𝐒𝐢𝐦𝐩𝐨𝐳𝐢𝐮𝐦𝐢 𝐄𝐮𝐫𝐨𝐩𝐢𝐚𝐧 𝐢 𝐊𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈𝐬

  • admin 

A ekziston një kulturë e përbashkët evropiane e kujtesës?

A është e mundur të ndërtohet një narrativë e përbashkët historike në Europën e shekullit XXI?
Këto pyetje janë në qendër të diskutimeve ndërkombëtare mes studiuesve e akademikëve të historisë, aktorëve të kujtesës dhe të kulturës.
Mos të flasësh për “acquis historique communautaire” nuk është më shumë se fantazi?
A ekziston një kulturë e përbashkët europiane e kujtesës, e cila në Europë na lejon që ta kuptojmë dhe të bashkëpunojmë më mirë me njëri-tjetrin?
Qëllimi i Simpoziumit Europian të Kujtesës është shkëmbimi i përvojave dhe vendosja e formave të bashkëpunimit mes institucioneve të vendeve të ndryshme.
Përfaqësuesit e institucioneve historike europiane ftohen të diskutojnë sfidat me të cilat përballet ideja e Evropës për kulturën e kujtesës. Takimet janë të hapura për të gjithë profesionistët që punojnë me historinë europiane të shekullit XX.
Simpoziumi i parë i ENRS-së u organizua në Gdansk, në vitin 2012. Edicionet e mëpasme, në Berlin, Pragë, Vjenë, Budapest, Bruksel, Bukuresht dhe Paris. Këtë vit, ENRS i mblodhi aktorët e kujtesës në 📍 Talin, Estoni, për simpoziumin e nëntë:

𝐊𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐄𝐮𝐫𝐨𝐩𝐞̈: 𝐞 𝐭𝐚𝐬𝐡𝐦𝐣𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐞 𝐚𝐫𝐝𝐡𝐦𝐣𝐚
Synimi i Simpoziumit të nëntë Europian të Kujtesës ishte roli i historisë dhe kujtesës në krijimin e identitetit bashkëkohor europian. Gjatë aktiviteteve, vëmendje e veçantë iu kushtua misionit, programit dhe praktikave më të mira të institucioneve që studiojnë dhe punojnë me historinë europiane të shekullit XX.
Diversiteti i kujtesës europiane është rezultat, ndër të tjera, i një periudhe të gjatë të shenjuar nga ndryshime kufijsh dhe konflikte, diktatura dhe akte terrori.
Gjatë dekadave të fundit, debatet historike dhe politikat e kujtesës në Evropë kanë qenë veçanërisht sfiduese. Përvojat e ndryshme në Lindje dhe Perëndim gjatë shekullit XX kanë formuar mjedise të paqarta të memories.
Diskutimet historike për Europën Lindore dhe Qendrore kanë qenë të vështira e komplekse, për shkak të përvojave me dy regjime totalitare, të drejtuar nga ideologji komuniste dhe nacional-socialiste.
Simpoziumi i vitit 2021 në Estoni u zhvillua 30 vjet pas shpërbërjes së BRSS dhe ngjarjeve në rajon, që shënuan fundin e Luftës së Ftohtë. I pushtuar nga rusët dhe gjermanët, Gjermania Naziste dhe Rusia Sovjetike në shekullin e kaluar, Talini është shembull i historisë komplekse të shekullit XX, të asaj Europe që formësoi kujtesën dhe identitetin e njerëzve që jetojnë në të.
Çështjet e lidhura me historinë dhe përkujtimi i ngjarjeve dhe figurave të caktuara historike janë gjithnjë e më të spikatura në diskursin akademik, politik dhe publik.
Institucione të ndryshme, me larmi aktivitetesh, përpiqen të marrin pjesë në formësimin e perceptimit publik të historisë në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Mes projekteve të propozuara, disa nxisin dialog dhe mirëkuptim mes europianëve, të tjerë veprojnë si instrumente për promovimin e stereotipeve ose për (ri) ndezur konfliktet.
Në dritën e zhvillimeve të fundit në diskutimet për historinë dhe identitetin në Evropë, institucione, organizata dhe individë që punojnë për edukimin historik, diskutuan sfidat e përditshme, përfshirë projektet e suksesshme dhe të dështuara.
Po ashtu, një sesion i veçantë iu kushtua përmbledhjeve të shkurtra (të njohura si ‘prezantime turbo’) të projekteve inovative që kanë të bëjnë me historinë dhe kujtesën europiane.
Partnerët kryesorë të ENRS të edicionit të vitit 2021 ishin Instituti Estonez i Kujtesës Historike dhe Instituti Federal për Kulturën dhe Historinë e Gjermanëve në Europën Lindore.
Dita u parë u hap me trajtimin e identitetit europian sot: rrënjët historike dhe debatet aktuale. Perceptimet e shumëfishta të “identitetit europian”, të formësuar nga implikimet e kujtesës historike u hodhën në diskutim për qasjet e ndryshme të politikave të përkujtimit dhe agjentëve të tyre që nxisin ndërgjegjësimin historik në Europë, duke reflektuar në pyetjet: A është ende e rëndësishme ndarja e pasluftës në blloqe komuniste dhe kapitaliste? A rezonon kjo në kultura të ndryshme të kujtesës makrorajonale, të rrënjosura në përvoja të përbashkëta historike?
Çfarë roli luan BE sot në krijimin e një identiteti të përbashkët në Europë?
Dr. Monika Kareniauskaitė, Dr. Michał Łuczewski, Prof. Viacheslav Morozov dhe Dr. Gergely Prőhle diskutuan sfidat e mësipërme me të pranishmit dhe ndjekësit nga rrjeti. Sesioni hapës u moderua nga Elazar Barkan dhe Prof. Toomas Hiio.
Në vijim, në format të përmbledhur, pjesëmarrësit paraqitën organizatat dhe projektet e tyre.
Dita e dytë e simpoziumit, iu kushtua kujtesës në veprim: sfidave të përditshme dhe rekomandimeve për të ardhmen.
Sesioni trajtoi opinione, rekomandime dhe sugjerime për të ardhmen e politikave të përkujtimit, të kuptuara gjerësisht në Europë. Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve aktive në fushën e edukimit historik dhe kujtesës që veprojnë në nivel ndërkombëtar folën mbi përvojat e deritanishme dhe sfidat e përditshme të aktiviteteve të tyre, krahas rekomandimeve për të ardhmen.
Në diskutime morën pjesë drejtues të organizatave aktive në fushën e kujtesës në Europë, Observatori Evropian i Kujtimeve EUROM, z. Oriol Lopez Badell; Rrjeti Europian i Përkujtimit dhe Solidaritetit, z. Rafał Rogulski; Muzeu Shtëpia e Historisë Europiane, znj. Constanze Itzel; Platforma Europiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes, Dr, Łukasz Kamiński.
Sesioni u moderua nga Sergei Metlev, i Institutit Estonian për Kujtesën Historike.
Në vijim, koordinatorët e projekteve edukative dhe sociale në fushën e historisë ndanë përvojat më të mira të praktikave, në tre formate të organizuara sipas tematikave:
𝟏) Ballafaqimi me një të kaluar të vështirë, me diskutimet e znj. Dorottya Baczoni, Muzeu i Shtëpisë së Terrorit dhe Dr. Keiu Telve, Muzeu Vabamu i Shtypjes dhe Lirisë.
𝟐) Përfshirja e komuniteteve lokale, me diskutimet e Dr. Gentiana Sula mbi dëshmitë gojore dhe rolin e tyre, krahas dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, dhe Dr. Annemarie Franke dhe Anna Ëachoëiak, për projektin ndërkombëtar “In Between”?
𝟑) Përdorimi i mediave/teknologjive të reja, me diskutimet e Paweł Sawicki, Muzeu i Aushvicit dhe Dr. Kristina Ranki, i Muzeut Mannerheim.
Sesioni i dytë u moderua nga znj. Beata Drzazga dhe Maria Naimska të ENRS.
Gjatë ditës u zhvilluan vizita njohëse në Memorialin për Viktimat e Komunizmit të Estonisë dhe Muzeun Historik Estonez, në burgun Patarei, dhe vizitë në qelitë e KGB-së, të lidhura me Muzeun Vabamu të Shtypjes dhe Lirisë.
Në panelin vijues, diskutimet u përqendruan në rishikimin e lëvizjeve të 1989, në dritën e dokumenteve dhe kërkimeve të fundit mbi ndryshimet e ndryshme politike, kulturore dhe ekonomike që lidhen me vitin 1989 në Europën Lindore-Qendrore.
Si ka ndryshuar kujtesa e tranzicionit gjatë 30 viteve të fundit? A kanë shkaktuar këto ndryshime interes kërkimor mbi këtë temë? Cilat janë ndryshimet rajonale?
Pjesëmarrës në panel, autorë të librave kushtuar transformimeve të vitit 1989, Dr. Tobias Rupprecht, Dr. Lars Fredrik Stöcker, Dr. Paweł Ukielski, me moderimin e Dr. Peter Jašek.
Dita e tretë u përqendrua te përballja me të kaluarën: kujtesa dhe politika. Sesioni trajtoi polemikat që lidhen me një kulturë të përbashkët përkujtimore në Europë, të karakterizuar nga përvoja të ndryshme dhe vlerësime subjektive: në çfarë termash, – perceptimet e ndryshme të shteteve kombëtare dhe grupeve kolektive në Europën Lindore dhe Perëndimore për regjimet totalitare, -tingëllojnë si politizim i kujtesës? A ka dallime në përkujtimin e holokaustit në Europën Perëndimore dhe Lindore? Cilat janë arsyet e popullaritetit të komunizmit në vende të ndryshme, pavarësisht krimeve të tij?
Dr. Beáta Katrebová Blehová, Dr. Réka Földváryné Kiss, Velma Shariq dhe Lavinia Stan diskutuan në një sesion të moderuar nga Prof. Linda Kaljundi.
Dita e tretë e simpoziumit u përmbyll me diskutimet në tryezë të rrumbullakët për të ardhmen e debateve historike europiane, që vlerësoi gjendjen aktuale të një kulture të përbashkët europiane të kujtesës, për të reflektuar mbi perspektivat e saj e debatet e mundshme historike në të ardhmen. Sesioni përmbyllës trajtoi skenarë të mundshëm të konflikteve të ardhshme të rrënjosura në qasje të ndryshme lokale, rajonale, kombëtare, si dhe të brezave mbi përvojat historike.
Paneli me Prof. Maria Silvia Crăciun, Dr. András Fejérdy, Alicja Knast, u moderua nga Dariusz Rosiak.
Rafal Rogulsi, drejtues i ENRS e mbylli takimin, me ftesën për simpoziumin e radhës në Dublin.

previous arrow
next arrow
Slider

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *