𝐓𝐞̈ 𝐩𝐚𝐠𝐣𝐞𝐭𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐞 𝐳𝐨𝐧𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐓𝐞𝐩𝐞𝐥𝐞𝐧𝐞̈𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞̈𝐬

  • admin 

Më 23 dhe 24 gusht, Ditën Europiane në përkujtim të viktimave të totalitarizmit, ekipi i AIDSSH zhvilloi udhëtim njohës e përkujtimor, si dhe takime prezantuese në zonën e Tepelenës dhe të Gjirokastrës, në kuadër të projektit të ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Në Tepelenë dhe Gjirokastër, në bashkëpunim me pushtetin lokal, policinë dhe prokurorinë, e me mbështetjen e grupeve të interesit, AIDSSH do të punojë për qartësimin e fatit të të zhdukurve në diktaturë, po ashtu për muzealizimin e kampit të internimit të Tepelenës dhe burgut të Gjirokastrës.
Njohja në terren e vendeve të kujtesës, ku u shkruan historitë e shtypjes dhe të mbijetesës, të mbështetura në “luftën e klasave”, përcakton itinerare të vizitueshme nga të rinjtë e shkollarët, për njohjen me vendet e vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit.
Autoriteti prezantoi për qytetarët e Tepelenës ekspozitën “E shkuara e pakryer”, me profile të të pagjeturve të komunizmit, dëshmi të mbledhura nga familjarë të të pagjeturve në kuadër të projektit dhe materiale të përzgjedhura nga hulumtimi në historikët e Sigurimit.
Udhërrëfyesi për familjarët e të zhdukurve në komunizëm u prezantua në Tepelenë nga znj. Mirela Lame, në komunikim publik me të interesuarit, duke bërë të qarta funksionet e institucioneve të përfshira dhe hapat që duhet të ndjekin familjarët.
Kryetari i bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi dhe nënkryetare e bashkisë Gjirokastër, znj. Jorida Muho, premtuan mbështetje të bashkive përkatëse përsa u takon proceseve që lidhen me të zhdukurit, ku pushteti lokal luan rolin e vet, dhe mostjetërsimin e vendeve të raportuara.
Të pranishëm, kryeprokurori i Gjirokastrës, z. Julian Cafka dhe shefi i komisariatit Tepelenë, z. Roland Zhapa, u shprehën në emër të institucioneve përkatëse që do të bashkëveprojnë në marrëveshje me Autoritetin, për një proces të koordinuar e të kujdesshëm, në përgjigje të aplikimeve dhe kërkesave të familjarëve.
Po ashtu, përfaqësues të komuniteteve fetare, Sheh Hysen Hormova dhe z. Orfea Beci, i Mitropolisë Gjirokastër, ngritën zërin për të pagjeturit e zonës, të dënuar apo ekzekutuar gjatë diktaturës, duke kërkuar veprim të institucioneve të pranishme.
Në takime u shpërndanë udhëzues dhe u plotësuan formularë nga familjarët e të zhdukurve. Në mbyllje u regjistruan dëshmi nga të mbijetuarit e Tepelenës.
Hapat i radhës në Tepelenë e Gjirokastër do të jenë në terren, në vendvarrimet e raportuara, për veprim konkret e të koordinuar të institucioneve.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *