Drejtoreshë e Arkivit të AIDSSH. Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga znj. Orjola Pampuri dhe z. Klevis Xhoxhi. Policia e Shtetit, nga zv/drejtori, z. Albert Dervishaj, Prokuroria e Përgjithshme nga znj. Anila Leka, Instituti i Mjekësisë Ligjore nga z. Admir Sinamati. Gazetaret e mirënjohura, znj. Klodiana Lala dhe znj. Fatmira Nikolli u mbështetën nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Fondacioni Konrad Adenauer.
Udhëtimi i të gjithë ekipit, në kohë kufizimesh lëvizjeje për shkak të pandemisë, u koordinua nga AIDSSH, me mbështetjen e Ambasadës Polake në Tiranë, Ambasadës Shqiptare në Varshavë, pasi u vu në dijeni për qëllimin dhe përbërjen e delegacionit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Programi i punës, i rakorduar më herët me homologët polakë të Institute of National Remembrance – Instytut Pamieci Narodowej, IPN, u zhvillua në datat 12, 13, 14 tetor 2021, pranë zyrave të Institutit, të vendosura në pika të ndryshme të Varshavës, në sit zhvarrimi, në burgjet e komunizmit, vendet e izolimit dhe hetuesisë, sot muze e memoriale që zbardhin të shkuarën e afërt dhe nderojnë dinjitetin njerëzor.
Më 12 tetor, pranë zyrave të IPN delegacioni shqiptar u prit në takim nga znj. Agnieszka Jedrzak, Drejtuese e Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, pranë Presidentit të IPN, e cila i njohu me programin, dhe dinamikat e ditëve në vijim.
Shkëmbime botimesh në gjuhën angleze, mbi studimin e shtypjes komuniste dhe punën me të pagjeturit u bënë që në takimin e parë në IPN dhe në ditët në vijim, nga departamentet e ndryshme, me punën e të cilëve u njoh ekipi shqiptar.
Znj. Jedrzak, prezantoi punën duke folur për organizimin e Institutit polak, një institucion me 2400 punonjës me 11 zyra lokale nëpër qytete të tjera të Polonisë përveçse në Varshavë, e ndarë në disa sektorë kryesorë, mes të cilëve: arkivi, prokuroria, kërkimi shkencor, lustracioni, edukimi, përkujtimi e nderimi i heronjve.

Njohja me arkivin e institucionit, proceset e punës, përfshirë digjitalizimin, restaurimin, ekspozitat dokumentare dhe komunikimin e gjetjeve publikut, u realizuan ditën e parë të vizitës, ku delegacioni shqiptar u prit nga Drejtoresha e Arkivit të IPN, znj. Marzena Kruk.
Po ashtu, vizita në Muzeun e Ushtarëve të Ndëshkuar dhe të Burgosurve Politikë, ish-burg i njohur në Varshavë që në fillim të shekullit XX, me të dënuar të Gestapos e komunizmit, histori të torturës, hetuesisë dhe dënimit me vdekje brenda mjediseve të tij, sot muze, në të cilin ishin përfshirë edhe gjetjet e zhvarrimeve të të burgosurve, një pjesë e tyre, sot të identifikuar nga sektori përkatës.
Gjetjet e kërkimeve ishin pjesë e ekspozitës me artefakte dhe të dhëna të mbledhura, e cila është një përvojë e rëndësishme në dokumentimin e punës për të pagjeturit.
Dita e dytë, 13 tetor, iu dedikua tërësisht punës me të zhdukurit.
Në zyrat e edukimit të IPN, z. Robert Janicki, prokuror, Drejtues i Komisionit të IPN-së për Ndjekjen e Krimeve kundër Kombit Polak bëri një paraqitje të punës së 80 prokurorëve pranë IPN, që ndiqnin çështjet të lidhura me zhvarrimet e të pagjeturve të komunizmit. Seanca u zgjat mes pyetjeve e përgjigjeve mbi sfidat dhe arritjet e kësaj përvoje.
Z. Krzysztof Szwagrzyk, zv/President i Institutit të Kujtesës Kombëtare, njëkohësisht zv/ Drejtor i Kërkimit Shkencor dhe i Plotfuqishëm për krimet e kryera, hapi takimin e punës për kërkimin dhe identifikimin e të zhdukurve. Secili prej departamenteve bëri paraqitjen e punës, sfidave dhe arritjeve në një punë shumë të vështirë, me mungesa të theksuara dokumentacioni, por vullnet dhe qëndrueshmëri në kërkim.
Bashkëbisedimi dhe diskutimet për të gjitha fazat e punës, arkivore, arkeologjike, teknike, mjeko- ligjore, antropologjike e deri në komunikimin e gjetjeve publikut, ndërveprimin me të gjitha kategoritë shoqërore u mbyllën me vizitën e ekipit në Lëndinë, „Łączka”, në Powązkowski Cemetery, siti ku u zhvarrosën më shumë se 325 polakë që u ishte humbur dhe tjetërsuar varri.
Puna për zhvarrimin e tyre zgjati për disa vite, u mbështet në dëshmi, të dhëna gojore, dokumentacion të munguar e të plotësuar me burime historike e të dhëna të copëzuara dhe kontribut vullnetar të mbi 350 vetave që ndihmuan për rivarrimin e atyre që Polonia i quan heronj, kundërshtarëve të regjimit.
Ditën e tretë, 14 tetor, delegacioni u prit nga z. Karol Polejowski, zv/ drejtor i IPN, me të cilin u diskutua për vijimin e bashkëpunimit institucional të AIDSSH me IPN dhe hapave konkretë në këtë drejtim. Po ashtu, u lanë të hapura mundësitë e bashkëpunimit e të shkëmbimit të përvojës edhe me institucionet e tjera shqiptare, të cilat do të koordinojnë punën me Autoritetin.
Profesor Przemysław Gasztold, nga Departamenti i Kërkimit në IPN bëri një paraqitje të marrëdhënieve shqiptaro-polake, në dritën e dokumenteve arkivore. Publikime të posaçme mbi këto marrëdhënie dhe rolin e shërbimeve sekrete në to janë në proces.
Delegacioni shqiptar e vijoi vizitën Shtëpinë Muze të IPN-së, në rrugën Strzelecka 8, një ndër dhjetëra shtëpitë e përdorura si burg, hetuesi dhe vend torturash në Varshavë, një pjesë e mirë e të cilave tregoheshin në këtë muze.
Botime, broshura, ekspozita që pritet të lëvizin në Europë në të ardhmen dhe informacion mbi procese të punës me interes të përbashkët u shkëmbyen edhe ditën e fundit të takimeve mes IPN dhe delegacionit ndërinstitucional shqiptar.
AIDSSH dhe IPN komunikojnë në kuadër të kujtesës nëpërmjet Rrjetit Europian të Arkivave të ish-Policive Sekrete, ku Shqipëria u anëtarësua së fundmi dhe Rrjetit Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit.
Në vijim, i gjithë ekipi u prit në Ambasadën Shqiptare në Varshavë, nga znj. Shpresa Kureta, ambasadore e Shqipërisë. Znj. Kureta dhe stafi i saj bënë një paraqitje të punës së ambasadës në Poloni për forcimin e marrëdhënieve mes shtetit polak dhe atij shqiptar, të cilave, veç turizmit dhe kulturës, u shtohet reflektimi i dyanshëm për të shkuarën komuniste dhe qëndrimi ndaj saj.
Në mbyllje të vizitës, sfidat për trajtimin e çështjes së të zhdukurve mbeten për t’u shqyrtuar me kujdes e profesionalizëm nga secili prej institucioneve të përfshira.
Po ashtu, prezantimi i kauzave të tilla publikut, që janë po aq aktuale sa ngjarjet e ditës, si plagë të pambyllura të së kaluarës, me gjurmë të qenësishme në të sotmen.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *