𝐓𝐞̈ 𝐩𝐚𝐠𝐣𝐞𝐭𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐞 𝐳𝐨𝐧𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐛𝐫𝐞𝐠𝐮𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐬𝐚𝐣 𝐤𝐮𝐟𝐢𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐣𝐮𝐠 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭

  • admin 

Më 7 dhe 8 korrik, ekipi i AIDSSH zhvilloi një udhëtim njohës e përkujtimor, si dhe takime prezantuese në zonën e bregut dhe të Sarandës, në kuadër të projektit të ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Fillimisht, ekipi i Autoritetit vizitoi kalanë e Porto–Palermos, vend ndëshkimi gjatë regjimit komunist për të dënuar të ndërgjegjes.
E vendosur në gadishullin që sot mban emrin Porto-Palermo, kalaja që i atribuohet Ali Pashë Tepelenës mendohet të jetë shumë më e vjetër se fundi i shekullit XVIII, kur u përshtat për sfida luftarake të kohës.
E përdorur si vend internimi nga italianët, në 1948, me vendosjen e regjimit komunist në vend, kalaja mori statusin e monumentit të kulturës. Edhe si e tillë, për një periudhë të shkurtër, 1949-1950, kalaja u përdor si vend internimi i burrave, grave e fëmijëve, familjarë të kundërshtarëve politikë, të cilët mbaheshin të izoluar, në kushte të vështira në mjediset e saj të errëta e pa dritë. Shumë të dënuar të kampit të Tepelenës ndaluan për disa kohë në Porto Palermo, mes tyre edhe Lek Pervizi, që me vizatimet e tij akribike dëshmoi vendet e internimit në jug të vendit. Dëshmi të të mbijetuarve të Porto-Palermos janë publikuar sot në libra të kujtesës.
Sot monument kulture, e vizitueshme nga shqiptarë e të huaj, kalaja dëshmon shumë histori, mes të cilave ato të diktaturës, duke mbartur edhe gjurmën e tyre në të sotmen.
Njohja në terren e vendeve të kujtesës, ku u shkrua historia e shtypjes dhe mbijetesës, e mbështetur në “luftën e klasave”, përcakton itinerare të vizitueshme nga të rinjtë e shkollarët, për njohjen me vendet e vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit.
Pas kalasë së Porto Palermos, ekipi ndaloi në fshatin Shën Vasil, dikur i quajtur Përparim, ku pas mesit të viteve ’80 u sollën edhe të dënuar të ndërgjegjes.
Në dalje të fshatit, pranë varrezave të banorëve, pas murit rrethues, prehen ende ish-të burgosur të cilët kërkohen nga familjarët, që kanë aplikuar pranë institucioneve shqiptare për zhvarrimin dhe identifikimin e të afërmve të tyre.
Edhe pas 30 vitesh, familjarët e të burgosurve që ndërruan jetë në ish-burgun Përparimi dhe u varrosën pranë varrezave të fshatit, nuk kanë marrë mbetjet njerëzore të të afërmve të tyre. Aplikimet dhe kërkesat pranë institucioneve synojnë finalizimin e këtij procesi, sipas protokolleve ndërkombëtare.
Vizitat në terren i paraprinë aktivitetit të radhës për të zhdukurit në komunizëm që AIDSSH organizoi në bashkëpunim me ICMP dhe pushtetin lokal në Sarandë, më 8 korrik, në bashkinë e qytetit.
Më 8 korrik, në mjediset e bashkisë së Sarandës u prezantua udhëzuesi për familjarët e të zhdukurve në komunizëm, në prani të familjarëve të të pagjeturve të komunizmit në zonën e bregut, asaj kufitare dhe në Sarandë, shoqatave të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësuesve të grupeve të interesit, aktorëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve.
Njëkohësisht, Autoriteti prezantoi për qytetarët sarandiotë ekspozitën “E shkuara e pakryer”, me profile të të pagjeturve të komunizmit, dëshmi të mbledhura nga familjarë të të pagjeturve në kuadër të projektit dhe materiale të përzgjedhura nga hulumtimi në historikët e Sigurimit.
Udhërrëfyesi për familjarët e të zhdukurve në komunizëm u prezantua nga z. Skënder Vrioni, në komunikim publik me të interesuarit, para finalizimit të tij dhe shpërndarjes, duke bërë të qarta pikërisht funksionet e institucioneve në proces dhe hapat që duhet të ndjekin familjarët.
Sipas znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, “është e rëndësishme që të gjithë aktorët të bëhen bashkë, që familjet dhe institucionet të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të kenë mundësi të bashkëpunojnë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, që është përgjegjësi e shoqërisë së sotme shqiptare”.
Nënkryetarët e bashkive të Sarandës dhe Himarës, znj. Lindita Qendro dhe z. Pervin Gjikuria përgëzuan për nismën dhe premtuan mbështetje të bashkive përkatëse përsa u takon proceseve që lidhen me të zhdukurit dhe mostjetërsimin e vendeve të raportuara.
Përfaqësuesi i bashkisë Konispol, z. Vangjel Taho, në vijim të bashkëpunimeve të kësaj bashkie me Autoritetin, foli mbi gatishmërinë e bashkisë Konispol për të mbështetur nismat mbi të zhdukurit dhe punën me ta.
Të pranishëm në takim, prokurori i Sarandës, z. Ilir Hoxha dhe shefi i komisariatit Sarandë z. Syrja Bellaj u shprehën në emër të institucioneve përkatëse që do të bashkëveprojnë në marrëveshje me Autoritetin, për një proces të koordinuar e të kujdesshëm, në përgjigje të aplikimeve dhe kërkesave të familjarëve që po ndërmarrin hapa konkretë.
Takimi u moderua nga Ardita Repishti e AIDSSH dhe vijoi me qëndrimet e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë të Sarandës, z. Llambro Nesturi e të tjerë, të gazetarëve të zonës, që në vite u kanë dhënë zë këtyre historive, mes të cilëve z. Thoma Nika, dhe të interesuarve të drejtpërdrejtë, që bënë propozime dhe hodhën ide për trajtimin e çështjeve. Gjatë bisedës u shpërndanë draftudhëzues për të pranishmit dhe u plotësuan formularë nga familjarët e të zhdukurve.
Në mbyllje të takimit, u regjistruan dëshmi për të pagjeturit e Sarandës, nga familjarët e tyre.
Hapi i radhës në Sarandë do të jetë në terren, në vendvarrimet e raportuara, për veprim konkret e të koordinuar të institucioneve.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *